Rregullohet vendi i masakrës së familjes Berisha

foto (1)

Vendi ku më 26 mars të vitit 1999 janë masakruar në mënyrën më makabre dhe jonjerëzore nga forcat kriminele serbe familjarë të të gjitha moshave të familjeve Berisha, edhe pas 13 vjetësh në liri, ka mbetur pa u rregulluar,përkatësisht në mënyrën si ka qenë në ditën e krimit.
Lënia në këtë gjendje e këtij objekti (një ish- kafiteri e familjes Shala nga Theranda) në Therandë shpjegohet në dy mënyra: Disa thonë se kjo është lënë qëllimisht si shenjë e barbarisë serbe ndaj qytetarëve të pafajshëm, kurse të tjerët e lidhin këtë edhe me ndonjë moskujdesje të pushtetit komunal, për ta rregulluar më mirë këtë ambient, përfshirë këtu edhe pjesën e jashtme ku gjendet ky objekt.
Xhelal Berisha, familja e të cilit ka viktima që u masakruan në këtë vend, ka shprehur shqetësimin për moskujdesin e deritashëm, duke thënë se në vitet e kaluara kishte rrezik që edhe ky objekt të tjetërsohet nga persona të caktuar, por është fat i madh që kjo nuk ndodhi.
Ai megjithëkëtë, falënderon Komunën dhe kryetarin Kuçi që këtë vit kanë ndërmarrë një hap konkret për të bërë diçka në këtë vend, shkruan zëri.
“Na është thënë se vendi ku ka ndodhur masakra do të rregullohet nga brenda dhe jashtë, duke u shndërruar në një mini muze, në të cilin do të ruhen disa gjëra që ende janë aty, por me siguri edhe gjëra të tjera të atyre që u masakruan në atë vend, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë të vegjël”, ka thënë Berisha, duke njoftuar se këtë vit, pasi që nga Batajnica e Serbisë janë marrë edhe disa kufoma,do të bëhet në një vend të përbashkët rivarrimi i viktimave të asaj dite.
Drejtori për Shërbime Publike në Therandë, Musli Shala, është angazhuar edhe personalisht që punët rreth këtij objekti të kryhen sa më mirë dhe sa më parë.
“Kemi vendos që para përvjetorit të masakrës serbo-çetnike mbi popullatën e pafajshme të familjeve Berisha ( 26 mars 1999), në vendin ku qëndron lapidari i mbi 500 viktimave civile të luftës, do të hiqen rrethojat e hekurta që kanë qenë deri tash dhe ta rregullojmë këtë vend. Kryetari i komunës Blerim Kuçi ka kërkuar që ai vend të jetë vend përkujtimi i gjeneratave të ardhshme, të jetë vend i hapur për të gjithë dhe të shërbejë për të gjithë ata që dëshirojnë të përkujtojnë dhe nderojnë heroizmin e atyre që ranë për lirinë e vendit”, ka thënë Shala, përderisa po hospitonte punët që po bëheshin në këtë vend.
Ai ka pohuar se aktualisht është rregulluar pak a shumë ambienti për rreth objektit, por që në ditëve në vijim do të kryhen edhe punët tjera që janë paraparë./LajmeOnline/