Ramiz K, lirohet nga akuza për mbytjen e foshnjës

loading...

RRR

loading...
Më 12 prill të vitit 1999, foshnja 1 vjeçe, Mireli, nga lëndimet e pësuara kishte rënë në komë dhe pas dy ditësh kishte ndërruar jetë në spital. Mjekët kishin regjistruar te ai 30 eshtra të thyer, plagë nga djegia dhe nga therjet, lëndime në penis dhe në prapanicë, (për çfarë dyshohet të jetë keqtrajtuar edhe seksualisht). Në banesë ishin gjetur rrobat e përgjakura të foshnjës dhe brekë meshkujsh, po ashtu të përgjakura. Por, analiza e ADN-së, që mund të gjente fajtorin, atëbotë nuk ishte kryer.

Nëna e Mirelit, Mirsada, kur shkonte në punë si kameriere, ia linte foshnjën për t`u kujdesur partnerit të saj, shqiptarit nga Kosova, Ramiz K. Pikërisht ditën kur vdes Mireli, Ramizi udhëton për në Shqipëri, prej nga është ekstraduar në Austri vetëm në vitin 2012, pra 13 vjet pas krimit, transmeton Albinfo.ch.

Që nga fillimi, Mirsada e kishte akuzuar partnerin e saj për vdekjen e të birit.

Por, ajo megjithatë ishte dënuar me pesë vjet burg për shkak të moskryerjes së obligimeve të saj si nënë ndaj të birit. Ndërsa në procesin e zhvilluar të enjten kundër ish partnerit të saj, Ramizit, Mirsada, siç ka thënë, nga frika prej tij, është paraqitur e mbuluar me një shami. Ajo ka deklaruar se Ramizi, kur jetonin bashkë, çdo herë kishte gjetur ndonjë arsyetim të rremë lidhur me shenjat në trup të Mirelit.

Ndërkaq, i akuzuari betohet se kurrë nuk i ka bërë asgjë të keqe djalit të partneres. “E kam trajtuar sikur të ishte djali im”, ka thënë ai. Ka qenë pikërisht e ëma, ajo që ka qenë vazhdimisht e dehur dhe e ka `masakruar` të birin. Mireli ishte dobësuar dhe për këtë arsye Ramizi kishte këmbëngulur ta çonin te mjeku. Por ajo, nga frika se mund t`ia merrnin djalin, nuk donte ta vizitonte mjekun. Dy fëmijët tjerë të saj tashmë kishin përfunduar në jetimore, pasi kishte shumë padi kundër saj për keqtrajtim të tyre.

Më 12 prill 1999, Mirsada ia kishte dhënë atij foshnjën e fjetur me ç`rast ai kishte konstatuar se në të vërtetë Mireli ishte i vdekur, thotë Ramizi.

Ramiz K., është shfajësuar edhe nga mjeku gjyqësor. Ai kishte konstatuar atëbotë se lëndimet e Mirelit ishin të një kohe kur Ramizi ende nuk jetonte në shtëpi me Mirsadën. Si rezultat, gjyqi i porotëve e shpalli Ramiz K. të pafajshëm.

“Procedura e provave nuk ka sjellë – me sigurinë që kërkohet për një procedurë penale – prova se i akuzuari ia ka shkaktuar foshnjës lëndimet e përmendura më lartë”. Kështu ka deklaruar kryesuesja e trupit gjykues. Pas shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari ka shpërthyer në lot

loading...