Rusia i shpall luftë ujqërve

Rusia-i-shpall-luftë-ujqërve

Një dyndje ujqërish në Republikën e Sakhës (ose Jakutia) ka vendosur në alarm autoritetet ruse, pas ankesave të shumta të banorëve të krahinës, raportoi të hënën agjensia “RIA Novosti”.

Skuadra me gjuetarë janë formuar dhe do të shpërblehen për çdo ujk të vrarë në tre muajt e ardhshëm, pasi për shkak të mungesës së ushqimeve në zonat e populluara prej tyre, ujqërit janë duke sulmuar gjithmonë e më shumë gjënë e gjallë në zonat urbane.

Mbi 310 kuaj janë shqyer që prej fillimit të dimrit nga ujqërit e urritur, së bashku me kafshë të tjera shtëpiake, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.

Një krahinë me përmasat e Indisë, por popullsi sa të Tiranës, ajo e Sakhës shtrihet në zonat artike të verilindjes së Rusisë dhe përballet në dimër me temperatura që arrijnë deri 50-60 gradë nën zero.

Sipas ekspertëve, për shkak të gjuetisë njerëzore dhe për arsye të tjera biologjike e klimaterike, popullsia e drerëve ka pësuar një rënie drastike në vitet e fundit, ndërsa ujqërit janë riprodhuar me shpejtësi duke kaluar me disa mijëra numrin e gjykuar si popullata e përshtatshme e tyre.

Për këtë arsye, ata kanë braktisur malet e thella dhe pyjet e dendura në zonat e pabanuara, duke u afruar pranë qendrave urbane dhe rrezikuar jetën e njerëzve, transmeton Top-Channel.