Rruga e tmerrit për në Evropë

Kosovarët që duan të shkojnë ilegalisht në Evropë duhet të paguajnë 1200 deri në 1500 euro për person. Organizimi nis nga Prishtina, përmes Beogradit e Suboticës, drejt kufirit hungarez.

Po pinin kafenë e mëngjesit në bufenë e Stacionit të Autobusëve në Suboticë(Serbi), derisa po prisnin dy autobusë me qytetarë nga Kosova që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës.

Të gjendur vetëm dymbëdhjetë kilometra larg kufirit me Hungarinë, së paku dhjetë burra, serbë e romë, me padurim pritnin arritjen e kosovarëve. Nga kosovarët që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës, për disa qytetarë serbë në Suboticë, tashmë është bërë përfitim i mirë. Hiç më keq nuk po mbesin as disa serbë të tjerë në Beograd bashkë me disa shqiptarë që organizojnë udhëtimin e kosovarëve nga Prishtina.

Rasip e Ragip Azizi, dy vëllëzër romë nga Fushë Kosova, trafikimin e shqiptarëve drejt Evropës e kanë bërë biznes ditor, shkruan /LajmeOnline/.

Me këtë punë ata merren për gati një vit. Por, puna u është shtuar dukshëm që nga janari i këtij viti.
Të dy flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, duke ua bërë më të lehtë që të afrohen kosovarëve për t’i dërguar përmes Serbisë e më pas nëpërmjet Hungarisë drejt Evropës.
I presin autobusët me kosovarë

Dy romët që janë lindur në Fushë Kosovë, por që aktualisht jetojnë në Suboticë, janë në mesin e grupit të organizuar që transporton shqiptarë ilegalisht për në Hungari. Ata biznesin e zhvillojnë kryesisht në kafenenë e stacionit të autobusëve. Në këtë të fundit e njohin thuajse të gjithë klientelën. Ndonjë person i paparë në atë zonë më herët, potencialisht mund të jetë mundësi për biznes për ta. Dy vëllezërit nuk hezitojnë të paraqesin ofertat e tyre.

“A di shqip? A je nis për të shkuar andej (Hungari)?”, thotë Rasim Azizi teksa i afrohet tavolinës. Porosit një kafe e ulet në tavolinë, duke menduar se bashkëbiseduesja kishte qëllim kalimin ilegal të kufirit./LajmeOnline/