Sabella: Messi e meritoi Topin e Artë

0Messi i vetëm nuk mundi ta realizonte misionin që i kishte ngarkuar një komb i tërë, pavarësisht karikimit që iu injektua edhe nga legjendari Diego Maradona.

Argjentinasit ishin përgatitur të shpërthenin në festë për Kupën e Botës të rrëmbyer në tokën e rivalëve më të përbetuar, por Brazili nuk ua dha këtë mundësi sepse në Rio ishin gjermanët ata që e ngritën Kupën drejt qiellit. Gjithsesi Messi mund të ngushëllohet sadopak me Topin e Artë, një trofe që sipas trajnerit Sabella, ai e meritoi plotësisht sepse renditet mes perëndive të futbollit të të gjitha kohërave.

“Unë besoj se prej kohësh Messi ndodhet mes më të mirëve të historisë, para se të fillonte ky Botëror. Topin e Artë e ka merituar për lojën fenomenale që ka bërë gjatë gjithë kampionatit dhe falë tij mbërritëm në finale”.

Alejandro Sabella refuzoi të komentojë se çfarë mund të ndodhë me të ardhmen e tij në stolin e Albicelestes, ndërkohë që elozhet i hodhi pa kursim mbi lojtarët nënkampionë të botës.

“Nuk mund të flas për të ardhmen time tani sepse nuk e di se çfarë do të ndodhë. Do të kaloj disa ditë pushim me familjen e lojtarët dhe pastaj të shikojmë. Për ekipin jam shumë krenar. Ishte një Botëror i jashtëzakonshëm, ku djemtë dhanë gjithçka për fanellën e Argjentinës. Ishin luftëtarë të vërtetë, të cilët derdhën edhe pikën e fundit të djersës në fushë”.

Sabella theksoi në përfundim se pavarësisht zhgënjimit që mund të ndiejnë, tifozët duhet t’i trajtojnë si heronj të gjithë lojtarët e La Seleccion.