Qeveria me përbërje antikushtetuese

Më 17 korrik janë inauguruar si deputetë kryeministri Hashim Thaçi, zëvendësit e tij Hajredin Kuçi, Slobodan Petroviq dhe Edita Tahiri, si dhe ministrat Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Agim Çeku, Besim Beqaj e Mahir Yagcilar.
Njohës të Kushtetutës kanë thënë se, duke mbajtur pozita në Ekzekutiv e Legjislativ, këta zyrtarë po “konsumojnë shkelje të një ndalese kushtetuese”. I kanë quajtur “të pavlefshme juridikisht” edhe vendimet që ata marrin në Qeveri, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeministri, tre zëvendëskryeministra dhe pesë ministra nuk kanë pushuar aktivitetin në Qeveri edhe dy javë pas dhënies së betimit si deputetë. Edhe pse Kushtetuta ua ndalon deputetëve mbajtjen e posteve ekzekutive.
Neni 72 i Kushtetutës saktëson: “Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”./Koha Ditore/