Refuzonte prej një viti të lidhej me të, vlonjati i punon të zitë e ullirit vajzës dhe nënës së saj

loading...

loading...

Ajo kishte ardhur studente në Tiranë, ndërsa njohja me një djalë të ri nga Vlora i ka sjellë shumë probleme kohët e fundit. Ai ishte fiksuar pas studentes dhe ndërsa ajo e refuzonte e nuk pranonte të lidhej me të, në shenjë hakmarrjeje djali nga Vlora e kërcënonte, e ofendonte nëpërmjet komunikimit në telefon si dhe e degjeneronte në rrjetet sociale, si vajzën edhe të ëmën.

E ndier nën presion, e reja i është drejtuar gjykatës për të zgjidhur këtë problem, ku si pasojë e veprimeve të tij, djali është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg.

I riu me iniciale A.Z. është proceduar penalisht pas një kallëzimi të bërë nga studentja në shkurt 2016. Më 1 qershor 2017 Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin e tij, duke e shpallur fajtor për “përndjekjes” dhe dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg. Ai u gjykua në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë ndaj tij nuk është ekzekutuar. Gjatë gjykimit, mbrojtësi i tij kërkoi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit, me pretendimin se akuza nuk provohej.

Referuar vendimit të gjykatës, në kallëzimin e paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë, në shkurt 2016, e dëmtuara ka shpjeguar se në vitin 2014 është njohur me një djalë nga Vlora me emrin A.Z. Sipas saj, ata kanë pasur vetëm një lidhje shoqërore për një vit e gjysmë.

Ai është njohur edhe me prindërit e saj. Pas pak kohe ai ka filluar t’i kërkonte një lidhje me të, por ajo nuk ka pranuar.

Pas këtij refuzimi, ai ka filluar ta kërcënonte në numrin e saj të telefonit. Në muajin qershor të vitit 2015 ai e ka pritur te fakulteti ku ajo studionte në Tiranë dhe e ka goditur duke e gjakosur. Pas një shkëputjeje, në dhjetor të vitit 2015 shtetasi A.Z. ka filluar t’i krijojë shqetësime të tjera, duke telefonuar nënën e saj me numra privat dhe numra të ndryshëm.

Gjithashtu, ajo ka shpjeguar se ky shtetas hap adresa të ndryshme në Facebook me emrin e saj dhe të nënës së saj. Në këto profile ai ka vendosur foto të tyre, duke komunikuar me familjarët e saj me ofendime nga më banalet dhe duke u bërë shqetësimi kryesor i saj dhe gjithë familjes. Gjatë gjykimit të çështjes, kallëzuesja ka konfirmuar të njëjtat rrethana edhe para gjykatës.

Ajo ka dëshmuar se i pandehuri A.Z. është bërë shqetësim shumë i madh për të gjithë familjen. Kjo për shkak të telefonatave të tij me numër të fshehtë dhe kërcënimet dhe ofendimet në rrjetet sociale.

Para gjykatës ka dëshmuar edhe babai i kallëzueses, i cili ka rrëfyer shqetësimet që u sillte i pandehuri A.Z.

“Ai ka frikë për jetën e vajzës së tij, pasi ajo ndihet shumë e frikësuar nga ky person”, rrëfehej dëshmia e tij në vendimin e gjykatës. Të njëjtat fakte janë dëshmuar edhe nga e ëma e kallëzueses.

Në sallën e gjyqit dëshmitarja ka rrëfyer se ndihen të frikësuar nga i pandehuri, i cili me fjalë nga më banalet për të gjithë pjesëtarët e familjes ka inskenuar nëpër rrjete sociale false shkrime nga më ofenduese.

loading...