Rrëfimi trishtues i Dukës: Në dhomat e zhveshjes nuk festonte askush ndërsa Mavraj qante

Cana-640x358
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka zbuluar disa detaje interesante mbi lajmin e pavërtetë të ndarjes nga jeta të babait të lojtarit të kombëtares Mërgim Mavraj.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, Duka tregoi se si edhe ai u bë pjesë e përhapjes së këtij lajmi. “Gjatë ndeshjes më kërkuan një moment në dhomat e zhveshjes.
Zbrita dhe më thanë disa nga lojtarët se ka ndërruar jetë babai i Mërgim Mavrajt. U trishtova shumë dhe në dalje më del përpara Shakohoxha. Më thotë çfarë është ky lajm? I them: “Po është e vërtetë”.
Në fund të ndeshjes zbrita poshtë dhe pashë që në dhomat e zhveshjes nuk festonte asnjë nga lojtarët. Mërgim Mavraj po qante. Iu afrova dhe e përqafova. Ai më tha se lajmi nuk është i vërtetë pasi sapo kishte folur me familjen. Ishte një tronditje e rëndë”. Duka ka nënvizuar se lajmi doli nga disa shqiptarë që jetojnë në Gjermani të cilët e përhapën atë.