Roma-PSG, shkëmbim De Rossi-Verratti?

de rossi

Pas përfundimit në “Trigoria” të takimit mes drejtuesve të Romës dhe Zdenek Zeman, trajneri është dukur pajtues me shoqërinë, e cila e ka vlerësuar pozitivisht bisedën e gjatë me teknikun. Sabatini, drejtori sportiv i Romës, është shprehur: “Jemi të kënaqur. Do të luftojmë së bashku në betejat tona”. Më pas erdhi dhe reagimi i Zeman: “Doja të jepja një sinjal me atë që bëra të shtunën, doja më shumë mbështetje. Do të stërvis Romën më së miri”.

Menjëherë pas konfirmimit të tij, në shtëpinë e Romës kanë nisur ditët e furishme, pasi merkatoja verdhekuqe është zhbllokuar në ditët e fundit të këtij janari. Mes të premtes dhe të shtunës, Sabatini ka zhvilluar diskutime me kolegun e tij të Paris SG, Leonardo. Të dy ata, duket se kanë gjetur një akord për shkëmbimin në formë huazimi deri në qershor, të De Rossi-t me Verratti-n.

Tekniku boem mund të japë “dritën jeshile” për këtë tratativë, teksa gjithçka duket se do të mbetet në duart e dy drejtorëve dhe lojtarëve në fjalë, për ta mbyllur sa më shpejt këtë çështje. Verratti është një djalosh i talentuar dhe “i ledhatuar” nga Zeman, i cili e mbështeti gjatë kohës te Pescara, duke e bërë të shpërthente me gola. Nga ana tjetër, De Rossi ka përfunduar shpesh herë në pankinë këtë sezon, kështu që mund të mos jetë i kënaqur.