Rrëfehet si asnjëherë më parë përpara Artur Zhejit ideologu neonazist i Agimit të Artë

loading...

104851

loading...
TIRANE – Artur Zheji ka ngritur siparin e emisionit “360 Gradë”, në televizionin NEWS24. Përpara Zhejit rrëfehet si asnjëherë më parë ideologu neonazist i Agimit të Artë, Kristo Papas. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi i përgjigjet deklaratave të neonazistit grek, duke shprehur bindjen se parlamenti shqiptar do të miratojë rezolutën çame, për tu kthyer shqiptarëve të drejtën e mohuar.

1-Zoti Papas partia juaj Agimi i Arte është një parti e cila ka vënë helenizmin dhe interesat kombëtare greke në plan të parë. A mendoni se Greqia është në rrezik dhe a ekziston sipas jush një konspiracion kundër Greqisë?
Para se të përgjigjem dua t’ju përshëndes edhe unë dhe gjithashtu të përshëndes të gjithë vëllëzërit tanë, grekët e Vorio-Epirit që ndoshta na ndjekin në këtë emision dhe t’ju them nuk ju harrojmë dhe jemi afër jush. Përsa i përket pyetjes suaj u përgjigjem se me të vërtetë Agimi i Artë është një parti etnike e cila lufton për të drejtat e helenizmit dhe unë kam nderin dhe gëzimin ta drejtoj. Përsa i përket konspiracionit mendoj se nuk gjendet vetëm Greqia në qendër të fajdexhinjve ndërkombëtarë, gjenden të gjithë popujt e botës. Globalizmi apo rendi i ri është një rrezik për të gjithë popujt, sic është gjithashtu një rrezik edhe për popullin tuaj.

2-Ka një kuriozitet shumë të madh në audiencën shqiptare, dilema ekziston apo nuk ekziston Vorio-Epiri. Sipas mendimit tuaj ekziston Vorio- Epiri dhe nëse ekziston mbi c’argumente e mbështesni këtë teze?
Fillimisht, Vorio-Epir është një emërtim që daton në fillim të shekullit të kaluar, pra shekullit të XX, konkretisht pas vitit 1914. Për ne, historikisht nuk ekziston emërtimi Vorio-Epir në kuptimin se ka Epir Verior dhe Epir Jugor. Epiri është Një dhe për ne ekziston Një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar. Sigurisht emërtimi ka mbetur dhe e kemi bërë tonin, e përdorim. Ajo që dua të nënvizoj, dhe kjo tregon shkallën e rënies së fuqisë së palës greke, është se politika zyrtare greke e konsideron Vorio-Epirin emërtim të ndaluar. Ministria e Jashtme ka frikë të përdor emërtimin Vorio-Epir. Ndaj ne jemi shumë krenar si parti, dhe unë personalisht, që detyruam zv/ministrin e jashtëm të Greqisë, z. Ciara, të pranoj në sallën e parlamentit grek dhe të shqiptoj emërtimin Vorio-Epir . Madje, duke iu përgjigjur pyetjeve tona, z. Ciara pohoi se edhe ai është Vorio-Epiriot. Ngaqë besojmë se qeveria greke është e shitur ndaj interesave të huaja tek fajdexhinjtë ndërkombëtarë, tek borxhdhënësit dhe amerikanistët, konsiderojmë arritje tonën që, megjithëse në bisedime off rekorder, deri edhe ministri i jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona dhe ne bëjmë aq sa mundemi sepse kështu janë situatat! Nuk mundemi më shumë!

3-Nëse Vorio-Epiri është tokë helene dhe ju e konsideroni këtë një padrejtesi historike, përshembull e bërë edhe në Traktatin e Versajës, si mendoni se korrigjohet ky gabim historik sipas jush?
Ekziston vetëm një pohim Vorio-Epiri është grek. Kjo nuk shtrohet si pyetje. Nëse doni ta diskutojmë, dhe nuk kam asnjë problem, ka një histori të gjatë 3 mijë vjecare të pranisë greke në këto troje, që para Krishtit. Monumentet, gjuha, popullsia, historia vetë përgënjeshtron cdo rast, cdo mendim të kundërt. Ndërgjegja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 dhe është një ndërgjegje kombëtare e imponuar nga fuqitë e mëdha si Italia apo Austro- Hungaria. U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj. Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjo Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar. Edhe ish-mbreti juaj, gjyshi i pasardhësit të fronit të Zogut, Zoti Leka, pranon në intervistën e tij në vitin 1931 sa më poshtë: “Pranoj se në të vërtetë brenda mbretërisë së shqiptarëve ka edhe vende ende greke si Korca, Himara, Dhrovjan, Gjirokastra dhe disa të tjerë. Shohim sot Princin Leka, pasardhësin e shqiptarëve, dhe nëse nuk gabohem i implikuar në trafik armësh. Shohim pra këtë trafikant të rëndomtë i cili pati paturpësinë që muajt e fundit, në përurimin e një përmendoreje të Zogut në Tiranë, të deklaronte se kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë duhen rishikuar. Për fat të keq popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin, ndërruan dhe përfituan një ndërgjegje të rreme kombëtare, ndërsa shumë mirë do të kishte mundësi që jo vetëm Vorio-Epiri por edhe e gjithë Shqipëria të jetë një rrethinë apo një periferi e Greqisë.

4-Zoti Papas, meqë ju thatë se Skëndërbeu është me origjinë greke, edhe shqiptarët që flasin shqip janë grekë dhe pastaj janë shqiptarizuar. A ekziston kombi shqiptar sipas jush, apo është vetëm një sajesë?
Do të më jepni email-in tuaj dhe me kënaqësi do t’ju dërgoj disa linke me studime, libra dhe artikuj të tjerë të cilët i kam botuar dhjetëvjecarët e kaluar lidhur me Skëndërbeun, i cili është një hero i madh grek, Jorgjos Kastrotis me historinë e tij.

5-Kohët e fundit me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri shqiptar tha se dikur Shqiperia mendohej nga Presheva ne Prevezë. Cili është opinioni juaj për kryeministrin Sali Berisha?
Zoti Berisha ndoshta i referohet një sporti i cili sigurisht është i ndaluar nga feja myslimane. Sic duket pi shumë. Këto janë deklarata të papranueshme dhe ne nuk i diskutojmë. Sigurisht mëkati nuk është për zotin Berisha. Mëkati është për palën greke sepse kur ne pyesim në lidhje me cështjen në fjalë marrim përgjigje të papranueshme nga qeveritarët grekë, të cilët na thonë se këto deklarata janë kryesisht për përdorim të brendshëm dhe se është fjalim paraelektoral i zotit Berisha. Ne e dimë se zoti Berisha, mbështetësit e tij, si dhe psikopati zoti Rama, i cili kishte paturpësinë të bëntë deklarata të njëjta në qendër të Athinës, në një veprimtari në pallatin Sporting, trumbetojnë një tendencë më të përgjithshme të popullsive atje, pra të popullsive tuaja, të cilët në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, por edhe se arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plackitja. E ndjemë shumë mirë këtë dhe meqë do të më pyesni në një moment për ligjin e luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, e ndjemë shumë mirë si grekë në 1940 kur ishte hera e parë dhe e vetme që shqiptarët u futën brenda tokave greke, me kufinjtë e atëhershme. Ishte një togë shqiptare të cilët ishin në krah të italianëve që u futën dhe luftuan në tokën greke në disa betja të cilat zgjatën vetëm 24 orë derisa arritën në pikën që ushtria guximtare greke t’i hidhte në det këta armiq. Dhe po them se në dorë të Agimit të Artë gjendet një flamur. Eshtë një histori e gjatë sesi ka rënë në dorë të Agimit të Artë ky flamur. Mund të bëjmë një emision të tërë për këtë cështje, ndoshta nuk ekziston as në muzeun e luftës së Tiranës nëse do të mund ta quanim kështu mes thonjëzash. Eshtë flamuri i Fertit, ky është në dorë të grekëve. Shqiptarët nuk do ta marrin kurrë.

6-Ky është flamur pasi shqiptarët u pushtuan nga Italia fashiste. Ky nuk eshte flamuri i natyrshëm i shqiptarëve, apo jo. Eshtë flamur fashisto- shqiptar…
Të njëjtat gjëra bënë shqiptarët në 1940 me këtë flamur, të njëjtat gjëra teksualisht, pasi populli nuk ndryshon, është i njëjtë. Festuam para pak kohësh dhe isha të dielën e kaluar në Konicë përvjetorin e betejës së Konicës. Në atë betejë luftëtarët e ushtrisë dhe policisë greke luftuan kundër komunistëve grekë të cilët kishin nxitës të tyre Shqipërinë. Nuk ka asnjë lidhje nëse ky flamur është fashist, apo nëse ka këtu përkrenaren e Skëndërbeut, apo nëse ka yll apo është pa yll. Edhe ky është një flamur i vjedhur. Keni vjedhur shqiponjën dy krenare biznatine, e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat tona. Këtë flamur e kemi në zyrat tona. Eshtë flamur bizantin me shqiponjën dy krenare. Keni ndërtuar një shtet fallco. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamunj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq nuk jeni shtet. Me këtë shtysë për të bërë shtet, sic vepruat në fillimet e shekullit, e njëjta gjë ndodh dhe tani. Tashmë keni shpatullat e turqve, të amerikanëve dhe keni ngritur kokën. Tani keni gëzimin se ka rënë komunizimi, keni kapitalizëm, mund të keni Koka Kola, mund të keni makina të bukura të cilat për fat të keq janë nga krimi dhe hashashi. Tani kaloni mirë, duartrokisni amerikanin, i vidhni dhe orën e dorës, pasi sic themi ne më parë del shpirti dhe pastaj vesi. Vesi i plackitjes nuk mund të ikë. Pra më pas do të qani dhe ju.

7-Në Shqipëri kohët e fundit ka ndodhur një fenomen. Partia Drejtësi, Integrim dhe unitet e Shpëtim Idrizit, që është cam me origjinë, ka depozituar ne Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë që kërkon rikthimin e pronave te sekuestruara prej 60 vitesh në Greqi, ata thone me preteksin apo arsyen e kolaboracionizmit ne kohen e luftes italo-greke. Cfarë mendoni se do ndodh nëse parlamenti shqiptar e miraton këtë rezolutë dhe a ekziston Camëria dhe një cështje came?
Si deputet i parlamentit grek, por në vecanti si patriot, gjëja e fundit që do të më interesonte do të ishte se cfarë do të thoshte parlamenti shqiptar. Ne kemi anën tonë, historinë, gjakun, zotin, Jezu Krishtin vetë. Meqë po më flisni për Camërinë apo cështjen came sic e thoni ju, për ne është një cështje inekzistente dhe që për fat të keq diskutohet në këto caste. Nëse doni përgjigje është një cështje e cila është zgjidhur një herë e përgjithmonë në periudhën 1944-’45 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napeolon Zervas me ushtrinë e tij. Ata pak banorë myslimanë të zonës bashkëpunuan me armikun kundër grekëve dhe morrën përgjigjen e duhur. Nuk janë grekë në asnjë rast. Goditën dhe luftuan Greqinë dhe ajo tokë nuk u përket. Ajo tokë është vetëm dhe vetëm për grekët.

8-Ju thoni se edhe ata që flasin shqip kane qenë grekë dhe pastaj janë shqiptarizuar. Sipas jush a ekziston kombi shqiptar apo është një sajesë?
Ekziston një ndarje e madhe ideologjike, nëse e keni studiuar, midis kombit dhe shtetit. Për shembull për ne SHBA nuk përbëjnë komb. Për ideologjinë tonë rëndësi të madhe ka ekzistenca fisnore. Kombi mbështetet tek gjaku, tek fisi, tek raca. Përsa i përket ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vitet e fundit, pseudo-shkencëtarë të ndryshëm shqiptare kanë ndërmarrë një fushatë propagandistike dhe nuk kalon javë që të mos dalë një libër i ri pseudo-shkencor i cili tonifikon, ushqen, etnicizmin shqiptar.

9-A ekziston raca shqiptare?
Shikoni. Përsa i përket prejardhjes së fisit shqiptar nëse do të mundeshim ta quanim fis shqiptar, sepse sic u thash është një konglamerat popullsish të cilët janë tërësisht me prejardhje greke, pavarësisht se mund të kenë humbur ndërgjegjen e tyre kombëtare. Dhe kjo për ne është shumë e rëndësisshme pasi për ne grek duhet të jesh edhe në gjak edhe në ndërgjegje 100 përqind. Prandaj edhe një nga nga parullat tona qëndrore që dëgjohet nëpër mitingjet që organizojmë është ajo që thuhet edhe duke u kënduar: Nuk do të bëhesh kurrë grek o shqiptar, o shqiptar. Ekzistojnë shumë teori për lindjen e shtetit shqiptar, prejardhjen e popullsive që banojnë në veriperendim të Greqisë, brenda Shqipërisë. Teoritë flasin për Albanon e Romës së lashtë, shumë flasin për ilirët e lashtë, një fis barbar dhe i panënshtruar i cili në thelb i përkiste grupit të fiseve greke. T’u coj pas në epokën e mbretit Piro. Gjithashtu të tjerë flasin për Arvanon e Kaukazit. Ekzistojnë shumë teori. Unë do qëndroj vetëm në faktin se me të vërtetë sot në Shqipëri ekziston një industri e tërë botimesh dhe tonifikim i etnicizmit shqiptar i cili ekziston në cdo parti. Rol të madh në krijimin e një ndërgjegje kombëtare të ndryshme në këto popullsi që sot duan të quhen Shqipëri luajti dhe cështja e fesë. Shumë të krishterë ortodoksë të mesjetës, pas rrethimeve të Muratit, më vonë të Muhametit, ndryshuan besimin. Edhe në vetë familjen e udhëheqësit të madh Jorgjos Kastriotis, njerëz nën sundimin e turqve, tashmë ishin myslimanë sic ishte Hamzai nipi i tij, etj.

10-Si e mendoni të ardhmen, të sotmen dhe të nesërmen e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe nuk më dhatë përgjigje për Vorio- Epirin. Nëse Vorio- Epiri është toke greke, tani është ne kufijtë e shtetit shqiptar, ka zgjidhje praktike apo eshte vetëm zgjidhje romantike dhe retorike? …Do ketë paqe apo tension midis Shqipërisë dhe Greqisë?
Shikoni tensioni është vetë jeta. Në asnjë rast nuk jemi luftëdashës pa arsye. Por, historia vazhdon me të drejtën e më të fortit, por edhe me marrëveshje të pjesëshme me qëllim që të mos ham njëri-tjetrin. Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për cështjen e Vorio-Epirit. Pra zgjidhja e vetme për cështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë. Mundet që në këto momente të dëgjohet për Greqinë, se jeni dhe njerëz të medias dhe mund të jetë edhe një realitet, se përjeton një periudhë krize ekonomike, se ka probleme ekonomike, por ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë. Eshtë cështje vendimi dhe jo lufte. Forcat e armatosura ekzistojnë në cdo shtet edhe si leve presioni.

11-Po domethene nga marrëdhënie të ndertuara mbi politiken te marrdheniet e ushtrive apo ka zgjidhje pa ushtri? …Jemi te dy vende te NATO-s, anëtare te NATO-s…
Po flas përtej NATO-s. Shqipëria duhet të respektoj firmën e saj dhe kjo nënkupton se duhet të zbatoj protokollin e Korfuzit, i cili i jep autonomi Vorio-Epirit. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për zbutjen e cdo problemi që ekziston në marrëdhëniet greko-shqiptare. T’i jepet autonomia e nënshkruar prej jush Vorio-Epirit. Eshtë një marrëveshje e cila është në fuqi, ekziston dhe duhet të zbatohet. Dua t’ju them se ekziston edhe ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i luftës nuk shfuqizohet me një deklaratë të Papulias, apo me një deklaratë të ministrit të jashtëm. Ligji i luftës votohet në parlament dhe nuk është shfuqizuar zyrtarisht dhe si rrjedhojë jemi në gjendje lufte. Ky flamur pati paturpësinë të sulmoj Greqinë. Jemi akoma në gjendje lufte.

12- Kjo është një ndër të paktat gjëra që jemi dakord që ligji i luftës qëndron dhe duhet të votohet në parlamentin grek. Kisha një pyetje, mos vallë në idetë dhe analizën tuaj po e kundershton pak realiteti historik tani jo vetem qe eshte Shqiperia, por ka dhe nje shtet tjeter shqiptar qe eshte Kosova. Vertet Republika Greke nuk e ka njohur Kosoven, por shqiptaret te cilet ju i konsideroni nje koncept i sajuar, nuk se po zmadhohen ne Ballkan, si e shikoni kete gje?
E thamë një herë plackitja është zanat i shqiptarëve, erdhën me përdhunime, vrasje e vjedhje. Pra, erdhën tek ne dhe në vend që të puthnin dorën që ju jepte bukë e kafshuan atë. Pra erdhi ky grup popullsie. 50 përqind e kriminelëve që gjenden në burgjet greke janë shqiptarë, kanë krijuar mafien shqiptare në Greqi, rrojnë dhe mbreterojnë, bëjnë c’të duan, kanë gjetur një Greqi për fat të keq vrresht pa zot, ku nuk funksionon policia ashtu sic duhet të funksionojë. Nuk funksionojnë shërbimet, nuk funksionon ushtria, dhe kanë paturpësinë që brenda vetë Greqisë të shprehin pikëpamje dhe të flasin nëpër stadiume për Shqipërinë e Madhe. Gënjejnë veten dhe nëse Greqia nuk është në gjendje lufte me Shqipërinë, sic thotë zoti Artur, është Agimi i Artë në gjendje lufte me Shqipërinë!

13-A mendoni se është nevoja që të ketë filiale të partisë suaj në Shqipëri meqë të paktën gjysma e Shqipërisë sipas mendimit tuaj është tokë greke?
Problemi ynë si Agimi i Artë nuk është në asnjë rast partiak. Problemi i Vorio-Epirit për ne është etnik. Nëse do të hapim një filial në Korcë, Himarë apo Gjirokastër nuk do ta hapim për të marrë vota, nuk na interesojnë votat, na intereson zhvillimi, liria, populli të ndihet i sigurt. Pra na interesojnë Vorio-epirotët dhe Vorio-Epiri.

14-Po nese qeveria shqiptare do t’ju ndalonte, nese klubi I Patrioteve të Rinj apo forca te tjera te cilat e njohin Shqiperine dhe mendojne qe mendimet tuaja ekstremiste …cfare do ndodhte? Berisha po pretendon per Prevezen imagjinoje t’ju jepte gjysmën e Shqipërisë…
Bëni një gabim të madh. Nuk thash që Vorio-Epiri është grek. Meqë më pëlqen shumë historia, ju thash se historia duke u zhvilluar dhe nëse dikush do ta lexoj dhe kuptoj vërtetë historinë nuk ekziston Shqipëria. Në fakt nuk është Vorio-Epiri Grek, në fakt gjithë Shqipëria duhet të jetë një Provincë greke. Por mundemi të gjejmë pika mirëkuptimi. Mundemi nëse ju do të kërkoni një falje të madhe për c’ka keni bërë kundër Greqisë. Ta kërkoni me vepra, jo vetëm në periudhë lufte, por c’ka keni berë vitet e fundit duke kryer krime ndaj grekëve në qytete dhe fshatra. Do të kishim mundësi të gjenim një fushë mirëkuptimi, nëse zbatoni në praktikë protokollin e Korfuzit, i cili i jep autonominë Vorio-Epirit dhe atëherë do të kemi mundësinë të jetojmë paqësisht, për bukuri. Të merrni viza sa herë që të dëshironi të bëni turizëm në Greqi dhe jo t’u merrni ditët e punës grekëve. Nuk e keni fajin vetëm ju. Kanë faj edhe grekët që marrin në punë shqiptarët dhe për fat të keq shumë prej tyre gjenden të vrarë apo të plackitur. Le të kishin kujdes.

15-Duke qene se ju mendoni se jo vetëm gjysma e Shqipërisë por e gjithë Shqipëria eshte Greqi, pra shqiptarët nuk ekzistojnë jane vetem greke të harruar, mund te themi pse keni kete acarim kaq te madh per faktin se shqiptaret vijne ne Greqi. Eshte njesoj sikur greket e harruar te vijne ne Greqi ne vendin e tyre?
Kur të mësoni të kërkoni falje për krimet tuaja, jo vetëm krimet e atëhershme, por edhe krimet e tanishme, ne jemi dhe do të jemi një prehër i ngrohtë.

16-The që shqiptarët kane bërë krime…Une s’kam lidhje me krimet. Qeveria shqiptare duhet të kërkoj falje?
Flas për kufijtë detarë. Nuhatët naftë dhe anuluat firmën. Një marrëveshje që kishte avancuar e kthyet mbrapsht. Gjithashtu si do të reagoj qeveria greke ndaj deklaratave të shqiptarëve që ngulin këmbë të shtrojnë cështjen came. Në këto deklarat e sipër vijnë përgjigjet. Nga ana e palës greke u shtrua cështja e cila nuk na kënaqi si parti, një cështje shumë e hollë që thotë se Greqia do të paraqesë në mënyrë të njëanshme në OKB hartat e kufinjve detarë me vendet fqinjë. Do të jap disa koordinata dhe në bazë të këtyre koordinatave zotërinj të OKB-së Greqia konsideron se këto janë kufinjtë e saj. Ky është tërritori detar i saj. Vetëm nga kjo lëvizje të cilën Greqia ka të drejtë ta bej, pra të thotë në OKB, këto janë kufinjtë e mij, arra ime arrin deri këtu, nuk është dicka e tmerrshme. Vetëm kaq mjaftoi që të bëhen deklarata shpërthyese nga ana e palës shqiptare, nga ana e Ramës dhe Berishë, të shpërthej shtypi shqiptar duke arritur në caqe ekstreme me përgjigje ekstreme. Pra kush i vë dinamitin klimës, Greqia apo Shqipëria.

17-Mendoni se në shekullin dhe në periudhen që jetojme popujt tentojne të afrohen me njeri -tjetrin. Kjo që ju thoni, qoftë edhe për shqiptaret në këtë rast, do t’i merzisi jo pak shqiptarët dhe në vend që të krijoj premisa për një bashkëjetesë rajonale me të mire na ndan dhe na tensionon në vend qe të na bashkoj? Nëse do t’i merrnim për të vërteta fjalë për fjalë gjithë këto gjëra i bie që ju si grek, neve që ndihemi shqiptarë, vetem duhet te kacafyteshim kur mund të gjejmë një zgjidhje më të arsyeshme. Si e mendoni këtë?
Duhet që në momentin që Greqia ndodhet nën pushtim, se në fakt Greqia ndodhet nën pushtim, një pushtim që së shpejti do gjendeni edhe ju, pra në momentin që përtej këtij pushtimi ekzistojnë grekë që jetojnë nën një klimë terrori, ndjekjeje, vetëm e vetëm se flasin gjuhën greke sic ndodhi në Himarë me vrasjen e heroit tonë Aristotel Gumas, vetëm se fliste greqisht, pra në cdo vend të botës ku jetojnë vëllezërit tanë grekë të cilët kanë probleme, Greqia duhet t’u qëndroj pranë në cdo mënyrë. Pra këto deklarata nuk janë deklarata që minojnë marrëdhëniet tona dhe as për të krijuara episode të tjera diplomatike. Këto deklarata thonë: Vëllezër guxim, nuk ju kemi harruar. Jeni dhe jemi grekë dhe Vorio-Epiri është grek dhe do të bëhet sërish grek. Këtë frymë kanë deklaratat tona dhe kur edhe ju do të ndjeni FMN-në, do të ndjeni frymën e fajdexhiut në atdheun tuaj, një armiku që është i përbashkët dhe për grekët dhe për shqiptarët atëherë miku im i mirë do të më kujtosh.

REPLIKA KUNDËR ‘AGIMIT TË ARTË’ NGA SHPËTIM IDRIZI

1-Ju jeni një nga politikanët tashmë gjithmonë e më i njohur për shkak të një rezolute, po themi, tronditëse që keni depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me çështjen çame. Sapo pamë një intervistë, të cilën paraprakisht opinioni publik e ka njohur përmes trailerave dhe ka patur mjaft komente. Pyetja ime e parë është çfarë po ndodh sipas jush në shtetin helen.
Në fakt sapo pashë këtë intervistë me vijnë në kokë dy mendime: E para do të thoja që është tragjikomike të shohësh një figurë të tillë, do thoja edhe psikopateske, e cila na vjen si bartëse e ideologjisë nazifashiste, e cila ka krijuar shumë dhimbje dhe shumë tragjedi për të gjithë njerëzimin. Në këtë kuptim më duket si një njeri që ka ardhur nga historia dhe muzeumet. Në fakt është për të ardhur keq që një vend si Greqia, vendi i Eskilit, Platonit, Sokratit, të përfaqësohet me një figurë të tillë në Parlamentin grek. Jam i bindur që është nje Don Kishot i radhës, por mbi të gjitha them se ky është një problem shumë i madh për shoqërinë greke.

2-Zoti Idrizi, shoqëria greke i ka instrumentat për të përballuar, për të përmbajtur, po themi, bishat radikale që lindin herë pas herë në historinë e tyre. Problemi është, si mendoni ju çfarë lloj impakti do të ketë ky lloj radikalizmi, kjo lloj fryme, që imponon madje edhe vendime të rëndësishme të qeverisë aktuale greke në raport me Shqipërinë.
Pikërisht këtë desha të them, që shoqëria greke ka nevojë që ta kapsulojë këtë të keqe që sapo u shfaq sot. Do me lejoni të bëj pak retrospektivë për të kuptuar që herë pas here shoqëria greke është ndodhur në momente të tjera të vështira për demokracinë. Shoqëria greke edhe gjatë luftës të nazizmit ka pasur një numër mjaft ë madh bashkëpunëtorësh të nazizmit. Janë rreth 30 mijë vetë të cilët janë dëbuar nga Greqia. Por ka edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm që demokracia greke ka ardhur me përplasje të tilla të mëdha, kam parasysh këtu juntën e kolonelëve të viteve 1967-74, ku i ati i këtij Papas që sapo pamë nga prift u kthye në major. Por problemet e demokracisë greke kanë vazhduar edhe më vonë. Në këtë rast na shfaqet Agimi i Artë si një parti me një filozofi e cila vjen nga muzeumet dhe i ka sjellë një të keqe të madhe gjithë botës.

3-A ndihet Shqipëria dhe shqiptarët të kërcënuar nga ky realitet, i cili nuk është një realitet terrorist, por është një realitet në parlamentin grek. Bëhet fjalë për një formacion politik i cili ka një ideologji dhe një platformë, e cila prononcohet, interpelohet në parlamentin grek.
Kjo është një e keqe e madhe për shoqërinë greke, sepse është e patolerueshme që një shoqëri demokratike të ketë në parlament një parti me një vokacion të qartë, siç e pamë edhe nga insertet, neonazist, shovinist, antisemitist. Unë këtë e shoh në radhë të parë një problem për shtetin grek, megjithëse jam i bindur që Agimi i Artë po gjen gjithnjë e më pak vend edhe në mediat greke. PO kujtoj këtu faktin se si një nga veteranët më të mëdhenj të luftës kundër nazifashizmit, Manolis Lezias i është përgjigjur që Greqia përbëhet nga shqiptarë, grekë dhe turq.

4-Sondazhet e fundit, pikërisht këto ditë e japin Agimin e Artë me përqindje më të larta. Preferenca ndaj kësaj force politike po bëhet gjithnjë e më e madhe. Zoti Idrizi përfytyroni çfarë reagimi do të kishte kjo forcë politike, në qoftë se do të kishte një impakt real për tu diskutuar në qeveri dhe në parlamentin grek, rezoluta që ju keni paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.
Përsa i përket afektimit që ka shoqëria shqiptare, do të thoja që ,e vetmja gjë që mund të prodhojë, mund të prodhojë një të vërtetë të madhe e cila ka të bëjë me ksenofobinë, shovinizmin që ekziston në një pjesë të shoqërisë greke. Gjithsesi ajo që vlen është fakti që sot, edhe pas kësaj që ne pamë, është momenti që Shqipëria të shohë në mënyrë reciproke raportet me Greqinë. Deri sot qeveritë shqiptare na e kanë fshehur faktin që ekziston një ligj lufte me Greqinë. Në fakt rezoluta që ne kemi paraqitur në Parlamentin shqiptar nuk është rezolutë e dy personave, nuk është rezolutë vetëm e shoqatës Camëria, por është një rezolutë e cila vendos në kontekstin aktual gjithë problematikën që kemi me shtetin grek. Eshtë rasti që ne të tregojmë reciprocitet me shtetin grek.

5-Zoti Papas tha se ka vetëm një Epir, problemi është Epiri çfarë është? Ai thotë është grek, ne themi është Epir.
Një grua e moshuar çame më ka thënë në Qafë Botë: Shpëtim, vetëm ne çamët e dimë çfarë kemi hequr nga pikëpamja e barbarizmave. E keqja e madhe që vjen pikërisht nga parti të tilla si Agimi i Artë apo Kristo Papas jam i bindur që do kthehen në muzeumet e historisë.

6-Ka një debat të madh historik, sepse ata pretendojnë që Epiri është grek, ka qenë historikisht grek, me heronj grek. Tani historia është një debat ku nacionalizmat apo shesh herë politik, kanë spekuluar.
Do ti referohemi fakteve historike. Kam parasysh Tukiditin, në veprën e tij madhore Lufta e Peloponezit, i cili thotë se në gjirin e Ambrakisë, kur përcaktonte kufijtë e helenëve, thotë që ata në pjesën perëndimore i kanë kufijtë deri në gjirin e Ambrakisë. Pas gjirit të Ambrakisë jetojnë barbarët, barabartë për grekët ishin popujt jo helenë. Gjiri i Ambrakisë është gjiri i Hartës sot. 400 vjet para erës sonë, 3 fise ilire krijuan lidhjen e molosëve e cila ekzistoi për 500 vjet. Motra e mbretit të Molosëve ishte nëna e Aleksandrit të Madh.

(vijon)

KUSH ESHTE KRISTOS PAPAS
Kristos Pappas. Figure karizmatike e ekstremit të djathtë Agimi i Artë në Greqi.
Lindur në Athinë në vitin 1962, me origjine suliote nga fshati Lakas.
Ilias Papas, i ati, ushtarak në profesion, bashkëpunëtor i ngushtë i George Papadopulos, i njohur si kreu i grushtit ushtarak të shtetit në Greqi më 21 prill 1967.
I biri Kristos Papas është një nga nismëtarët që në vitet ‘80 i Lëvizjes Kombëtare Popullore Agimi i Artë, së bashku me të atin Ilias Papas.
Kristos Papas në vitet 90 themelon shtëpinë botuese Ilioforos. Me logon e kësaj shtëpie botuese, Pappas publikon dhjetra libra me përmbajtje të fortë nacionaliste apo “patriotike”.
Në dy palë zgjedhje, ne 7 maj 2012 dhe 17 qershor 2012, Kristos Papas zgjidhet deputet i Agimit të Artë
Ai është drejtues i sektorit për punë të jashme në partinë Agimi i Artë.
Pappas ka pushtuar shpesh herë kryelajmet e medias greke dhe asaj ndërkombëtare.
Në Shqipëri bëhet i njohur në 12 gusht të vitit 2012, ku merr pjesë në mënyrë energjike në ceremoninë përkujtimore të Aristotel Gumës në Himarë. Në këtë prezencë të tij në Himarë ai artikuloi publikisht, si politikan dhe si deputet dhe si një ndër ideologët e Agimit të Artë, se Himara është tokë greke dhe vetëm tokë greke.
28 tetor 2012, me rastin e përkujtimit të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, Papas u shfaq përsëri ne Shqiperi. Prezenca e tij shkatoi tensione, por ai nuk humbi rast pa rikujtuar dhe një herë se Shqipëria e jugut është Vorio Epir dhe se Vorio Epiri është tokë greke.

PROFIL AGIMI I ARTË
Agimi i Artë- Krisi Avgji
Themelohet së pari në vitet ’80 si një lëvizje Kombëtare Popullore.
Sot është një parti parlamentare e ekstremit të djathtë, me një popullaritet në rritje të vazhdueshme.
Nga 0.29 përqind të votave që kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2009, në qershor 2012 Agimi i Artë rritet më shumë se 20 herë. Pra preferencat ndaj kësaj partie 20 fishohen në mënyrë befasuese në Greqi duke arritur sa hap dhe mbyll sytë në rreth 7 % të preferencave të përgjithshme elektorale.
Me një strategji të qartë populiste dhe “atdhetare”, kjo parti shkaktoi një përmbysje radikale të ekuilibrave politikë të derisotshëm në republikën helene. …
Me terma të forta, kundër korrupsionit, kundër një klase politike “hajdute” dhe “tradhëtare” si dhe e përbetuar për të shkatërruar “konspiracionin” ndërkombëtar kundër Greqisë, e kanë shndërruar këtë subjekt politik në një nga subjektet më karizmatike në sytë e popullsisë së thjesht greke.
Agimi i Artë nuk druhet përshembull të propozoj qoftë edhe vendosjen dhe mbjelljen masive të minave anti-njeri përgjatë gjithë kufirit grek për të ndaluar kësisoj emigracionin klandestin.
Kjo formë e ashpër dhe krejt në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare si dhe mjaft propozime të tjerë për zgjidhje drastike kanë ngjallur reagime të forta në shtresat intelektuale dhe të majta. Por kjo nuk e ka ndaluar aspak marshimin e tyre drejt pushtetit
Si një subjekt politik me mjeshtëri të lartë të komunikimit publik ata shquhen për veprime të qëllimshme kundër rrymës. Shpesh herë i sheh militantët dhe kuadrot e kësaj partie duke shpërndarë falas ndihma ushqimore.
Ngado ata shfaqen si vullnetarë aktiv në krye të ndihmës sociale ndaj njerëzve në nevojë.
Sipas politologut grek Christophoros Vernardakis:
Sinkron zë tjetër
“Votuese tradicionale e Agimit të Artë është klasa e mesme e ulët që është duke u varfëruar me shpejtësi nga kriza. Pronarët e vegjël, pronarët e dyqaneve, të papunët janë grupet sociale, ku ekstremi i djathtë ka shkallën më të larta të mbështetjes. Votues të shumtë, Agimi i Artë ka edhe nga radhët e policisë. Popullariteti ndaj Agimit të Artë është shokues. Arsyet mund të gjenden në krizën e madhe të borxhit, thellimin e recesionit, rritjen e shpejtë të papunësisë”.
Agimi i Artë lidhet ngushtë me emrin e Nikos Michaloliakos, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie
Anëtarët e partisë i drejtohen atij si “udhëheqësi Michaloliakos”!
Me një CV të pasur me plote me incidente spektakolare publike ai mbetet një simpatizues i hapur i juntës së kolonelëve që dominoi Greqinë nga vitet 1967-1974.
Kristos Pappas konsiderohet si krahu i tij i djathtë dhe si një nga subjektet më ekspresiv të udhëheqësit Michaloliakos

(vijon)
(er.nu/BalkanWeb)

loading...