Rrëfehet e dhunuara nga paramilitarët serbë

Po bëhen gati 16 vjet që nga pas lufta, e Kosova mbetet një dosje e madhe e krimit të pandëshkuar.

Një nga plagët më të rënda mbeten viktimat e gjalla të përdhunimit nga forcat serbe.

RTV 21 sjell dëshminë e trishtë të një gruaje shqiptare të dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës.

Kadare e pati quajtur të turpshme heshtjen ndaj përdhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Pati nënvizuar se politikanë apo akademikë, për turpin tonë të pafund, e kanë mendjen kundër njëri-tjetrit.

“Jo veq me u dënu, por e meritojnë me vdekje atë dënim, qka kam hjek, qka kam përjetu, qka me kanë ba mu aman jarabi”.

Kjo grua tetë muaj u dhunua gjatë luftës në Kosovë nga paramilitarët serbë. Duke kërkuar drejtësi, ajo rrëfeu historinë dhe vuajtjet e patreguara më parë në medie. Me dhimbje thotë se nuk e di as vetë se sa herë është dhunuar. Vuan nga plagët në trup të shkaktuara nga paramilitarët serbë.

“Më kanë dhunuar, më kanë rrahur, edhe fëmijët, vjehrren dhe vjehrrin, na kanë ma qmos zi e më zi. Sot jam krejt e lënduar. Krejt jam e qkyme, krejt barku kur të qohem në këmbë më duhet me i shti gishtat përfundi barkut për me i fut zorrët mrena. Kur të ulem nuk mundem me u qu në këmbë. Problem e kam nuk muj me fjet, sepse kam dhimbje”.

Kjo grua tregon për vuajtjet tetëmujore së bashku me fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Këto dëshmi thotë se i ka paraqitur në EULEX, duke ju treguar edhe emrat e dhunuesve, por thotë se ky mision nuk bëri asgjë.

“Na kamë ardhur paramilitarët e kemi pas afër se nuk e di qysh ka ndodhë deri dy tri herë na kanë hy brenda. U kanë bozha u ardh me shokë të vet. U ardh me raki në dorë, nuk ka ditur qka po ban. I nijsha tu i thirr në emër tjerët vishin grup. U kan Bobi, si u terrojke vike mrena. Vishin policia, u kanë Xhema nuk na ka lan kund në këtë tokë”.

Derisa EULEX-i po dyshohet të jetë i përfshirë në disa skandale, të korrupsionit, e tash së fundi dyshohet edhe për kurdisje të gjykimit në rastin ”Kleçka”, ky mision po vlerësohet se ka dështuar të gjejë dhunuesit e grave në Kosovë. Kemi provuar të marrim përgjigje nga zyrtarë të EULEX-it, por edhe pas tri ditësh pritjeje nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Të dështuara këtë mision dhe organet kosovare të drejtësisë po i cilëson Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

“ Nuk më mbetet tjetër të them vetëm se në fakt gjyqësori kushdo qoft UNMIK-u, EULEX-i kanë dështuar të procedojnë lëndët për krime lufte që kanë të bëjnë me përdhunim seksual dhe kjo është shqetësuese”.

Përfaqësues të organizatave të grave kërkojnë përkrahje më të madhe nga shteti për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Çdo ditë kemi raste, kontakte kemi shumë të mira me rastet. Jemi duke i verifiku edhe me EUlLEX-in. Janë duke i padit në EULEX, numri tyre është shumë i madh, por përkrahje kanë shumë pak nga shteti”.

Në Kosovë mendohet të jenë dhunuar rreth 20 mijë femra. Që nga paslufta janë ngritur 4 aktakuza për dhunim seksual gjatë luftës. Por, të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm. Pas 16 vjetësh nga dhunimi kjo grua kërkon drejtësi.

Passport.jpg1