Schalke 04 dhe Galatasaray kërkojnë kualifikimin në çerekfinale

loading...

12

loading...
Champions League është evenimenti që elektrizon skuadrat gjermane dhe në këtë aspekt Schalke 04 është një prej klubeve që himnin evropian e kthen në forcë dhe energji. Ecuria me kurbën e thyer në kampionat ndryshon totalisht për “minatorët” në mesjavë pasi ata heqin maskën e Bundesligës për të veshur petkun evropian ku po ecin me gazin e shkelur në maksimum.

Sonte në mbremje për skuadrën e Jens Keller vjen një tjetër test me peshë dhe aromë çerekfinaleje. Barazimi i Stambollit 1-1 ndaj Gallatasarajit favorizon blutë mbretërorë, të cilët duhet t’i ruhen stadiumit, sepse turqit e kanë gati kalin e trojës. Një pjesë madhe e “Arena Aufshalke” do të ngjyroset verdhekuq për shkak të pranisë së madhe të tifozëve turq në Gjermani. Lajmi kryesor për këtë sfidë është mungesa e bomberit holandez Klaas-Jan Huntelaar, i cili vuan nga një dëmtim i pësuar në derbin e Ruhrit kundër Borussias së Dortmundit. Në vend të tij, favorit për ta nisur ndeshjen titullar është finlandezi gati gati anonim, Teemu Pukki. Ndërkohë, një tjetër emër i ri pritet ta nisë takimin që nga minuta e parë. Bëhet fjalë për Sead Kolasinac, i cili mund të zëvendësojë mbrojtësin e majtë Christian Fuchs. Një tjetër mungesë me peshë për Schalken është edhe mesfushori Jermaine Jones.

Nga ana tjetër, Galatasaray zbret në Gjermani me një armatë të gatshme për të siguruar kualifikimin historik në çerekfinalen e evenimentit më të madh evropian. Didier Drogba do të udhëheqë në fushën e blertë ushtrinë e Fatih Terim, ndërsa Felipe Melo rimerr frenat e mesfushës. Gjithsesi, emri që gejrmanët duhet t’i tremben më shumë është bomberi Burak Yilmaz, surpriza e vërtetë e këtij sezoni të Champions League. Në prag të sfidës, trajneri gjerman Jens Keller kërkoi që skuadra të dhurojë të njëjtën paraqitje si në derbin kundër Dortmundit. “Ndaj Borussias luajtëm në një nivel shumë të lartë dhe duhet të bazohemi tek paraqitjet e fundit për të ndërtuar edhe këtë takim. Barazimi 1-1 i ndeshjes së parë është disi më pozitiv për ne por nuk fituam 3 apo 4 me 0 që të mendojmë se e kemi siguruar kualifikimin”.

Nga ana tjetër, tekniku turk Fatih Terim vlerëson cilësitë e kundërshtarit por kërkon që skuadra të luajë e disiplinuar në fushën e lojës, duke patur besim te aftësitë e saj. “E dimë që kemi përballë një kundërshtar të mirë që meriton respekt por edhe ne jemi një ekip i mirë me eksperiencë në Europë dhe Champions League prandaj duhet të menaxhojmë sa më mirë situatën. Jemi të përgatitur për çdo detaj dhe e dimë shumë mirë se çfarë rëndësie ka për ne ky takim. Kam shumë besim te lojtarët e mi dhe besoj se do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”.

loading...