Rrëfimi tronditës i gruas që vrau burrin me sëpatë: Më solli një 17-vjeçare në shtëpi

loading...


(E plotësuar) Gazetarja Eni Vasili në librin e saj ka koleksionuar histori nga më të ndryshmet, ku gratë shqiptare rrëfejnë krimin e tyre. Njëra prej tyre, Lule Doçi, e lindur në vitin 1963, në fshatin Cedhi të Kurbinit dhe është banuese në fshatin Karic të Matit është dënuar nga Gjykata e rrethit të Matit me 8 vite burg, si fajtore për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.

Vendimi u mor në prill të vitit 2012. Sipas vendimit të Gjykatës, Lule Doçi ka vrarë me mjet pune, sëpatë, bashkëshortin e saj, Vladimir Doçi, në nëntor të vitit 2011. Para Gjykatës ajo ka pranuar krimin, duke rrëfyer si shkak tronditjen psikike të shkaktuar nga veprimet e viktimës. Sipas Gjykatës, krimi ka qenë i nxitur për motive xhelozie, për shkak të marrëdhënieve të viktimës me femra.

Një histori rrëqethëse, vuajtje që asnjë femër nuk do donte të përjetonte, humbi vajzën e saj, ia rrëmbeu përroi dhe më pas burrin, të cilin e vrau pasi e preu në besë, e dhunoi një jetë të tërë dhe në fund e braktisi për një gjimnaziste.

Kur ka vënë dorë për herë të parë?

Nuk më kujtohet, por e di që ka ndodhur pas 6 muajve jetë së bashku. Që atëherë kemi pasur mosmarrëveshje. Kisha vjehrrën, që më mbështeste, se ai ishte i ashpër dhe me familjen, ai ka rrahur edhe nënën e tij. Pastaj na hyri në mes edhe xhelozia, unë i kisha sytë vetëm tek ai.

Ti ishe xheloze se të tradhtonte, prandaj ziheshit?

Ishte një arsye dhe xhelozia, se unë kisha lënë familjen time dhe kisha lidhur jetën me të. Për mua ishte shumë e rëndësishme. Po kishte shumë arsye bashkë. Mua më qante fëmija për bukë, ai ikte dhe rrinte dhe tri-­katër ditë pa ardhur në shtëpi. Shkonte nga të kishte qejf, po nuk ka pas pirë, nuk dua të gënjej, as nuk ka vjedh, dy gjëra që nuk i ka pasur kurrë. Por ishte i dhunshëm, besoj nuk ka grua në rreth të Matit që ka vuajtur sa kam vuajtur unë.

Ke shkuar ndonjëherë në spital për shkak të dhunës së tij?

Policia dhe Gjykata e Burrelit e dinë mirë historinë time. Unë kam qenë në mëshirë të fatit, ata kanë ditur gjithçka rreth meje. Kam shkuar disa herë në komisariat, se nuk kisha ku të shkoja tjetër, se nuk më pranonte familja ime… Kam shkuar e lyer me gjak, i kam shenjat dhe sot në kokë (i tregon). Më kanë çuar te doktori ligjor, m’i kanë mat edhe me centimetra shenjat e trupit. Kam denoncuar dhe kur ka ardhur puna, nuk kam firmosur për të, se nuk kam dashur kurrë ta fus në burg. Më ka lëshuar flokët në tokë ose ma ka bërë trupin plagë krejt, se kur të fuste në dorë, ishte si me të kap tigri, se nuk bënte me të lënë gjallë më.

E ke dashur?

Unë… (përlotet) sa të jem gjallë, atë njeri nuk e nxjerr prej zemrës sime, as edhe një herë të vetme, kurrë në jetën time nuk e kam dit se do të vras burrin tim, aq shumë sa e kam dashur. Ai njeri më rrihte, më torturonte. Vetëm që nuk më ka lidh siç lidhet qeni, por me litar më ka rrahur, të gjitha m’i ka bërë, por kurrë në jetën time nuk e kisha menduar se do të vrisja babën e fëmijëve. Në ’91­shin kam bërë ndarjen me të ligjërisht, se nuk dua me të mbajt asnjë sekret. Jam ndarë, kam marrë rrugën dhe kam shkuar në Burrel, do kushërira të tij më kanë dashur shumë e më kanë përkrahur, kam ndenjur atje, më kanë mbajtur një muaj e gjysmë larg prej fëmijëve. Në atë kohë kisha dy fëmijët e parë. Kam marrë vendim, kam thënë: “Unë me ty nuk jetoj më, se mua më nxive jetën, më more në qafë!”.

Dhe u ndave me letra, bëre divorc?

Jam ndarë në Gjykatë të Burrelit. Në Gjykatë thashë: “Kam dy fëmijët, nuk i lë gjallë, i dua të jenë me mua. Por, gjyqtari Petrit Doçi tha: “Ku do t’i çosh fëmijët? Ti”, tha, “je e re, mund ta ndërtosh jetën prapë”. Edhe ato mend që më kishin mbet më ishin bërë ujë krejt dhe gjykata ia la dy fëmijët atij me dijeninë time, me pranimin tim. Por nuk kisha ku me i mbajt, vetë po rrija te dy kushërira të tij. Ndenja një muaj e gjysmë larg atij… është tragjedi jeta ime. Unë kam një dajë që më ka pritur e më ka përcjellë gjithmonë, prindërit e mi jo. Kam vajtur te daja, ndërkohë që u ndava me të. Fëmijët mbetën atje, më lanë të drejtën e takimit të fëmijëve, rregulloren nuk e dija gjallë në botë se si e qysh, se isha shumë e re. Kam ndenjur një natë te daja im dhe i kam thënë atij se kam mbete në mes të katër rrugëve për atë burrë që kam. Me familjen time nuk kisha asnjë lidhje. Më ka çuar daja im te selia e PD­së, tek Eduard Selami dhe i kam zënë rrugën atij pa hyrë në zyrë hala, i thashë jam një grua, vij nga Mati. Kam ardhur se kam një fatkeqësi timen. Më priti në zyrë e i kam dhënë sqarime. Më dërgoi te kryetarja e gruas së rrethit të asaj kohe, ajo më ka çuar në një hotel te rruga e spitalit të Burrelit, pa pagesë,punoja në punë shteti në atë kohë dhe kam ndenjur një muaj. Ai më tha do të lidhesh me PD­-në e Burrelit dhe nuk do të mundohesh të vish më tek unë, unë do të flas me ta dhe ata do të të strehojnë në Burrel. Më tha, në qoftë se nuk do të të plotësohet kjo dëshirë, atëherë do të vish tek unë. Unë do të vë njerëzit në lëvizje që ti të strehohesh dhe të kesh kontakt me fëmijët e tu. Dhe unë atëherë shkoja në punë, vijsha në hotel, kisha 100 lekë në ditë, për të ngrënë në një restorant të hotelit pa lekë dhe mbushja çantën me ushqime dhe shkoja takoja kalamajtë e mi në Karicë, bile i çoja duhan dhe burrit tim.

Po atij, pse i çoje?

Nuk e di se pse, po e kam bërë.

Po pse e doje atë prapë, çfarë të pëlqente tek ai?

Nuk e di as vetë. (Qan). Atëherë më ka ardhur te hoteli dhe ka qarë në kokërr të lotit, i kisha të vegjël fëmijët, më thotë: “Të kthehesh në shtëpi se unë nuk të them plaç me gojë më”. Djali ishte 4 vjeç, ndërsa vajza foshnje. Atëherë jam kthyer në shtëpi, sipas fjalës së atij. Dhe atë ditë që lashë hotelin, e humba dhe strehimin, atë ditë e mbrapa e deri më 8 nëntor të 2011­s, që kam bërë vrasjen nuk e kam luajtur këmbën më, kam ndenjur me të dhe kam jetuar copë­ copë.

Ai nuk e mbajti fjalën që nuk do të të godiste më?

Absolutisht, më fyente e më shante në mes të lagjes. Njëherë më ka thënë: “Ty nuk të do familja jote e jo të të dua unë”. Unë nga familja ime u ndava për hir të dashurisë për të.

Pasi u riktheve me të, lindën dhe tre fëmijë të tjerë? I ka rrahur dhe ata?

Po, po, na hynte në hu të gjithëve në shtëpi, se vinte i tensionuar, nuk i kishin ecur punët e veta tamam andej nga shkonte dhe na qëllonte. Kisha vjehrrën që më ka mësuar si nënë. Më vjen shumë keq për vjehrrën time. (Qan).

Është ende gjallë?

Po, është ende gjallë. Kam pasur mbështetjen e kunetërve të mi dhe i kam pasur unë më të mira marrëdhëniet me familjen e tij, sesa ai.

Të mbronin ata?

Më këshillonin, se nuk kishin çfarë të më bënin tjetër, ne u ndamë shpejt prej atyre. Vjehrra, kur e dinte që unë nuk kam çfarë të ha bashkë me fëmijët, më hapte raftin e bukës së saj. Më ka mësuar shumë vjehrra ime, po nuk kishte vlerë. Në 1996­n, nuk mund të rri pa ta thënë, ndodhi një tragjedi e madhe për mua, vajzën që e kam 27 vjeçe sot e kisha 8 vjeçe, një vajzë të vogël ma mori një përrua e m’u mbyt një çerek ore larg nga shtëpia… Ajo ka qenë goditja më e madhe në jetën time (e përlotur) që nuk e harroj, më vdiq vajza.

Më trego pak si ndodhi. Ishte dimër?

Jo, ka qenë 26 maj, vajza ishte me dele, ishte ditë me diell, për dy orë bëri një kiamet, sa me marrë vajzën time, ka qenë ditë votimesh, 26 maji i ’96­s.

Ti ishe me vajzën?

Jo, unë isha me vjehrrën time në shtëpi, po gatuanim. I çova me dele dy motrat bashkë dorë për dorë, atje i zuri furtuna, vajza e madhe 8, e vogla 6. Kur kam vajtur e kam gjetur të madhen buzë përroit… shumë shpejt vajta, po nuk e gjeta më vajzën. Më mirë të kisha qenë mbytur unë në ujë në atë kohë dhe të ishte mbyllur gjithçka. E gjeta vajzën e madhe në buzë të përroit, e pyeta
ku është Dallëndyshja, më tha: “Ma mori uji, o ma!”… e kanë gjet pas shumë kërkimesh, 4 km larg.

Pas vdekjes së Dallëndyshes, çfarë ndodhi?

Vazhdoi jeta, ashtu copë­copë. Jetonim me bagëti, 13 dele kam pasur, kishim dhe pak tokë, mbillnim grurë e misër, zarzavate kopshti. Me ato ushqeheshim. Kisha dhe një lopë… Në ’98­n, burri im pati një fërkim me një kushëri të vetin për tokë, erdhi policia në 3 të natës dhe e arrestoi. Nuk e vrau atë person, po i gjetën armë dhe u arrestua për tentativë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ra në burg të Burrelit për 5 vjet. Atëherë vajzën e vogël e kisha njëmuajshe, shtëpia u shemb dhe vjehrra ime bleu shtëpi në Thumanë me gjithë kalamajtë e vet dhe iku. Unë mbeta.

Si të lanë aty?

Ashtu më lanë, e dinin se e kërkonte policia, po nuk menduan se do të kapej e do dënohej. Atëherë, në ’97­n, kur u hapën depot në Qafë Shtamë andej nga vendlindja ime, e pata marrë një çadër ushtarake, se e dija që një ditë do jem nën hënë. Ishte sa dy dhoma ajo, 10 metra çadër.

Ku e ngrite çadrën?

Te toka ime… Në çadër nuk kisha asnjë lloj kushti jetese, vetëm një furrë katrore ku piqja bukën, nja dy tela korrent atje, krejt jetë primitive në çadër, as krevat për kalamajtë, asgjë prej gjëje. Kam shkuar te një shoqatë zvicerane për t’u qarë hallin. Më çuan fjalë, vajta në Burrel, më regjistruan emrin, kanë vajtur dhe kanë takuar edhe burrin tim te burgu dhe kanë marrë vendim të më ndërtonin një copë banesë. Kanë bërë katër të tilla në atë kohë në fshat, një ndër to isha unë. Më kanë pru ndihma ushqimore për dy vjet me radhë, i kam hapur vetë trojet me kalamajtë e mi, me duar e thonj. Kam shkuar vazhdimisht te burri në takim në burg.

Po ai të ka rrahur, fëmijët gjithashtu, nuk punonte, të tradhtonte, pse të vinte keq?

Më vinte gjynah… nuk po të mbaj sekret, kam shkuar dhe në takim të gjatë, me djalin e vogël kam mbetur shtatzënë në burg.

Bëje dashuri me të në burg?

Duhej të shkoja. Njëherë që nuk kam shkuar, më tha: “Nuk ke nevojë mbase me ardh, se je jashtë”. Arsyeja që nuk shkoja shpesh ishte se nuk kisha lekë. Vetëm një herë e kam humbur takimin e gjatë dhe mjerë veshët e mi çfarë kanë hek… I kam çuar ushqimet me aq mundësi sa kisha, më kishte lënë në fukarallëkun më të madh, vetëm falë zviceranëve kam mbijetuar. Ata nuk më kanë lënë me heq keq, as për bukë, as për ushqime… më bënë dhjetë metra shtëpi, dy dhoma të vogla katër me katër, një copë korridor, që janë edhe sot. Kur doli prej burgu e erdhi në shtëpi, nuk dëgjoi asnjë fjalë të keqe për Lule Doçin, por vazhdoi e njëjta gjë.

Prapë dhunë?!

E njëjta gjë… në qendër të vëmendjes për burrin tim kanë qenë gjithmonë vetëm femrat. Kur vinte pastaj në shtëpi, na rrihte. Kështu kanë kaluar vitet. Në 2010­2011, djalin e madh e kisha në Greqi, edhe vajza e madhe u martua atje. Ajo na kërkoi që të shkonte dhe vajza e vogël me të dhe e lejuam. Nuk kishim para për të jetuar. Një ditë burri i bie në qafë djalit, i thotë: “Ndërhy te gjyshi jot, se i ka disa miq nga Fushë-Kruja, nga Nikla, t’u marrim delet e t’i çojmë në mal!”. “O babi”, i thotë djali, “veç po mu zotu mami, se unë nuk të jap delet e mikut, se ti i le delet e ikën bredh e unë futem në borxh”. I thashë djalit që do të sakrifikoja deri në pikën e fundit. Ishte me interes për ne, se ramë dakord, që krejt qingjat e tufës t’i merrnim ne. E kështu bëmë. Im shoq mori një makinë te dajat e tij, ngarkuam delet e krushkut dhe dolëm në mal të Karicës, nja dy orë larg shtëpisë. Pasha Zotin, kjo Lule Doçi që shikon këtu, nisesha që prej Karice tu m’u tha goja, se rruga bënte 2 orë e gjysmë, kam vajtur për një paketë cigare, ia kam çuar në mal. Shkoja me djalin e vogël, se krejt të tjerët ishin në Greqi dhe i dërgojsha ujë me akull, i bija në qafë lagjes se nuk kisha frigorifer vetë. Edhe sot katër faqet e murit janë në Karicë. Një shoqatë e kishës kanë vajtë e i kanë pa kalamajtë e mi, pasi kam ra në burg unë. Katër faqet e murit e dy divana të shkatërruar, asgjë tjetër nuk gjen në shtëpinë time sot e kësaj dite. As edhe një herë të vetme, ai njeri nuk më bëri të lumtur, as edhe një herë të vetme.

Çfarë ndodhi në mal?

Më la në majë të malit me një djalin e vogël dhe iku në Burrel. Kishte pas qenë lidh me një vajzë, ajo u bë shkaku i gjithçkaje, ajo ia hëngri kokën. Më ka lënë tre net në majë të malit, një armë e kisha, por isha grua e vetme aty, pa dritë, ujqërit ditë për ditë binin nëpër tufa të tjera e hanin bagëtitë… E merrja në telefon, se më pat lënë telefonin. “Ku je?”, e pyesja, “kur do të vish, si më le në qiell të hapur?”. Kishim një vathë verore dhe ne flinim jashtë dhe bagëtitë jashtë, vetëm të rrethuar me gardh. Natën kishim frikë nga ujqërit. Burri im nuk kishte mendje me ruajt as bagëti, as gjo prej gjoje. Kish qenë lidhur me një vajzë në Burrel, në një fshat.

Sa vjeçe ishte ajo vajza?

17 vjeçe…

Po burri sa ishte?

52. Tre vjet më i madh se unë. Përfundimisht, ai kthehet në mal dhe më thotë: “Bëj ç’të duash, n’daç me dele, n’daç me kalamaj, unë do të martohem!”. E kishte të thjeshtë ta bënte, se ne nuk i bëmë letrat që nga divorci i parë. Ai vajti mori vajzën e huaj në gjimnaz, në shkollë në Burrel dhe kjo ishte arsyeja përfundimtare që ne u shkatërruam.

Çfarë ndodhi?

Ky më thotë mua: “N’daç të vijë mirë, n’daç keq, unë i kam dhën fjalën vajzës e do ta marr për grua! Unë e kam vendosë”, më tha, “do shkoj ta marr dhe do ta bie këtu”… “Si mund ta biesh ti, në shtëpinë që kam sakrifikuar jetën për ta ndërtuar?”, i thashë, “si mund të më hedhësh në rrugë të madhe, si leckë, sot në këtë moshë?”, (49 vjeç isha në atë kohë), “dhe të ma shpërblesh në këtë mënyrë?

Vetëm në shtëpinë që kam bërë me këto duar nuk do të ndodhë kjo”. Më ka provokuar jashtë mase. Unë isha kaq këmbëngulëse, që në banesën time, që më ka bërë shoqata, e kam bërë vetë duke vdekur së gjalli me gjithë fëmijët, tu më dal shpirti me bukë thatë, me bukë misri, vetëm aty jo. Ai hidhej në hava: “Këto janë trojet e mia, ti merre shtëpinë, çoje nga të duash!”, më thoshte… Se faktikisht shtëpia u ndërtua mbi trojet e tij.

Megjithatë, ai e pruri vajzën një natë aty. Kam marrë policinë në 7 të mëngjesit, jam ngrit, dy fëmijët i kisha në gjumë, djalin e vogël e vajzën e vogël, u thashë: “Jam Lule Doçi nga Karica”. Kërkova shefin e zonës, nuk ishte aty dhe fola me dikë tjetër. “Burri im”, u thashë, “Vladimir Doçi” – ata ishin në dijeni prej vitesh që ne kishim konflikte bashkë – “ka marrë një vajzë”. Policia më tha se ishin prej 24 orësh në kërkim të saj. Ata më pyetën për arsyen dhe u thashë se kishte ndër mend ta merrte për grua.

U kam thënë edhe një fjalë tjetër: “Merruni me ta”, u thashë, “të mos ma bjerë vajzën e huaj në shtëpi, se do t’i vras që të dy!”… Kështu i kam thënë policisë në telefon. Se kush ka qenë, se me kë kam fol, kam për të vdekur pa e dit, vetëm se i thashë: “Merruni me ta, se nuk ia kam borxh burrit tim këtë!”… Më premtuan se do të merreshin ata… Kam vajtur më pas te kunati im, i kam thënë: “Vëllai jot e burri im është martuar mbrëmë!”. Kunati ishte me gjithë grua aty, në oborr të shtëpisë, më pa njëherë kështu, sikur të isha e çmendur.

I thashë: “Mos të të vijë çudi, po unë kam halle të tjera, nuk mund të çoj kalamajtë me dele, se kam frikë për jetën e tyre. Mos na sulmojnë familjarët e vajzës që ka rrëmbyer e më marrin fëmijët peng, më ka lënë në kiametin më të madh, 950 mijë lekë m’i ka lënë borxh te dyqanet rreth Karicës, më ka lënë 30 delet e burrit të huaj, më ka lënë në ditën ma të zezë, është duke më ikur truri fare”.

A erdhi ai prapë me vajzën?

Ka ardhur nja dy herë pas kësaj ngjarjeje, herën e tretë e kam vrarë.

Ti bëre gjithë këto lajmërime, çfarë ndodhi më pas? Çfarë bëri policia? Po të afërmit?

Asgjë nuk bënë. Ai ka ardhur pas disa ditësh, vetëm, pa vajzën. Bisedoi me fëmijët, hëngri bukë. Unë isha me dele dhe u tha atyre të më thërrisnin. Kur erdha, më kërkoi të më merrte lopën. Ose lopën, që ishte gati me pjellë, ose viçin. I thashë: “Ti nuk e meriton me dalë para syve të mi, unë tani lajmëroj policinë!” – prej policisë nuk ia mbante, me ia përmend vdekë në tokë binte. E pashë që ai ishte shkarkuar krejt. Nuk kishte lidhje më me mua e as me kalamajtë e mi, përderisa bëri këtë. Këmbënguli të merrte lopën, por unë me atë qumësht ushqeja fëmijët. Pranova t’i jap viçin.

Nuk e mori atë ditë, do e merrte me vonë. Erdhi ditën tjetër dhe kërkoi dhomën. Ne ato dy dhoma kishim, u kishte thënë kalamajve, duke i provokuar… se ky provokimi më ka mbyllur sytë e ballit që nuk kam parë më… u kishte thënë: “Unë dua dhomën, se do të vij me gruan këtu, nuk kam për të ndenjur rrugëve!”. Kur kthehem në shtëpi, më thotë Dallëndyshja e vogël, që është në Greqi tani: “O mami, më ka thënë babi se do vijë me gruan këtu!”. Çfarë e provokoi ngjarjen? Çfarë ndodhi natën e vrasjes? Përfundimisht ka ardhur natën e 8 nëntorit. Kam pasur në shtëpi dhëndrin me gocën e madhe, ka qenë nata e dytë e Bajramit, ka ardhur atë natë, e ka pru ai fati i keq.

Më trego çfarë ndodhi më 8 nëntor 2011, pasi erdhi në shtëpi…

Ai erdhi me dy orë ditë, unë isha me dele, e gjeta në shtëpi.

Çfarë të tha, kur të pa?

Me mua nuk foli në fakt, hëngrëm darkë… Vajza e madhe i tha: “O babi na ke pre në besë të gjithëve, na ke turpëruar të gjithëve, ti i ke marrë parasysh vetë, po bën mirë mamit mos i bish më në qafë!” (Qan). Këto kanë qenë fjalët e gocës së madhe, Rajmondës: “Boll”, i tha, “me dhunë e me tortura!”; “Ju bëni çfarë të doni!”, iu drejtua i ati, “Lulja”, tha, “i ka djemtë burra, të dalë, të shkojë nga të dojë, unë gruan e re do ta bie në shtëpi!”;

“Po ku do ta sjellësh gruan?”, i tha e bija. “Njëra dhomë është e vëllait, që vjen me nusen nga Greqia, dhoma tjetër jemi ne”… me dy krevate druri për ibret të Zotit dhe një sobë druri, që gatuajmë bukë, pa asnjë lloj kushti. Nuk kemi as një copë banje, se nuk ma bënë, thanë s’kemi mundësi… “Këtu, do ta bije gruan”, tha ai me këmbëngulje, “të hidhet në hava Lulja, të hidheni në hava edhe ju, vetëm këtu”, tha, “do ta bije, trojet janë të miat, nuk pysë Lulen për trojet e mia, këtu është vendi ku m’ka le baba!”. Jam betuar që do të të them të vërtetën. Jam treguar e pabesë, jam treguar e pabesë, sa të jem gjallë, e kam peng në zemër (qan), sot, jo të binte një grua, po vetëm të ishte gjallë, kaq fort ngushtë më ka ardhur, se e kam qa guvën me lot për ta, se s’kam dashur kurrë t’i bëj keq.

I kishte thënë gocës së vogël një ditë: “Unë dhe pse po marr grua tjetër, nuk heq dorë prej Lules. Gjallë nuk e lë Lulen”, kishte thënë, “nuk heq dorë prej Lules”. Por Lulen ai e injoroi, e bani ashtu si e bani, vetë Karica e ka pa për 33 vjet me radhë. Atëherë, pas darke, e kam prit deri kur e ka zënë gjumi dhe kam vajtë e i kam ra me sëpatë, vetëm një herë e kam godit, kaq fort sa ishte t’u më plas zemra, kaq fort dhimbje që m’ka shkaktu. I thoshte gruas vet në telefon: “Po vi me të marrë nesër, mos u mërzit!”… E ka zënë gjumi t’u fol me gruan e tij 17-­vjeçare, sa vajza e tij. Unë ngula këmbë si mushka, që këtu nuk ta lë dhe, atëherë i rashë.

Vetëm ishte ai në dhomë?

Po, vetëm… kam dalë, kam marrë sëpatën dhe e kam qëlluar vetëm
një herë, domethënë në këtë vend (tregon me dorë pranë nofullës), vetëm një goditje.

Ai ndjeu, bërtiti?

Jo, fare. Më pas kam vajtur e kam zgjuar kalamajtë; “çohuni!”, u thashë, “se unë e kam bërë këtë punë”. Kam dalë shpejt, kam lajmëruar lagjen, një Naim Doçi dhe mbesa të miat, një djalë të komshiut që punon te burgu i Burrelit. S’e ka dit rob i gjallë se çfarë do bëhet, se kam ditur as vetë, mbase në një moment të zi sundoi djalli, u mblodhën krejt hallet e mia, hallet e gjithë viteve shpërthyen në një moment, nuk e di, veç ka qenë një punë e papërgatitme.

A e di si thosha: hej zot, ishalla më rri larg e nuk e shoh, që edhe mu të më dalë prej zemre edhe unë të filloj ta harroj, po jo se do ta vras, kurrën e kurrës nuk e kam ditë. Atëherë lajmëroi policinë, ai, djali i lagjes, policia ishte në dijeni të strumbullarit tonë.

Nuk kam bërë tjetër, vura të dy duart qishtu mbi gjoks dhe kam dalë… më ka dhënë vajza e vogël një xhaketë, filluan kalamajtë tu brrit dhe vajtën te shtëpia e kushëririt. Kam dalë 200 metra larg shtëpisë, e freskët, krejt e freskët, mbase ai afshi i madh që ma kishte pru në majë të hundës dhe mu duk si çlirim, nuk e di se si ta shpjegoj, kam dalë, ka ardhur furgoni i policisë dhe më kanë çuar në komisariat, një furgon tjetër me policë ka mbetur aty, se çfarë ka ndodhur mbrapa, nuk e di.

Nuk kam ditur me mbrojt veten, po prapë jam shumë e bindur për drejtësinë që kam marrë. Avokat nuk kam pasur, ky vëllai që më donte fort ma ka gjet një avokat… nuk pat kush lekë me i dhanë edhe iku… Veç më ka marrë në pyetje njëherë në paraburgim dhe nuk e kam parë më.
RR

loading...

loading...