Roma kalon testin e parë me Interin – VIDEO

loading...

26390

loading...
Roma dhe Inter përplasën sërish brirët në një sfidë me aromë gjysmëfinaleje për Kupën e Italisë ku ekipi kryeqytetas fitoi por pa mbyllur llogaritë me kualifikimin. 2-1 shënoi tabela elektronike në fund të takimit të zhvilluar në “Olimpico” ku të gjithë golat u shënuan në vetëm 45 minuta. Ndeshja nisi me ritëm të kënaqshëm për skuadrën e Zemanit që i tregoi Interit se ishte ajo e zonja e shtëpisë edhe pse Guarin goditi shtyllën.

Ngacmimet sporadike të verdhekuve kulmuan me golin e Florenzit në minutën e 13-të. Mesfushori i Romës përfitoi nga përgjumia e mbrojtësve kundërshtarë duke u shkëputur saktësisht me kokë. Por mbrëmja e “Olimpicos” do të rezultonte e vështirë për zikaltërit që pësuan një gol fotokopje të të parit në minutën e 33-të por këtë herë me autor Matia Destron. Guarin dha sinjalin e dytë të vërtetë për Interin 5 minuta përpara fundit të pjesës së parë, por kolumbiani nuk arriti ta kalonte topin në rrjetë. Pjesa e parë kishte kohë edhe për një tjetër gol sepse Palacio zuri në befasi mbrojtjen kryeqytetase duke u shkëputur në brendësi të zonës pas një goditje dënimi për të shkurtuar shifrat.

Fraksioni i dytë e gjeti Romën më të lodhur fizikisht, çka bëri që Interi të shfrytëzonte më mirë hapësirat e krijuara nga skuadra e Zemanit. Pas disa rasteve nga të dyja krahët, Alvarez pati mundësinë më të mirë në minutën e 76-të për të shënuar golin e dytë por e çoi topin ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Stekelenburg. Alvarez pati një tjetër mundësi duke shmangur Castan por u ndal nga Simone Perrotta. Në minutën e 84-t, Totti karikoi të djathtën por topi u ndal në murin zikaltër. Ndeshja e kthimit, e programuar për t’u zhvilluar në 30 Janar, është shtyrë për në datën 17 Prill sepse në 1 Shkurt Roma do të presë në “Olimpico”, Cagliarin.

loading...