Rrëfimi tronditës: Kushëriri më la 8 herë me barrë


Zbardhet dëshmia tronditëse e një vajze 22-vjeçare, e cila është shfrytëzuar si prostitutë për 4 vjet me radhë nga kushëriri i saj i parë në Shqipëri, në Zvicër dhe në Itali.

Në rrëfimin e saj horror e reja pohon se është abuzuar dhe dhunuar seksualisht nga kushëriri, me të cilin pretendon se ka ngelur tetë herë shtatzënë.

Në të teta rastet, sipas saj, është detyruar prej tij të abortojë. Dëshmia rrëqethëse, në kufijtë e të pabesueshmes, është pjesë e vendimit gjyqësor të Gjykatës për Krimet e Rënda ndaj të akuzuarit si autor i shfrytëzimit të saj, të pandehurit Mark V.

Ai u dënua me 21 vjet heqje lirie për akuzën e “trafikimit të personave të rritur”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Gazeta “Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit të Krimeve të Rënda, ku zbardhen provat dhe dëshmitë mbi bazën e të cilave u deklarua fajtor i pandehuri Mark V.

Në vijim botohen deklarimet e dhëna nga e trafikuara M. në prokurori gjatë fazës së hetimeve paraprake, dëshmi të marra si prova në gjykim. Ajo rrëfen me detaje se si është detyruar përmes dhunës dhe kërcënimeve të prostituojë nga ana e kushëririt të saj të parë, si dhe të abortojë në plot tetë raste.

E reja ka treguar se abuzimin e parë nga i afërmi i saj e kishte pasur që në moshën 17¬vjeçare dhe në një rast ishte përdhunuar në sy të motrës së saj të mitur.

Dëshmia e vajzës:

“Theksoj se kushëriri im i parë, i quajtur Mark V., që prej disa kohësh më ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Shqipëri, kryesisht në Lezhë, por dhe jashtë shtetit në Itali e Zvicër.

Fillimisht ka filluar para disa vitesh, ku Marku gjente klientë të ndryshëm se i sillte tek unë me qëllim që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me këta shtetas kundrejt pagesës, e cila varionte në shuma të ndryshme. Fillimisht kjo veprimtari e Markut ka qenë më e rrallë në kuptimin që më sillte vetëm disa veta, ndërsa kohët e fundit që prej gjashte muajve Marku më ka sjellë persona të panjohur, deri në shtatë ose tetë persona në natë.

Gjatë verës së vitit 2013, në kohën që qëndroja në banesën e marrë me qira nga ana e shtetasit Mark V., ka ndodhur që kam shkuar me persona të panjohur, të cilët i sillte Marku.

Në lidhje me pazaret ndaj këtij klienti është marrë Marku, ku në këtë rast më ka informuar se ky klient e paguante për shërbimin seksual që unë i kryeja 5000 lekë ora dhe 10.000 në rastet kur unë kaloja natën me të. Në lidhje me shpenzimet që bënim për të jetuar dhe për banesën u merrte gjithmonë shtetasi Mark V. dhe theksoj se në asnjë rast unë nuk jam marrë me marrjen e shumave të lekëve nga klientët.

Për sa i përket ushtrimit të prostitucionit në shtetin italian, kam për të sqaruar se në fillim të vitit 2014, ku data nuk më kujtohet, unë kam shkuar në Itali së bashku me Markun. Kemi shkuar me autobus. Për itinerarin që kemi përshkuar nuk di të jap shpjegime. Atje kemi shkuar me qëllim që unë të punoja si prostitutë, ku Marku do të më gjente klientë.

Dua të theksoj se biletat i kemi blerë te një agjenci udhëtimesh në Lezhë. Di që Marku i ka mbetur edhe 200 euro borxh. Theksoj që unë nuk kam dashur që të shkoj në Itali për të kryer këtë punë, por jam detyruar nga Marku.

Ai herë pas here më bënte presion, duke më thënë që nëse unë nuk shkoja, ai do të më vriste vëllain ose motrën, pasi dhe vëllain tim të madh Marku më ka thënë se unë ta kam vrarë”.
shtatzania