Rregulla të reja për të udhëtuar në BE, tani duhet të jeni i pasur për të kaluar kufirin

loading...

Qytetarët shqiptarë nuk do të jenë më aq të lirë për të lëvizur në zonën Shengen nëse nuk plotësojnë disa kritere e rregulla të reja të vendosura së fundi. Bëhet fjalë për katër kushte kryesore të përcaktuara në një urdhër apo plan masash që ka firmosur së fundi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Urdhri i kryepolicit Haki Çako përmban në fakt 14 pika, por katër kushtet që ju kthejnë pas nëse nuk i plotë- soni, janë vendosur në pikën e parë. Pjesa tjetër e urdhrit kërkon që policia kufitare të tregojë më tepër kujdes e të verifikojë me imtësi dokumentet e udhëtarit dhe identitetin e tij në mënyrë që ta kthejë pas nëse ka shkelje të rregullave të zonës Shengen në të kaluarën e tij.

KATËR KRITERET

Mësohet se urdhri është lëshuar pas ultimatumeve të zyrtarëve të qeverisë franceze ndaj qeverisë shqiptare, por edhe pas mesazheve e shqetësimeve që ambasadorja e Francës i përcolli direkt Drejtorit të Policisë së Shtetit gjatë takimeve me të në muajin korrik.

Kështu, sipas urdhrit të Drejtorit të Policisë, çdo shqiptar që kalon kufirin duhet t’i tregojë policit shqiptar adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë. Kriteri i dytë është ftesa që pritësit në vendin e destinacionit ku kërkohet që kjo ftesë të përmbajë kontaktet e pritësit.

Kriteri i tretë është bileta apo rezervimi i biletës për kthim në Shqipëri në momentin e paraqitjes apo të nisjes për të dalë jashtë shtetit. Pika e fundit në katër kriteret e vendosura është ajo e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit. Kjo pikë ndonëse e papërcaktuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas një dokumenti zyrtar të ministrisë së Jashtme ka një vlerë konkrete.

“Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli”, thuhet nga Ministria e Jashtme. Ndërkohë, mësohet se në rastet kur nuk paraqitet rezervimi i hotelit, qytetarit mund t’i kërkohet të ketë me vete shuma deri në 100 euro për çdo ditë qëndrimi në zonën Shengen.

KATËR KRITERET E REJA

Adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë;
Ftesa e pritësit në vendin e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit);
Biletë rezervimi për kthimin;
Mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit.
50 euro/ditë qëndrimi në rastet e paraqitjes së rezervimit të hotelit.

100 euro/ditë në rastet kur nuk paraqitet rezervimi i hotelit në kufi.

Urdhri që ashpërson kriteret dhe masat në kufi është firmosur më datën 1 gusht 2017 nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe mban nr. 805, me numër protokolli 5792./panorama/

loading...

loading...