Rrëfimi i kosovarit: U ftova në dasmën e të dashurës sime, ja çfarë i bëra dhëndrit

loading...

01-mens-jeans-r_1477202048-8171459

loading...

Të thuash se ende nuk mund të besoj me atë çka ka ndodhur mes meje dhe Blerimit, njërit prej shokëve më të afërt, vërtet është tronditëse. Thënë të drejtën, mua as që më ka shkuar në mend se njeriut gjatë jetës së tij i rastisin ndodhi, të cilat përjetohen aq rëndë, sepse i godasin si çekan në kokë. Jam shokuar kur kam marrë vesh se isha i ftuar në dasmën e shokut tim, i cili martohej me një vajzë të bukur me emrin Luljeta, me të cilën unë kisha qenë në lidhje plot tre vjet. Nuk doja t’u besoja syve të mi, por realiteti tashmë nuk ndryshohej: nusja me duvak të nusërisë, që kishte qenë dikur e dashura ime, ecte krah për krah me dhëndrin buzagaz, pikërisht me shokun tim më të mirë studentor, Blerimin.
Banonim në një banesë njëdhomëshe në lagjen «Kodra e Diellit» në Prishtinë bashkë me Blerimin, sepse që të dy studionin Ekonomikun. Ai ishte nga Gjilani, ndërkaq unë nga Podujeva, por ishim njohur më herët dhe vendosëm që të gjenim një banesë të përbashkët, meqë edhe ashtu takoheshim shpesh dhe ishim të pandashëm. Jeta jonë studentore kryesisht shkonte sipas një orari të përpiluar nga ne të dy: zgjoheshim aty rreth orës nëntë, pinim kafetë e mëngjesit, kapnim librat dhe lexonim deri në orën dymbëdhjetë, pastaj shkonim për të ngrënë bukë në një gjellëtore studentësh, dilnim pak andej kah «Santeja» dhe pastaj gjithë pasditen përgatiteshim për oraret e provimeve.

Në mbrëmje ishim të rregullt aty ku bëhej tollovia rinore dhe natyrisht ia dolëm që brenda një kohe të shkurtër të krijonim një rreth tepër të madh shoqëror me femra. E kishim një të metë: nuk na rrihej me meshkuj dhe as që njihnim dikë prej tyre. Shumë shpejt njohëm vajza-shoqe nga rrethe të ndryshme të Kosovës, sidomos ato që takonim në ligjërata, por edhe në oborre fakultetesh të tjera. Ishim mjaft komunikativ me femra dhe dinim sesi duhej lënë përshtypjet e para femrave, kështu që pas disa ditësh në derën e banesës sonë zunë të trokitnin disa nga ato vajza, kuptohet në mënyrë shoqërore, sepse edhe ne shkonim tek ato, por më rrallë. E rëndësishme në këtë mes ishte se ne asnjëherë nuk e xhelozonim njëri-tjetrin, ndoshta as atëherë kur njëra nga shumë «shoqet» tona binte në dashuri me ndonjërin prej nesh. Na kishin zili femrat sesi e respektonim shoku-shokun, ndonëse disa syresh tentonin herë-herë qëllimisht të na përçanin, por pa sukses, sepse ne e respektonim njëri-tjetrin në çdo kohë. Lehtësia më e madhe për ne qëndronte në faktin se ne ia dinim «hujet» njëri-tjetrin, kështu që dinim të qëllonim aty ku dhemb në momentin e duhur.

Për fatin tonë më të mirë dhe për çudinë e shumëkujt, në provime ishim të parët e të mirëve, sepse kur na mësohej na mësohej dhe kur donim dashuri, u binim numrave të telefonit, ose gjëja më e mirë ishte kur papritur zilja e derës sonë cingëronte.

Cimeri dhe shoku im më i ngushtë, Blerimi, kishte një dobësi, të cilën unë e këshilloja ta përmirësonte: kur binte në dashuri të re, bëhej si i trullosur. Nuk i hahej, nuk i pihej, nuk i flihej dhe nuk i lexohej. Shpesh kur flisnim për martesë më thoshte: »Kur e dua dikë, edhe prostitutë po të jetë unë do ta marrë për grua». Këtu e kundërshtoja, edhe pse nganjëherë më dukej se ai po tallej me mua, sepse e njihja se herë pas here ndryshe fliste e ndryshe mendonte. Ai kishte femra më shumë se unë, sepse dukej më tërheqës se unë, por jo vetëm kjo ishte karakteristikë pozitive e tij. Xhepat i kishte më të mbushur se unë, një «Golf 3» dy vëllezërit e tij të punësuar në Zvicër ia kishin dërguar për shkak të suksesit të treguar në provime dhe natyrisht ishte më i pasur dhe më i veshur se unë. Femrat që i ulte në tavolinë për herë të parë për t’u njohur, i bënte për vete menjëherë, ndërkaq brenda javësh arrinte t’i mbyllte në banesë. Ishim marrë vesh se, meqë banesa jonë kishte një dhomë të vetme me kuzhinë dhe banjën, atij që i vinte femra, tjetri duhej të dilte jashtë edhe po të binte shi i rrëmbyeshëm, përveç ndonjë rasti specifik.

Mirëpo, një ditë kur pothuajse na erdhën në të njëjtën kohë të dashurat tona, u zumë keq. Ai dëshironte të dilte me të dashurën e vet jashtë për t’ma mundësuar mua të rrija brenda, por unë nuk isha dakord me të. E luta që ai të rrinte, sepse Shpresa,e dashura e tij, kishte ardhur e para, por ai nuk dëshironte në asnjë mënyrë, atëherë meqë ai kish dëshirë që unë të vendosja në këso rastesh, propozova që të blinim diçka dhe të rrinim aty ose të shkonim në Prizren në shëtitje. Ashtu edhe bëmë: hypëm në veturën e Blerimit unë dhe Teuta prapa, kurse ata të dy përpara. Ishte e para herë që na kishte ndodhur të dashurat tona të na vinin pa paralajmërim, ndonëse ato kurrë më parë nuk e kishin njohur njëra-tjetrën, na vinte mirë që ato u miqësuan.

Mirëpo, diçka tjetër kishte midis nesh që na ngacmonte: nuk mund të ishim gjatë me të dashurat tona, kështu bëmë njëlloj marrëveshje që kur të kishte në plan njëri prej nesh ndarjen me të dashurën, t’i tregonte tjetrit, në mënyrë që njëkohësisht të ndaheshim prej tyre dhe po në të njëjtën kohë të gjenim femra të tjera, për të cilat nuk e kishim asnjëherë të vështirë. Thjesht, ishim të disponuar për të dashuruar edhe atëherë kur ndiheshim të ngopur ose të mllefosur nga dashuria dhe femrat. E përsëris edhe një herë: shoku im Blerimi, ishte në gjendje që kur të ishte në disponim të plotë, të përvetësonte edhe atë femrën më «hijerëndë», për të cilën mund të «kalleshin» shumë meshkuj. Ishte i pashëm dhe përveç kësaj kishte disa veti instinktive, me të cilat i «përralloste» femrat më të bukura. Çdo femër që ai ka pasur ishte më bukuroshe se tjetra, por krahas tij, normalisht, më binin në dorë edhe mua vajza të bukura. Në shumicën e rasteve, femrat që unë i kam pasur, i kisha njohur përmes tij konkretisht, ose nëpërmjet një të dashure të tij dhe kjo mua më fasciononte.

Femrat që i linte im shok i merrja unë…

Unë gëzohesha më së shumti kur im shok e linte një femër «të vjetër» dhe e zinte një «të re», ngaqë atëherë e dija se edhe për mua «dilte» diçka. E dashura e tij ngandonjëherë dilte me një grup shoqesh dhe ne nga një distancë i shikonim secilën prej tyre.

«Vetëm tregomë cila po të pëlqen ty dhe ti flejë zbathur!», më thoshte.

Kisha raste kur nuk i zija besë, por në ditën tjetër më bënte të ditur se duhej të vishesha mirë dhe të isha në formë të mirë nëse dëshiroja femrën që e kisha pikasur. Gjithmonë më mësonte se në fillim duhet patjetër gënjyer femrën, për shembull, duke mos ia precizuar adresën e saktë të vendlindjes, duhej premtuar për lidhje serioze dhe, po ashtu, duhej të zmadhoheshin gjërat që kanë të bëjnë me ty derisa vajza të bie në grackë.

«Kurrë mos u turpëro përpara femrave», më përsërite ai nëse doja që vërtet të isha një Kazanovë.

E dija se ai kishte përvojë të madhe me femra, meqë kishte pasur një numër të konsiderueshëm syresh, por habitesha sesi me asnjërën prej tyre nuk i kishte dalë edhe një problem i vogël, siç ndodhte me mua. Sa më përket mua, disa herë kisha dyshuar se disa vajza kishin mbetur shtatzënë me mua ose se do të më hakmerreshin keq dhe unë, natyrisht, dikujt ia kisha vërtet frikën, meqë baballarët e vëllezërit e tyre ishin emra të njohur…

Blerimi shkoi, kurse unë vazhdova me femra të tjera…

Erdhi një kohë kur unë po ngecja në provimet e fundit, ndërkaq Blerimi do të absolvonte në afat rekord. Tërë ngecja ime konsistonte në faktin se tashmë po ia kaloja Blerimit me «dashuriçka», të cilat shumë më pengonin në procesin e studimeve. Që kur ai u kthye në vendlindje pas diplomimit, unë qëndrova edhe gjashtë muaj në Prishtinë, pa u takuar asnjëherë me shokun tim, por duke njohur edhe tri a katër femra të tjera.

Pas nja dy vitesh, kur po hyja në shtëpi, më tregojnë se Blerimi më kishte thirrur në telefon për të parën herë dhe më kishte ftuar në dasmën e tij asaj të diele. M’u duk diçka e pabesueshme dhe në të njëjtën kohë gjithnjë e më shumë inatosesha në të që nuk më ishte lajmëruar asnjëherë dhe as që e kishte dertuar me mua ndonjë brengë të fatit të tij. Pavarësisht nga kjo, të dielën herët në mëngjes ia mora veturën babait dhe u nisa për në dasmën e tij, pa ditur saktësisht se me kë do të martohej shoku im i zemrës, me të cilin dikur ndanim bashkërisht të mirat dhe të këqijat e jetës. Ai më priti para derës së oborrit dhe sapo më përqafoi dhe i urova martesën, e thirrën për një punë të ngutshme dhe më nuk e pashë deri vonë. Rrija në një kënd të odës së madhe me burra, të rinj e fëmijë derisa po përtypja llokumet e para dhe pastaj çaj dhe drekën e këndshme. E pyeta një djalë të moshës sime që shërbente me një tabaka në duar se nga e kishte nusen shoku im më i ngushtë.

“Nusja e tij është nga Prishtina”.

«Po si e ka emrin nusja, a e dinë», u interesova unë prapë dhe djaloshi më tha duke mbledhur gotat e çajit: “Luljetë”.

Përsëri mendova se a kishte pasur aso kohe një të dashur me një emër të tillë, por sakaq e dija se vetëm njëra prej dashnoreve të mia kishte emrin Luljetë dhe ishte nga Prishtina.

Në dasmën e dashnores sime

Megjithatë, tmerri i asaj dite nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse ky tmerr mund të ketë edhe një kuptim tejet më të madh për mua, në radhë të parë për shokun tim të ngushtë. Nuk mund ta fshihja gjithë atë tronditje pa përmasë, që tashmë ishte bërë realitet: shoku im më i ngushtë martohej pikërisht me një femër të cilën unë kushedi sa herë e kisha pasur në shtrat! Nuk doja në asnjë mënyrë të besoja se dasma e shokut tim ishte e vërtetë, por një ëndërr. Mirëpo, nusen e veshur me të bardha, që ishte ish-e dashura ime, tashmë po e ndihmonte të zbriste nga vetura e zbukuruar me lule shumëngjyrëshe, dhëndri që ishte shoku im më i ngushtë. Nusja, vërtet, ishte e bukur, andaj të gjithëve u qeshte fytyra nga gëzimi, madje edhe shokut tim të ngushtë, por askujt prej atyre që ia thoshin këngës dhe të tjerëve që ishin mbledhur rreth e rrotull – nuk e dinin se aty, në mesin e tyre, ishte ish-dashnori i saj…

Kur po ndezja veturën time dhe po përshëndetesha me një vëlla të tij, e pash Blerimin tek vraponte në drejtim timin. Dola jashtë dhe e shtrëngova fort në përqafim: për të parën herë ia pash dy pika loti në sy. U emocionova aq shumë, sepse kujtova se ai do të ma thoshte vetë tmerrin tonë të përbashkët, ose atë tashmë do e lexonte në sytë e mi. E përgëzova edhe një herë derisa ai qante nga gëzimi dhe mua më erdhi gjynah prej tij. Nuk duhej t’ia shkatërroja lumturinë e jetës… dasmën e madhe, për të cilën kishte shpenzuar aq shumë para. Më falënderoi përzemërsisht që kisha qenë në dasmën e tij dhe u ndamë: nuk munda ta pyesja për nusen e tij, sepse u ndjeva tepër i ligsht. Ia rraha supet dhe i dëshirova jetë të lumtur me Luljetën./Syri.net/

Ah, Luljeta!

loading...