Rahoveci turpërohet me Qeverinë që e udhëheq

Nënkryetari i Prishtinës dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur deklaratës së bërë dje nga kryeministri Hashim Thaçi, se Kosova krenohet me Rahovecin. Hoti në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se “‘Kosova krenohet me Rahovecin, por Rahoveci turpërohet me qeverinë që e udhëheq”.

“Sot në Rahovec kreu i qeverisë, z.Thaqi theksoi se Kosova krenohet me Rahovecin. Në këtë pikë unë pajtohem me të. Unë kam bindjen se Kosova krenohet me këta njerëz punëtorë të Rahovecit, me këta njerëz që kanë luftuar dhe janë sakrifikuar. Me këta njerëz që sigurojnë një pjesë të madhe të ushqimit për tryezat tona, të cilin e blejmë të gjithë ne me çmime simbolike. Por, jam i bindur se qytetaret e Rahovecit nuk janë krenar me qeverinë e tyre. Jam i bindur se atyre ju vjen turp nga qeveria qe i udhëheq. Ju vjen turp sepse sot Thaqi tallet dhe bene politike me sakrificën e tyre”, ka shkruar Hoti në Facebook, transmeton “Bota Sot”.

Ai madje ka shkruar se kryeministri Thaçi dhe ministrat e tjerë, tallen me punën e bujqve të Rahovecit. Sipas tij, qytetarët e Rahovecit do të mburreshin me qeverinë, nëse ajo do t’u siguronte mjetet e nevojshme bujqësore. Madje ka thënë se ata do të krenoheshin po ashtu nëse Qeveria nuk do t’ua ulte çmimet për import të produkteve bujqësore, duke i penguar në këtë mënyrë edhe produktet nga Serbia dhe Maqedonia.

“Ai dhe ministrat e tij tallen me mundin e shume bujqve. Tash e sa vite, bujqit dhe vreshtarët e hedhin rrushin, specat dhe domatet e tyre, ose i falin me çmime simbolike. Ata do ishin krenar me qeverinë sikur qeveria mos t’i gënjente se do t’i ndihmoi me fare e me plehra, me nafte për bujqësi, me sigurimin e tregut per rrush e perime. Ata do ishin krenar sikur qeveria mos te ulte çmimet referente për import te produkteve bujqësore ashtu qe tregu mos te mbushet me peme e perime te dyshimta nga Serbia e Maqedonia”, ka shtuar Hoti.

Gjatë vizitës së djeshme të kryeministrit Hashim Thaçi në Rahovec, me rastin e Akademisë Përkujtimore “Epopeja e Rahovecit”, ai dorëzoi Urdhrin Hero i Kosovës për 5 dëshmorë të Rahovecit, përkatësisht për Mensur Zyberaj, Bedrush Gashi, Xhelal Hajda, Selajdin Mullaabazi dhe Sheh Myhedin Shehu. Në këtë rast ai kishte thënë se Kosova krenohet me Rahovecin.