Serbi ia vjedh dijen kosovarit

Skandalet e plagjiaturës dhe publikimeve shkencore të rreme janë bërë temë aktuale në Kosovë.
Por kësaj radhe, asnjë kosovar nuk ka bërë ndonjë vjedhje intelektuale. Përkundrazi, një arkitekt kosovar është viktimë e plagjiaturës. Për më tepër nga një serb. Kështu po pretendon Faton Deva. Ky i fundit ka mbrojtur temën e masterit në Universitetin ‘Blekinge Institut of Technology’ në Suedi, më 2 qershor të vitit 2007 me temën “A Future Wine Cluster in Kosova?” (E ardhmja e klasterit të venës në Kosovë).

Temën ia kanë udhëhequr mentorët Jan Evert Nilsson dhe Lars Emmelin. Deva tashmë mban titullin Magjistër për Planifikim Hapësinor Evropian dhe Zhvillim Regjional. Tema e tij është publikuar në librarinë elektronike të Universitetit në shkurt të vitit 2008. Po ashtu, tema është e vërtetuar edhe në programin ‘Turnitin’ në Londër, e cila bënë hulumtimin nëse tema e njëjtë është trajtuar më herët nga ndokush tjetër.

Para disa ditësh, Deva ka marrë një informacion nga një hulumtues i huaj, emri i të cilit është i njohur për të dhe gazetën, se tema e tij është vjedh nga një doktorant serb. Ky i fundit, Gajo Milan Vanka nga Beogradi, ka doktoruar me këtë temë në Universitetin e Vageningen në Holandë më 2012-ën. Të njëjtën, e ka publikuar një vit më vonë në revistën shkencore ‘Agricultural Economics’ në Çeki si bashkautor me mentorin e tij, profesorin Wim Heijman. /Tribuna/