Rrefimi Ibrahim Kelmendit: Si i sigurova fotot e masakrës se Prekazit

loading...


Ishte ditë e premte, data e 13 marsit 1998. Rreth orës dhjetë kisha zënë vend në terasën e Kafesë “Çaplin”, pas Muzeut Kombëtar në Tiranë. Rëndom aty takoheshim çdo mëngjes për të shkëmbye informacion për ngjarjet në Kosovë.

Rastësisht me ra në sy një djalosh, i hollë, i gjatë, me flokë të gjata e të lidhura mbrapa. Nuk di përse ma tërhoqi vëmendjen. Ai po qëndronte në trotuar, por nuk po zinte vend. Kurreshtja më shtyri ta thirr që të pinte kafe me mua. Ai refuzoi. Unë sërish e luta. Ai u arsyetua se po priste taksi për të ikur në aeroport. Shkova, e zura për krahu, duke i thënë se taksistët aty pinin kafe dhe do ti gjeja ndonjërin që njihja.

Zura ta pyesja pse ishte aq i shqetësuar. Ai po mbrohej. Dhe duke gërmuar për identitet të tij, ai u hap: “Kam ardhur që dy ditë nga Kosova dhe nuk po gjej njeri të UÇK-së. Kam filmin (celuloidin) e fotografimit të Jasharëve të masakruar, por nuk po di nuk t’ia jap…”

Nuk mu besua, sidomos për shkak se ia paragjykova paraqitjen.

Ishte Bekim Shyti, i Fshatit Oshlan të Vushtrrisë, i arratisur në Suedi në moshë 15-vjeçare, dhe prej andej i shpërngulur në Gjenevë. E luta të ma besonte mua filmin. Nuk ma dha. Bëri të largohej, me arsyetim se do ti ikte aeroplani për në Zvicër. Ia kërkova të shihja biletën. E futa në xhep, me arsyetim se nuk do të fluturonte sot, nëse vërtet kishte film me fotografi të masakrës. E sigurova se do t’ia kompensoja biletën.

Shkuam të fotografisti në afërsi. Luta ta zhvillonte negativin menjëherë, me kundërpagesë ekstra. Na tha, pas një ore do të mund ti merrnim fotografitë. Bekimi nuk pranoi të largohet. Qëndruam aty. Dhe sapo dolën fotografitë e para ustait filluan ti rrjedhin lotët…

Bekimit i thash se po ia aranzhoja një intervistë në televizion që të behej prezantimi i fotografive. Ai nuk pranonte, me arsyetim se nuk kishte dal ndonjëherë, nuk do të dinte të fliste dhe zuri të bëjë me shenjë drejtë flokëve të tij, me sqarim se nuk do të kishte kuptim me atë paraqitje ti prezantonte ato fotografi llahtaritëse. I thash, se pikërisht ai, me atë paraqitje, imigrant në Gjenevë, do të ishte frymëzim ekstra për rininë, që të motivohej për të luftuar…

Kontaktuam Asllan Bajramin dhe Besa Çekun, redaktorë e spikerë të RTK-së, që emetonte një emision lajmesh përmes Televizionit Shqiptar (RTSH). Ata intervistuan Bekimin, që ta emetonin si lajm ekskluziv, në mbrëmje.

Bekimi rrëfeu, se si ia kishte dal ti bënte ato foto, të parat dhe të vetmet:

“Të dielën, më 8 mars 1998, po shoqëroja një ekip gazetarësh të huaj që donin të depërtonin në Prekaz. Na ndali policia serbe. Na keqtrajtoj. Ua thyen kamerën profesionale. Ndërsa mua, aparatin e vockël amatoresk, që e kisha nën rrip, prapa në shpinë, nuk ma hetuan. Mi dhanë ca flakareshë, duke me sha, siç shanin rëndom ata. U detyruam të kthehemi. Por unë u kërkova falje gazetarëve të huaj që po shkëputesha nga ata, për tu përpjekur të futesha në Prekaz përmes fushave, duke u fsheh pas mexhave. Dhe arrita aty. U tmerrova kur pash gjithë ato kufoma, që tashmë i kishin rreshtuar fqinjët, nën udhëheqjen e profesorit Zekrija Cana. Menjëherë nxora aparatin dhe fillova të shkrep. Profesori me bërtiti, duke me thënë se ishte i ndaluar fotografimi, përndryshe policia nuk do të lejonte ti varrosnim. Unë e kundërshtova. Shkrepa një mori fotosh. Mora kazmën për të hapur varreza. Bënte acar i madh. Edhe toka ishte ngri dhe kazma përplasej si në shkëmb. I varrosëm 56 kufoma. Policia i nxori nga varret dhe u detyruam ti rivarronosnim edhe me 9 mars…” [perifrazim i lirë]

Lajmet që emetonte RTK-ja në ora 18.30 nuk shiheshin shumë në Shqipërinë londineze, por më shumë shiheshin në emgracion, meqë ishte transmetim satelitor. Luta Afërdita Sokolin, redaktore e lajmeve kryesore të TVSH-së, që të emetonte intervistën me Bekimin dhe ti prezantonte fotografitë në “lajmet qendrore” të orës 20.00. E miratoj lutjen.

Atë natë me bëhej sikur gjithë Shqiptaria u shkreh në vaj. Gjithandej sy të skuqur nga lotimi…

Të nesërmen u gdhi një Tiranë tjetër. Njerëzit ishin tepër të pikëlluar. Ata që na njihnin na ngushëllonin dhe pyesnin çfarë duhej të bënin për Kosovën…

Bekimi nuk u kthye më në Zvicër. Ai këmbënguli ti bashkangjitej UÇK-së. Kërkonte të stervitej ushtarakisht, edhe pse ishte sportist i avancuar – karatist me gradim “rrip të kafet”. Të nesërmen, bashkë me Ilir Konushevcin e dërguam në Bregdet, afër Fshatit Qerret. Aty Iliri me bashkëveprimtarë kishin organizuar një kamp stërvitor për komandos. Ushtrimet i drejtonte “komandan daja”, respektivisht Kadri Kastrati (ish-komandanti i FSK-së). Ai ishte ushtarak i njohur i ish-ushtrisë jugo-sllave për stërvitje të komandosëve. Bile thuhej se kishte stërvitur edhe komandosët e Gadafit.

Me Kadriun u morëm vesh që Bekimin të mos e kushtëzonte me qethje flokësh, si të tjerë komandosë. Por, të nesërmen, kur shkuam për vizitë, pamë Bekimin e gazmuar, me flok të rruar zero. Kadriu u arsyetua: “Ma vuri kusht ta rruanim, ose do të largohej, meqë nuk donte të privilegjohej.” Dhe ai Bekim u bë një nga komandosët më të famshëm të UÇK-së. U plagos disa herë gjatë Lufte, por nuk dezertoi dhe nuk iku asnjëherë nga radhët e UÇK-së famëmadhe të Vegjëlisë çlirimtare të Kosovës…

Fotot e Bekim Shytit ishin të parat dhe të vetmet, që kishin fiksuar përmasat llahtaritëse të masakrës ndaj Jasharëve, para dhe gjatë varrimit (pavarësisht se pati një tjetër që mashtronte ti kishin bërë ai ato fotografi).
ra

loading...

loading...