Roberto Baggio ndihmësi i Guardiolas tek Bayerni?

loading...

Cesare_Prandelli_Roberto_Baggio_Josep_Guardiola

loading...
Roberto Baggio njoftoi lajmin për tërheqjen e tij nga presidenca e sektorit teknik në Federatën italiane të futbollit në fillim të kësaj jave. Tërheqja e tij ishte një “rrufe në qiell të pastër” pasi askush në Itali nuk mund ta shpjegojë atë, por jo në Spanjë. Mediat iberike shkruajnë se “Bishtaleci” do të jetë ndihmësi i Guardiola-s në aventurën e tij me Bayern Munchen.

Të dy ata kanë raporte miqësore me njëri-tjetrin që nga koha kur luanin bashkë tek Breshia në fillim të viteve 2000, kur në stol ishte trajneri Mazzone. Sipas mediave spanjolle, Pep Guardiola ka kontaktuar Baggio-n disa ditë më parë, por nuk dihet nëse ky i fundit ka pranuar apo jo, por tërheqja nga funksionet në federatë të lë të kuptosh që përgjigja ka qenë pozitive.

Më herët si ndihmës i Guardiola-s u përfol Raul. Ish-kapiteni i Realit të Madridit u pa si një alternativë e mirë nga Pep Guardiola për arsyen e thjeshtë se njeh mirë kampionatin gjerman, kjo falë eksperiencës së tij me Schalke 04.

Ndërkaq, portieri 26-vjeçar Manuel Neuer theksoi se Bayerni nuk duhet të humbasë përqëndrimin në pjesën e dytë të sezonit pasi nuk ka fituar ende asgjë. Bavarezët ndodhen në vendin e parë të renditjes në Bundesligë, 9 pikë larg nga vendi i dytë që mbahet nga Borussia Dortmund dhe ndërkohë janë në garë për të fituar Champions League dhe Kupën e Gjermanisë. “Problemi qëndron se jemi akoma në gjysmën e kampionatit që do të thotë se duhet të qëndrojmë shumë të qetë dhe të kujtojmë se përpara kemi një rrugë të gjatë”, u shpreh Neuer.

loading...