Rrahu gruan se u kreh në parukeri, pranga për 34-vjeçarin

loading...

loading...

“U ktheva nga puna dhe përpara se të vija në shtëpi, u kreha në parukeri. Por, bashkëshorti, sapo më pa, bërtiti “pse je krehur? Për kë je krehur? Më goditi dhe më pas më vendosi thikën në fyt, duke më kërcënuar se do më vriste po qe se nuk i tregoja me kë e tradhtoja”.

Ky është rrëfimi i Emilianës, e cila dërgoi në burg partnerin e saj Olsi Fejzaj. 34-vjeçari e dëgjoi nga kafazi qëndrimin e prokurorit, i cili kërkoi arrest me burg për veprën dhunë në familje. Por, ai qëndroi i heshtur para gjykatës, duke ia besuar mbrojtjen avokates, sipas së cilës, klienti i saj është i sëmurë.

Prokurori shpjegoi se çifti ka një fëmijë 5 vjeç dhe se i akuzuari ishte i papunë. E vetmja që punonte në një fabrikë këpucësh ishte Emiliana, por shpesh ajo përballej me xhelozinë e më pas dhunën sistematike të bashkëshortit, transmeton TCH.

Sipas prokurorit, gruaja kishte kërkuar më herët urdhër mbrojtjeje në gjykatë, por më pas ishte tërhequr nga ky qëndrim. Ajo çfarë e ka bindur se situata nuk do të ndryshonte ishte dhuna më e fundit dhe kërcënimi për jetën vetëm për një krehje flokësh.

loading...