Ramadan Muja akuzon mediat për tituj “bombastik”

loading...

loading...
Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja nuk i kanë pëlqyer titujt në media kur kanë raportuar për “konfliktin “, që ai ka me ministrin Dardan Gashi rreth çështjes së Prevallës. Ai akuzoi mediat se po nxjerrin tituj “bombastik” në ballina, pa pasur fakte.

”Unë e kam për obligim që t’ju njoftoj se nuk kam pasur asnjë takim dhe konflikt me ministrin Dardan Gashi. Ne nuk jemi në luftë mes veti. Mediat janë ato që kanë nxjerrë tituj bombastik kinse jam në luftë me ministrin Gashi. Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre për ata tituj bombastik që kanë nxjerr”, ka thënë Muja në seancën e fundit të Asamblesë Komunale, transmeton “PrizreniPress”.

Në këtë seancë këshilltarët e të gjitha subjekteve politike kanë shqyrtuar situatën e krijuar në Prevallë. Ata janë pajtuar që të bëhet një raport i përgjithshëm për ndërtimet pa leje që janë bërë në këtë fshat turistik të Prizrenit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,Dardan Gashi, ndërkaq ka adresuar 21 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore në Prizren rreth degradimit të Prevallës. 11 raste kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimit të ministrit Dardan Gashi, 3 prej të cilave janë për inspektorët e Komunës së Prizrenit që vepruan në kundërshtim me vendimin për ndalimin e aktiviteteve ndërtimore në atë zonë, 8 raste kanë të bëjnë me mungesë të lejeve të ndërtimit, 8 raste për mungesë të pëlqimit mjedisor.

Në disa sosh, nga 21 kallëzimet penale, pronarit i është ushtruar kallëzim penal në të tri rastet: mosrespektim të vendimit të Ministrit, mos posedimit të lejeve ndërtimore si dhe mos posedimit të pëlqimit mjedisor.

Po ashtu disa kallëzime penale janë ngritur për personat që nuk kanë respektuar kushtet urbanistike, grumbullim të bimëve mjekuese pa dokumentacion përkatës e të tjera.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gashi ka paralajmëruar se nuk do të heq dorë nga Prevalla, degradimi i së cilës i kushton shumë natyrës dhe siguron se përgjegjësit për këtë degradim do të përballen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Pas ndryshimit të Ligjit për Amnisti”, i miratuar të enjten më datë 11.07.2013 në Kuvendin e Kosovës, asnjë kallëzim penal dhe asnjë tjetër që do të ngritet ditëve në vazhdim nuk do të amnistohet. Ky është një lajm i keq për përgjegjësit e degradimit të Prevallës por një lajm i mirë për ne, dhe për të gjithë qytetarët e Republikës” ka thënë ministri Gashi.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ndërkaq ngritjen e kallëzimeve penale ndaj inspektorëve të tij nuk e sheh si “luftë”.

“ Ne kemi raporte të mira me Ministrinë e Gashit, siç kemi edhe me ministritë e tjera të Qeverisë së Kosovës. Nuk jemi në luftë me askënd, por mediat janë ato që po nxjerrin tituj bombastik”, ka thënë Muja./LajmeOnline/

loading...