Rrëfimi i pejanit të cilit forcat serbe ia vranë familjen kur ishte 4 vjeç


Ishin vetëm 4 ditë para se të çlirohej Peja. Ishte nata e kobshme e 12 qershorit 1999, kur të gjithë anëtarët e familjes u vranë nga forcat serbe, ngjarje të cilën tanimë 21 vjeçari nga Peja Nuk do ta harrojë gjatë gjithë jetës, ndonëse atëherë ishte vetëm 4 vjeçar.
Tanimë studenti i Gjuhës Angleze, Ron Bala, tregimin e dhimbshëm të jetës së tij për herë të parë e ka ndarë për lexuesit e Telegrafit.

Ndonëse prej natyrës është tip i qetë dhe paksa i ndrojtur, Roni, që sot është bërë burrë, me dhimbje tregon momentet tragjike të jetës së tij, për të cilat thotë se nuk do t’i harrojë kurrë.

Edhe pse të gjitha familjet shqiptarë të Pejës, tashmë kishin filluar të largoheshin nga qyteti, për shkak se jeta e gjithsecilit shqiptar ishte “në teh të shpatës”, çuditërisht, Musa Bala, banor i lagjes “Kapeshnica”, para se ta lëshonte qytetin, vendosi që së bashku me familjen e tij të vendosej në shtëpinë e vëllait të tij, Isa Bala, shtëpia e të cilit ndodhej në afërsi të stadiumit të qytetit.

Atë ditë në shtëpinë e të vëllaut të Musasë (babait të Ronit), ishin gjithsej 12 persona. Familja e Musasë, bashkëshortja Vjollca, vajzat Rina dhe Nita, si dhe familja e vëllaut të tij, Isasë, 6 anëtarëshe, dhe nëna e vëllezërve Bala, e cila ishte e paralizuar.

Roni, i cili mbeti argument për ta rrëfyer këtë ngjarje që ngjason më tepër në një skenar filmi se sa në një ngjarje reale, thotë se mosha e vogël nuk e ka lejuar që të kap më tepër detaje nga ngjarja, por pamje këto të mjaftueshme për të mbetur të ngulitura në jetën e tij.

Natën e 12 qershorit të vitit 1999, studenti i anglishtes, asokohe 4 vjeçar, kujton mban mend se në shtëpi kanë hyrë shumë pjesëtarë të forcave serbe.

Duke mos kuptuar shumë se çfarë po ndodh, por vazhdimisht duke qenë i frikësuar, instiktivisht tregon se fshihej pas këmbëve të nënës së tij, Vjollcës.
Roni tregon se nuk i kujtohet momenti kur kanë ra breshëritë e plumbave mbi anëtarët e familjes, por se thotë se i kujtohet shumë mirë, që kur është zgjuar në një moment ka ecur mbi trupat e familjarëve të tij të vdekur, dhe se toka ishte e mbushur plotë më gjak.

“Në atë moment e di se kam shkuar në dhomën tjetër të shtëpisë, ku qëndronte gjyshja ime, tashmë e ndjerë, e cila ishte me paralizë, që çuditërisht kishte shpëtuar. Më pas kam vrapuar të shtëpia e fqinjëve, e që t’iu them të drejtën nuk e di si me ka ardhur të shkojë pikërisht tek ajo shtëpi”, ka shtuar më tej Roni.

Ai, edhe pse shihet se ka edhe më tej një dhimbje shpirtërore, shumë burrërisht vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar se nga gjithsej 12 personat që ishin në shtëpi, 7 ishin vrarë, derisa 5 kishin shpëtuar, derisa një nga të shpëtuarit ishte plagosur.
“Nuk e di as si ta shpjegoj, por është fatmirësi se si në mesin e kësaj fatkeqësie, axha im së bashku më të birin dhe gruan e tij kishin arritur të largohen nga shtëpia në momentet kur forcat serbe kanë gjuajtur më armë në drejtim të pjesëtarëve tjerë të familjes”, ka rrëfyer ai.

Djaloshi pejan tregon se më 12 qershor të vitit 1999, e humbi babin e tij, Musanë, atëherë 31 vjeçar, nënën Vjollcën 28 vjeçare, motrat: Rina 7 vjeçare dhe Nita 5 vjeçare.

“Familja ime e ngushtë u shua brenda një nate. Unë në këtë natë të dhimbshme kamë humbur edhe djemtë e axhës: Agonin, Hajriun dhe vajzën e axhës, Dardanen. Gruaja e axhës, edhe pse ka shpëtuar, është plagosur goxha rëndë”, ka treguar Roni

Ai rrëfen gjithashtu se gjyshja nuk kishte lëvizur nga dhoma, por për fatin e saj, ndoshta edhe për shkak të moshës, nuk ishte shënjestër e serbëve.

Roni tregon se nuk e di nëse dikush prej vrasësve është dënuar për krimin e bërë ndaj familjes së tij.

“Me sa e di unë, prej informative që i kam, njëri prej atyre që më vrau familjen time, ka vdekur nga një sëmundje në një vend diku të perëndimit. Tjera info nuk kam”, ka shtuar ai.

Roni, tregon se pas kësaj ngjarje me axhën e tij dhe anëtarët e mbetur të familjes, kishin shkuar në shtëpinë e tyre në “Kapeshnicë”, duke shtuar se, brenda disa orësh, nga Ulqini kishin ardhur për ta marrë Ronin, daja i tij, burri i tezes dhe dy miq të tyre.

“Ata kanë ardh më kanë marrë mua dhe jemi kthyer përsëri në Ulqin, ku ishin shumë familjarë të mi, veçanërisht dajët dhe gjyshja ime. Kam qëndruar me sa mbaj mend, disa javë në Ulqin, më pastaj jemi kthyer në Pejë”, ka sqaruar djaloshi pejan.

21 vjeçari tregon se kur është kthyer në Pejë, shtëpia e tij ku kishte jetuar ai me familjen e tij ishte e djegur.

Me tu kthyer në Pejë, lufta kishte përfunduar, sfidat vetëm sa po fillonin, sepse Roni ishte aso kohe një fëmijë 4 vjeçar.

“E kërkoja babanë, nënën. Më thoshin se kanë shkuar diku, dhe se do të kthehen shpejt. Këto fjalë përsëriteshin shumë shpesh. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Kanë qenë dajët, tezja dhe gjyshja ime (nëna e nënës time), që më kanë qëndruar çdo herë afër. Kujdesi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm. Më tepër janë kujdesur për mua në shumë raste, se sa për fëmijët e tyre. Nuk jam privuar nga daljet, ushqimet, argëtimet, rrobat në asnjë rast. Kam qenë i privilegjuari i shtëpisë”, rrëfen për Telegrafin Roni.

Ai tregon se si gjyshja e tij, e cila përpos dhimbjes së madhe, i ka qëndruar afër dhe ende kujdeset për të, duke shtuar se “nëse ndonjëherë vonohet pak, ajo shqetësohet dhe e telefonon”.

“Atë e kam nënën e dytë. I jam falënderues për tërë jetën”. “E lus Zotin që ta begatojë më shëndet dhe t’i jap pleqëri të shëndetshme. Ajo mbetet për mua e shumë e veçantë. Është gjyshja më e mirë në botë”.

Roni, tanimë është absolvent dhe në të ardhmen shpreson që të jetë profesor i anglishtes.

Thotë se, tash pasi që e ka bërë një moshë, nuk i frikësohet jetës dhe se është i gatshëm të ballafaqohet me sfida.

“Çdo gjë që ndodhë, ndodh vetëm se me vendimin e Zotit. Nga ajo nuk kemi nga të ikim. Kështu që pajtohemi më caktimin e Krijuesit. Unë shumë herët u ndava me prindërit dhe motrat e mija, por shpresoj se ata do t’i takojë në botën tjetër. E kujtoj premtimin e Zotit, që thotë se shpëtimi dhe shpërblimi është për ata që duruan”.
Ndërsa, kur flet për ata që ishin shkak që ky të mbetet pa më të dashurit e tij, thotë se nuk dëshiron hakmarrje personale, por beson se do të ishte mirë që drejtësia të vihet në vend.

“Duhet të gjykohen krimet e bëra. Nuk e largon dhembjen, por së paku tregon që njerëzit e gjykojnë krimin dhe kriminelët. Ata na vranë vetëm sepse nuk ishim si ata. Asnjë faj nuk kishte familje ime. Unë po e them prapë, nuk kam nevojë për hakmarrje, se bindjet e mija tashme nuk janë të ndërtuara mbi hakmarrje, por mbi mëshirë. Drejtësia e vërtetë, i takon Zotit, dhe atij ia kemi lënë në dorë ta vendos drejtësinë”, ka theksuar ai.

Derisa flet për kujdesin e institucioneve shtetërore ndaj këtyre kategorive thotë se nuk është i kënaqur, “sepse besoj se duhet të trajtohen me më kujdes këto kategori, sepse ende i kanë plagët e hapura”.

“Unënë do të angazhohem që të jem qytetar i ndershëm dhe korrekt i këtij vendi. Nëse jo t’i ndihmoj së paku mos ta dëmtojë atë. Ta jap së paku një kontribut në ndërtimin normal të shtetit. Nuk do ta harroj kurrë tragjedinë e familjes time, por jam i gatshëm të fal. Tregimin tim do ta mësojnë edhe fëmijët dhe nipërit e mi. Zoti i mëshiroftë familjarët e mi. Zoti i mëshiroftë të gjithë martirët dhe dëshmorët e këtij vendi”, përfundon rrëfimin e tij Roni. /Blendi Devolli/Telegrafi/
ggg-e1460990415397-780x439_1460993790-8948821