Rrëfimi i gruas së Renato Omerit: Para vrasjes ishte i tensionuar, po nuk fshihej. Më tha…

Disa ditë pas ekzekutimit mafioz të Renato Omerit në mes të qytetit të Vlorës, kanë reaguar për herë të parë familjarët e tij. Motra Entela Çaushaj dhe bashkëshortja e tij, kërkojnë nga shteti që të kapen autorët e vrasjes së djalit të saj Endri Çaushaj dhe vëllait Renato Emeri.

Sipas Entelës, autorët e këtyre dy ekzekutimeve mafioze janë të njëjtë. Familjarët e lidhin ekzekutimin e “Renit” me ngjarjen e një viti më parë në Durrës, ku mbeti i vrarë Endri Çaushaj (nip i viktimës) dhe Ervin Kodra me të cilin Omeri kishte miqësi.

Sipas tyre, Renato Omeri kishte zbuluar se kush i ekzekutoi nipin dhe shokun ndaj edhe ishte vënë në qendër të vëmendjes. RenatoOmeri ishte babai i tre fëmijëve të mitur. Ai u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, në një lokal nëLungomare, me 5 plumba pistolete. Motra dhe gruaja e “Renit” tregojnë për “Shekullin” se si ka ndodhur ngjarja.

Motra
“Djali im është vrarë më 20 dhjetor të vitit 2015 me Ervin Kodrën. Ai ka qenë aty rastë sisht, me shoqërinë e vëllait tim. Ka shkuar të blejë një paketë me Ervin Kodrën, dhe sa kanë hipur në makinëështë ekzekutuar Ervin Kodra dhe djali im është vrarë me 1 plumb në kokë. Që këtu nis historia jonë. Tani na ekzekutojnë dhe vëllanë në prag të derës.

Atë natë, Renato më erdhi në lokal dhe u ul të pinte një kafe. Aty ishte me një shokun e vet. Ky ngrihet nga vëllai im dhe shkon në krahun tjetër, nga restoranti. Pas 10 minutash dëgjoj krisma dhe dal jashtë. Kur nuk e pashë vëllanë thash ishalla ka ikur me shokët. Kur dal pak më tutje, çfarë të shikoja, vëllai duke dhënë shpirt duke i dalë gjaku lum”, është shprehur Entela Çaushaj. Nga ana tjetër, ajo tregon se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund t’i ishte bërë vëllait të saj. “Nuk e di për kërcënime.

I bëj thirrje Kryeministrit të vërë pak drejtësi nëse ka, qoftë për djalin tim që ishte 25 vjeç edhe për vëllanë që ka lënë tre fëmijë, më të madhin tre vjeç të sëmurë dhe gruan rrugëve.Dua të kërkoj drejtësi dhe nuk di ku ta kërkoj. Djali është vrarë me kallashnikov në mes të Durrësit. Të fshihen kamerat të pastrohet vendi nga policia dhe të iki vrasësi me kallashnikov në mes të Durrësit dhe në mes të Vlorës”, thotë ajo.

Bashkëshortja
Lionela Xhaferraj, me lot në sy tregon momentet e fundit të qëndrimit të saj me bashkëshortin. Ajo tregon se “reni” u vra disa minuta pasi ishte kthyer nga Tirana dhe nga takimi me fëmijët. “Atë natë sapo është kthyer nga Tirana, erdhi në shtëpi dhe ndenji pak me fëmijët. Luajti me ta dhe më pas e mori një shok në telefon për të pirë kafe. Më tha që ishte i lodhur por nuk ja prishte dot.

Pas pak kohësh, mua më marrin në telefon dhe më thonë që Renin e kishin vrarë. Jam një nënë me tre fëmijë të cilët më mbetën fëmijë. I bëj thirrje Kryeministrit të vendit që të gjejë vrasësit e burrit tim. Iu derdh gjaku në mes të Vlorës.

I bëj thirrje policisë dhe Prokurorisë mos të fshehin ngjarjet, mos të fshehin kamerat, sepse burri im kishte vendosur tetë kamera. Ndihej i kërcënuar lëvizte i armatosur. Duam që shteti të na gjej një zgjidhje se jeta jonë nuk është më e sigurt. E vetmja gjë që kanë mbetur është të më vrasin mua dhe fëmijët. Reni nuk i ka bërë keq askujt, por lëvizte i armatosur që kur iu vra nipi në Durrës.

Ai nuk ka vrarë njeri, nuk ishte kriminel. Rrinte me mua dhe fëmijët gjatë gjithë kohës. Burri im nuk është fshehur, ai mendonte se ndjehej i kërcënuar se i vranë nipin, por gjithmonë thoshte më mirë të rroj pesë ditë si luan sesa një jetë si mi i fshehur”, thotë bashkëshortja e Renato Omerit. Ndërkohë, ajo shprehet se atij ia ka ndjerë shpirti që do të vritej, pasi kohët e fundit ka ndenjur i tensionuar.

“Gjatë gjithë kohës ishte i tensionuar, ndoshta ja ka ndjerë shpirti, por kërcënime nuk kishte marrë se do më thoshte. Kishim bërë plane të iknim jashtë shtetit t’ia nisnim nga e para. U nis për në Belgjikë por e kthyen”, tregon ajo.