Qeveria kundër privatizimit të Trepçës

loading...

loading...
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli tha sot se “Trepça” ndodhet në një status quo dhe se Qeveria është e thirrur, ashtu si dhe Kuvendi që të valorizojnë dhe t’ia kthejnë këtë gjigant qytetarëve.

Ministri Ismajli theksoi se kompleksi Trepça ka kaluar nëpër kohë të vështira dhe mbetet problem politik, financiar dhe i kërkesave ndaj kësaj ndërmarrje. Sipas një komunikate për medie nga kabineti i ministrit Ismajli, “kjo ndërmarrje nuk duhet privatizuar, por duhet të fillojë një proces ristrukturimi dhe riorganizimi që mundëson rikthimin e këtij gjiganti në shërbim të ekonomisë së Kosovës”.

Idetë për ringjalljen e Trepçës u prezantuan sot nga Qeveria në praninë e publikut, ku u propozuan alternative që kanë për qëllim ristrukturimin e Trepçës, ndarjen e aseteve, thelbësore dhe jo thelbësore, si dhe “vendosjen e Qeverisë në pozitë drejtuese, duke i mundësuar kështu tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë për zhvillimin e potencialeve fitimprurëse”, raporton REL.

Aktualisht, Trepça është në procedurë të riorganizimit nga AKP-ja dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërkohë që Kuvendi dhe Qeveria nuk kanë ndikim në rrjedhën dhe menaxhimin e saj.

Gjatë debatit, Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje për publikun e gjerë dhe ekspertët vendorë që të prezantojnë idetë e tyre për ristrukturimin dhe riorganizimin e Trepçës, të cilat propozime do të pranohen brenda një afati njëmujor, gjatë tërë muajit korrik.

Debati publik, siç thuhet, u organizua nga Ministria për Zhvillim Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e zv.kryeministrit Pacolli dhe zv.kryeministres Kusari-Lila, ndërsa në debat ishin pranishëm edhe diplomatë të huaj, deputetë, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare e financiare, shoqërisë civile dhe biznesit vendor e ndërkombëtar./LajmeOnline/

loading...