Real Madrid klubi më i pasur në botë për të tetën herë

29093

Football money league shpall Real Madrid si fituesin e vitit të kaluar për përfitimet financiare, pas një studimi të bërë nga Deloitte, që analizon informacionet financiare futbollistike për sezonin 2011-2012. Në edicionin e 15 të këtij studimi real Madrid është skuadra që renditet në vendin e parë me 512.6 milion euro të ardhura. Fitorja e titullit kampion në Spanjë, duke thyer hegjemoninë e Barcelonës, solli të ardhura të mëdha për madrilenët, që janë edhe ekipi i parë që kanë kaluar kuotën e 500 milion euro të ardhura në një sezon. Për më tepër që ky është sezoni i 8 radhazi që Reali gjendet në krye të këtij klasifikimi, duke barazuar rekordin e Manchester United.

Në vendin e dytë renditet Barcelona me 483 milion euro të ardhura. Edhe pse dështuan në kampionat dhe champions league, katalanasit mbeten sërish fitimprurës edhe pse sezoni shpëtoi vetëm me fitimin e Kupës së Mbretit. Në vendin e tretë të këtij klasifikimi renditet Manchester United me 395.9 milion euro të ardhura, edhe pse sezoni i kaluar nuk dhuroi trofe për djajtë e kuq. Megjithatë skuadra e Ferguson mbetet një markë në arenën e futbollit botëror dhe këtë e tregon shuma e të ardhurave.

Vendi i katërt për Bayernin e Mynihut që ka arkëtuar 368.4 milion euro. Ashtu si United edhe Bavarezët nuk kanë fituar asnjë titull, por fakti që arritën në finale të Champions League dhe në kupën e gjermanisë, është një tregues i mirë për financat e klubit. Arsenal mbyll pesëshen e parë me 322.6 milion euro të ardhura, gjë që tregon menaxhimin e mirë ekonomik të Wenger në drejtim të topcinjve. Edhe pse fituan Champions League, Chelsea rendeitet në vendin e 6 me 290.3 milion euro të ardhura, e ndjekur nga Manchester city, Milan, Liverpool dhe Juventus.