Rrëfim prekës: I moshuari që ndihet i braktisur nga tetë fëmijët e tij

loading...

Passport

loading...

Në hollin e Urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mesditën e djeshme ishin mbledhur mjekë dhe efektivë policie, të cilët përpiqeshin t’i jepnin zgjidhje një rasti jo si gjithë të tjerët.
Një i moshuar në gjendje jo të mirë shëndetësore kërkonte shërbim mjekësor, por ai nuk shoqërohej nga asnjë i afërm.

Recepsionistja, sipas procedurës së spitalit, kishte njoftuar menjëherë policinë. 83- vjeçari, Zenel Doka kishte udhëtuar i vetëm nga Ura Vajgurore, pranë Beratit për të mbërritur në QSUT.

Në mëngjes kishte ndjerë dhimbje në gjoks, në bark dhe kishte patur vështirësi në frymëmarrje. Prej vitesh ai vuan nga zemra dhe merr ilaçe rregullisht. Disa ditë më parë kishte shkuar edhe pranë spitalit të Beratit ku mjekët e kishin diagnostikuar me ftohmë. Një nga mjekët i kishte thënë që të bënte edhe një injeksion për shkarkimin e lëngjeve, mirëpo për arsye që i moshuari nuk i shpjegon dot ky injeksion nuk iu bë.

Nga dita në ditë dhimbjet e barkut iu shtuan dhe ai kërkonte që të shkonte sërish në spital.

Bashkëshortja dhe fëmijët nuk e kishin marrë seriozisht ankesën e tij dhe kishin refuzuar ta shoqëronin në spital. Kjo e detyroi të moshuarin që ta merrte vetë rrugën për në Tiranë. Drejtuesit të furgonit i kishte ardhur keq për të moshuarin dhe e kishte transportuar deri te dera e spitalit. Disa receta, një çadër dhe një bastun ishte gjithçka që kishte marrë me vete Zenel Doka.

Në brendësi të gjoksit, mbante të mbështjellë me një napë një shishe me ujë të ngrohtë, të cilën e përdorte për të mbrojtur trupin nga i ftohti. Ai tregon se, para shtatë muajsh ishte operuar nga prostata.

Kateterin Foley, që i kishin vendosur mjekët për të zbrazur urinën e tërhiqte zvarrë në tokë, të mbështjellë me një qese plasmani.

“Kam dhimbje po vuaj, jam i sëmurë me zemër”, thoshte vazhdimisht i moshuari në recepsion.

Gjatë kohës kur mjeket e recepsionit po kontrollonin recetat dhe fletët e analizave, që i moshuari kishte me vete, njëri prej mjekëve i tha: “Nëse do të ishe i sëmurë me zemër do të kishe vdekur prej kohësh”. Këto fjalë ndikuan shumë keq te Zenel Doka, aq sa ai nisi të qajë me ngashërim. “Po e lus vdekjen të më marrë, por nuk po më merr. Me zor nuk vdes dot. U jam bërë barrë të gjithëve, si gruas dhe fëmijëve. Kam tetë fëmijë, por askush nuk është me mua sot”, tregon ai mes lotëve.

Në duar shtrëngon një letër të grisur fletoreje, në të cilën ka shkruar numrat e fëmijëve të tij. Katër vajzat dhe dy prej djemve jetojnë jashtë shtetit, kurse dy djemtë e tjerë jetojnë në Berat. Me ndihmën e kësaj letre efektivi i policisë së Komisariatit Nr. 4 arriti të lidhet me njërin prej djemve të Zenel Dokës.

Ai nuk ishte fare në dijeni se i ati ndodhej në Tiranë. “Kam punuar gjithë jetën për të siguruar një jetë sa më të mirë për ata fëmijë. Edhe kur ishte kooperativë unë bëja çmos që ata të hanin ushqimet më të mira. Po ku janë ata sot? Vajzat janë martuar dhe shikojnë shtëpitë e tyre, dy djemtë kanë marrë rrugët e emigrimit. Vetëm dy djem kam këtu. Kur kam qenë i sëmurë më kanë çuar në spital dhe operimin ata ma paguan, por tani janë mërzitur me mua, se po sëmurem shpesh. Unë nuk dua të sëmurëm po ç’të bëj kur kam dhimbje ankohem. Gruaja ime dhe dy djemtë më flasin ashpër dhe nuk kujdesen për mua. Kjo më mërzit shumë dhe prandaj endem i vetëm nëpër spitale”, tregon ai mes lotësh.

I moshuari priti rreth 20 minuta në stolat e Urgjencës. Kishte vazhdimisht kollë dhe këmbët i kishte shumë të ënjtura. Pas 20 minutash, mjekët e Urgjencës e shtrinë në një shtrat dhe i bënë një EKG.

Kur u gjend i shtrirë në shtrat i rrethuar nga të panjohur u ndje edhe më shumë i braktisur.

“Kam gjithë jetën që më ndjekin fatkeqësitë. Nëna më vdiq e re, 36 vjeçe. Më la vetëm kur isha 14 vjeç. Jam ushqyer nga duart e botës, derisa u martova, kur isha 20 vjeç. Në një zënkë krushqie, mes babait tim dhe babait të vajzës, që unë kisha marrë për nuse, mbeti i vrarë vjehrri dhe unë u dënova. Kam bërë 16 vite burg. Edhe tani në pleqëri nuk pashë një ditë të bardhë”, tregon ai.

Pas leximit të EKG-së, mjekët e Urgjencës u shprehën se, problemet e të moshuarit nuk vinin nga zemra.

Sipas tyre, ai ka një bllokim të degës së majtë, por kjo mund të konsiderohet normale për moshën e tij.

Ata dyshuan për një problem në mushkri. Për shkak të kapacitetit të ulët të Urgjencës në QSUT, 83-vjeçari Zenel Doka, u detyrua të çohet nga shtrati dhe të ulej sërish në stol, në pritje të të birit. Pas telefonatës së bërë nga efektivi i policisë, i biri u nis drejt Tiranës për të marrë të atin.

Kur Urgjenca e QSUT-së përdoret si “strehë”

Historia e të moshuarit Zenel Doka nga Ura Vajgurore nuk është e vetmja.

Stafi mjekësor i Urgjencës në QSUT tregon se, gjatë javës mund të hasin në 2 ose 3 raste të tilla. Kryesisht të moshuarit, që për shumë arsye nuk kanë dikë që të kujdeset për ta e shohin spitalin si një azil ku për pak ditë mund të ushqehen dhe të pastrohen. Prekja nga disa sëmundje njëherësh, braktisja dhe harresa, vështirësia në marrjen e ilaçeve dhe barnave të duhura, ndjekja e rregullt e vizitave mjekësore, mungesa e shërbimeve sociale, jetesa e vështirë, si rrjedhojë e varfërisë, e shumë arsye të tjera, bëjnë që shumë të moshuar ta shohin spitalin si një strehë.

Të moshuarit që braktisen nga familjarët

Të moshuarit që nuk trajtohen mirë nga njerëzit e afërt, ose që braktisen nga të afërmit gjejnë si shpëtim spitalin.

“Më shumë se një problem shëndetësor ata kanë probleme emocional, probleme të personalitetit, për të cilat ne nuk i ndihmojmë dot. Këta të moshuar kanë nevojë për ngrohtësi dhe për vëmendje. Kur kërkesat e tyre nuk i marrin parasysh të afërmit, ata në formë rebelimi ikin nga shtëpia pa i lajmëruar dhe vijnë në spital”, tregon një prej mjekëve.

Fakti që ndihen të braktisur shkakton tek ata një sjellje të tillë, dhe çrregullime emocionale, aq sa shpeshherë sillen ashpër edhe me bluzat e bardha.

Kujdesi shëndetësor për ata që jetojnë vetëm

Të moshuarit që nuk kanë të afërm dhe që ju kanë vdekur bashkëshortët shkojnë shpesh në spital për të marrë kujdes, por jo vetëm shëndetësor. Duke qenë se nuk kanë njeri që të kujdeset për ta, ata e shikojnë spitalin si një strehë ku mund t’u shërbehet në të gjitha aspektet. Kjo e vështirëson edhe punën e mjekëve të Urgjencës, pasi krijohet një fluks i panevojshëm. Një kontroll rutinë që mund të bëhej edhe në një ambulancë lagjeje kryhet në spital. Të moshuarit vijnë në spital dhe për të kontrolluar radhën e ilaçeve, sepse duke qenë vetëm, ata nuk i lexojnë dot recetat dhe nuk mbajnë mend se si dhe sa ilaçe duhet të konsumojnë.

Të pastrehët që jetojnë në qiell të hapur

Në ditë reshjesh apo në ditë të ftohta në spital vijnë dhe shumë të pastrehë, kryesish të moshave të thyera. Duke qenë se ata jetojnë jashtë në ditë me shi u njomen rrobat, aq sa nuk mund të përballojnë dot temperaturat e ulëta. Si zgjidhje shohin spitalin.

Persona të tillë kanë shumë probleme shëndetësore, por arsyeja kryesore që paraqiten në spital nuk është kurimi i tyre.

Ata vijnë kryesisht për t’u pastruar, ushqyer dhe për të fjetur në një shtrat të ngrohtë për disa ditë. Raste të tilla përsëriten shumë shpesh në QSUT. Sipas protokollit të spitalit, në rast se një moshuar vjen i pashoqëruar lajmërohet policia, e cila merr të dhënat e pacientit.

“I ndihmojmë pacientët dhe për t’u larë”

Problemi i higjienës në ambientet spitalore ka qenë shpeshherë në vëmendjen e medieve. Mirëpo jo gjithmonë faji është i sanitareve apo i personelit që shërben në ato pavijone. Shpeshherë dhe të sëmurët nuk e respektojnë higjienën e spitalit. “Presim e përcjellim shumë njerëz në ditë, por jo të gjithë e shohin spitalin me të njëjtin sy. Disa e mendojnë spitalin të tyren dhe nuk mendojnë se ata duhet të largohen, pasi në atë dhomë dhe në atë shtrat duhet të qëndrojë i shtruar një pacient i sëmurë. Ka njerëz që ngjiten me këpucë mbi shtrat apo hedhin pambuk me gjak në tokë, pa u menduar për ata që do të vijnë pas tyre në spital”, tregon një infermiere. Ajo rrëfen se i ka ndodhur që në spital të kenë ardhur pacientë që janë nga koka deri te këmbët me baltë, me të vjella ose që kanë disa ditë pa u larë.

loading...