Qeveria alarmohet: Mos ikni nga Kosova

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, u bëjnë thirrje kosovarëve që të mos e marrin rrugën e azilit. Ata në një konferencë për media, të alarmuar kanë thënë se grupe të ndryshme janë duke i mashtruar kosovarët dukë iu marrë të holla me premtime të rrejshme se do t’i nxjerrin në Evropë.

Ministri Rexhepi ka thënë se nuk mund t’i ndalojnë qytetarët që të hipin në autobusë, sepse nuk ndalohet lëvizja e lirë, por thotë se janë duke shikuar që këta njerëz të mos bien viktimë e rrjetit të organizuar. “I kemi edhe duart të lidhura në një mënyrë, sepse dikush mund të thotë pse nuk ndalohen? Mirëpo, nuk ki të drejt me ndaluar lëvizjen e lirë as nuk lejon gjyqësori e as normat, mirëpo ne jemi të fokusuar që të shohim se këta qytetarë mos janë viktima të rrjetit të organizuar”, ka thënë ministri Rexhepi,TRANSMETON ZERI.

Ndërkohë që ministrja Çitaku ka thënë se azili nuk është shkak, por është pasojë. “Unë jetoj në këtë vend dhe e di shumë mirë se shumë bashkëqytetarë të vendit tim jetojnë në kushte të vështira, në varfëri dhe në papunësi. E di po ashtu se askush me vullnet dhe dëshirë nuk e merr një rrugë të rrezikshme e cila mund të përfundojë edhe me vdekje. Mirëpo, e unë e kam për detyrë, dhe secili prej nesh e ka për detyrë që t’ua thotë shkurt, qartë dhe shqip qytetarëve tanë se azili nuk është më opsion”, ka thënë Çitaku. Ajo ka bërë të ditur se qytetarëve të Kosovës nuk u jepet më azil në vendet e BE-së.

“Unë i ftoj që të mos bien pre e trafikantëve, profiterëve, i ftoj që të kenë durim edhe pak, ne po punojmë shumë që të përmbyllim përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve karshi procesit të liberalizimit të vizave në mënyrë që ata dhe familjarët e tyre të jenë në gjendje që të lëvizin lirshëm në Evropë, por azili nuk është më opsion”, ka thënë ajo./LajmeOnline/