Sarajervo nuk e do trajnerin që bëri fotografi me Arkanin

Trajneri i futbollit, Ljupko Petroviq nuk do të jetë trajner i Sarajevos, pas publikimit të fotografisë në të cilën shihet ai me kryekriminelin e vrarë serb, Zheljko Razhnatoviq-Arkan derisa mban në dorë një pushkë automatike, raporton Al Jazeera Balkan.

Klubi nga kryeqyteti boshnjak ka hequr dorë nga angazhimi i Petroviqit, pasi tensione të mëdha në opinion ka nxitur fotografia e kapur gjatë viteve të luftës, në të cilën ish trajneri i Crvena Zvezdës shihet afër Arkanit, atëherë udhëheqës i njësitit paraushtarak “Tigrat e Arkanit”, të cilët janë ngarkuar me një numër të madh veprash kriminale.
Në konferencën për media të paraparë për zyrtarizimin e Petroviqit, trajneri i cili e ka udhëhequr Zvezdën deri të titulli i kampionit të Evropës, është dashur të flasë për fotografinë.

“Janë paraqitur disa gjëra dhe unë ato i kuptoj plotësisht. Për shkak të luftës kam vendosur që mos të shkojë në Tokio. Për shkak të luftës nuk kam bërë karrierë të madhe. Atëherë u paraqit Arkani. Ishte i fuqishëm, udhëheqës i tifozëve të Zvezdës. Nuk kam mund të bëjë asgjë aty. Kjo për mua është e kaluar. I kuptoj njerëzit që e udhëheqin klubin dhe me vije keq që nuk arritëm deri të marrëveshja”, ka thënë Petroviq.

Ai gjatë karrierës së tij ka udhëhequr edhe klubet kroate Kroacia Sesvete dhe Lokomotiva, por nuk ka pasur probleme.