Sejdiu: LDK s’ka qëndrim të prerë për bisedimet

Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu ka thënë se me marrëveshjen e arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për aq sa ka dëgjuar nga pala kosovare nuk janë tejkaluar vijat e kuqe. Sejdiu në një intervistë për emisionin ‘Diplomatikus’ në News24, ka folur edhe për arrestimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së, dhe zhvillimet në LDK.

Fatmir Sejdiu ka thënë se në dialogun e tanishëm që po zhvillohet në Bruksel ka pas një qasje të angazhuar dhe serioze të faktorit ndërkombëtar, mbështetës në kuptimin pozitiv për Kosovën.

“Edhe ky është një proces që ka peshën e vet dhe do të dëshiroja që të ishte një shpresë reale e shtendosjes së raporteve mes dy vendeve sovrane. S’dua të komentoj se asnjëherë nuk e kam parë tekstin origjinal të marrëveshjes, por do të dëshiroja që ajo të mos kapërcejë kornizat e kushtetutës së Kosovës dhe obligimet që ka marrë ajo që pas shpalljes së pavarësisë dhe me zotimin për zbatimin e pakos së Ahtisarit. Në interpretimet që dëgjojmë shohim edhe ballafaqime të qëndrimeve për atë që është rënë dakord. Ajo që është prezantuar nga pala e Kosovës, të cilën dua ta besoj në qasje, që nuk janë kapërcyer ato që kemi si vijat e kuqe që s’mund të kapërcehen.. Ajo që unë dua të theksoj që kemi pas një qasje të angazhuar dhe serioze të faktorit ndërkombëtar, mbështetës në kuptimin pozitiv për Kosovën”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se me Serbinë ka pas tema dhe do të ketë tema për të cilat duhet të bisedohet në interes të përbashkët të dy vendeve sovrane.

“Duke nisur që nga lëvizja e lirë e qytetarëve apo çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe atë ndërkombëtar, veçanërisht për pjesëmarrjet në takimet rajonale dhe në procese të tjera por edhe pjesën tjetër që është shumë e rëndësishme për ne, atë të përmbushjes së kritereve për integrim. Por them dhe këmbëngul që nuk duhet asnjëherë që këto tema që diskutohen të prishin atë çka është arritur në një fazë të mëhershme të bisedimeve apo aktin e shpalljes së pavarësisë, pasi do të ishte cënim për atë që kemi arritur deri tani”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka folur edhe për arrestimet e fundit të ish-ushtarëve, komandantëve të UCK-së. Ai ka thënë se zhvillime të kësaj natyre në një formë apo një tjetër sjellin shqetësime të përgjithshme në vend.

“Do dëshiroja që kjo të kuptohet si një proces që nuk lidhet me baltosjen e një procesi të madh që ka pas Kosova, të luftës çlirimtare të vendit, apo të asaj që mund të konsiderohet si një ndjekje shtrigash për pjesën e veprimeve politike. Sa i përket kësaj situatës së tanishme, për persona të caktuar dëshiroj vërtet që të jetë një ndriçim një real dhe dua të besoj në pafajësinë e këtyre njerëzve”, është shprehur Sejdiu, duke dëshiruar që EULEX të ketë një mandat real të punëve të tij, që të mos ketë spektakle apo situata që fatkeqësisht sipas tij kemi parë në Kosovë.
Sejdiu kundër koalicionit me PDK-në.

Sejdiu ka folur, po ashtu edhe për zhvillimet në LDK. Ai ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në, kur është pyetur se një gjë të tillë nuk e ka përjashtuar si mundësi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Çdo parti politike me numrat që ka, pra me relevancë të fuqishme politike dhe në këtë kuadër edhe LDK, pasi ka një numër të madh deputetësh, pretendon të fitojë zgjedhjet e vetme. Dhe do të jetë shumë e rrezikshme, që të të shprehet në këtë formë që ne do të bëjmë koalicion. Kjo nuk mund të interpetohet ndryshe që ne të fitojmë besimin e qytetarëve mandatin që vjen. Lufta duhet të bëhet në këtë drejtim dhe pas rezultateve te vlefshme që duhet të dalin nga një rezultat i ndershëm zgjedhor, pa u abuzuar, pa pasur pretendime se çfarë ka qenë nga 2007 e këtej, atëherë të shihet situata e re. Por tani e quaj si diçka të padrejte në atë çka është proklamuar kundër meje dhe në atë pjesën e linçimit publik se do të “kallet” selia e LDK-së që ishte një klientele e lidershipit të tanishëm, asgjë më tepër dhe njerëzve që i quaj argat ditor, të cilët nuk kanë të bëjmë më filozofinë e LDK-së, me projekte të saj, me anëtarësinë e saj, por që është krejt e jashtme”, ka thënë Sejdiu. Pra, ju jeni kundër një koalicioni të paktën në momentin që të hyhet në zgjedhje? “Unë jam që LDK-ja të luftojë, të bëjë punë dhe që të mund të besojë se mund të fitojë zgjedhjet, por me një mobilizim të përgjithshëm, pa këto politika aktuale që ka”.
Sejdiu i cili është edhe kryetar nderi i LDK-së, ka kritikuar udhëheqjen aktuale në këtë parti. Ai ka kërkuar zgjimin e atyre njerëzve të cilët ia dëshirojnë të mirën kësaj partie, dhe ka bërë thirrje që nuk duhet të jenë vetëm pjesë e mbyllur e asaj që pajtohem me mendimin e liderit në kuptimin burokratik. Sipas tij LDK-së i duhet një debat i thellë përbrenda.
“LDK-ja duhet të jetë një parti politike, që mban traditën, por dhe që zhvillohet me ide të reja, plus njerëz të rinj, një parti politike që nuk bën përndjekjen e atyre që kanë mendim të kundërt. LDK, ka kapacitet, ka njerëz që projektin e saj duan ta realizojnë me vizionin e qytetarëve. Këta njerëz duhet të zgjohen. Nuk duhet të jenë vetëm pjesë e mbyllur e asaj që pajtohem me mendimin e liderit në kuptimin burokratik. Por duhet një debat i thellë brenda partisë, të ndërtohet një mekanizëm i mirë i bashkëpunimit me partitë e spektrit të djathtë. LDK-ja fatmirësisht është anëtare e partive popullore të Evropës, dhe në këtë mënyrë ajo duhet të zhvillohet. LDK-ja nuk ka ende një qëndrim konstant për çështjen e bisedimeve. E kanë votuar disa, disa jo, por një qëndrim zyrtar, pa dilemë, zyrtar nuk e kemi”, ka thënë Sejdiu.