Rexhep Selimi kërcënon me prerje zyrtarin policor (VIDEO)


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërcënuar sot me prerje zyrtarin policor që po e kontrollonte atë teksa po kthehej në sallën e Kuvendit.

“T’prejë, a more vesh? T’prejë”, i është drejtuar Selimi policit, duke refuzuar që t’i nënshtrohet kontrollit të tij.

Fillimisht, Selimi ka kundërshtuar kontrollimin me arsyetimin se është kontrolluar më herët ndërsa tensioni u shtua kur ai i kërkoi njërit zyrtar të sigurimit që prekjet në trupin e tij gjatë kontrollimit ta bëjë më ngadalë, transmeton insajder.

Kjo ka nxitur një përplasje verbale mes të dyve ndërsa në fund Selimi ka kërkuar duke bërtitur që të kontrollohet nga një zyrtar tjetër i sigurimit.

Sigurimi i Kuvendit i është bindur kërkesës së tij dhe kanë ftuar një tjetër zyrtarë që ta kontrollojnë deputetin e Vetëvendosjes.

Selimi ka thënë se ka bërë një kundërshtim të një norme jonormale të të kontrolluarit.

Sipas tij, ai nuk ka kundërshtuar më herët kontrollimin, porse kësaj radhe është provokuar nga zyrtari i sigurimit.

“Mu duk personale, prandaj edhe reagova. Personi i cili ka provokuar patjetër se do të ballafaqohet në Inspektoratin e Policisë sepse sjellja e tij ishte jo korrekte,” ka thënë ai.
RS