Qafë Mollë: shembet tuneli, tre punëtorë humbin jetën

Tre punëtorë të një kompanie turke, që po ndërton një hidrocentral lokal në rrethin e Mirditës, humbën mbrëmë jetën pas shembjes së hyrjes së një tuneli. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Frang të rrethit të Mirditës, ku po ndërtohet hidrocentrali i Qafë Mollës.
Dy prej punëtorëve që humbën jetën janë banorë vendas, ndërsa punëtori I trete është shtetas turk. Ata po punonin në brendësi të tunelit, kur një sasi dherash janë shembur, duke u marrë jetën.
Sipas policisë lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20 e 20 minuta të mbrëmjes së kaluar.
Trupat e viktimave u nxorrën nga shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë, që shkuan me shpejtësi në vendin e ngjarjes.
Hidrocentrali i Qafë Mollës nisi të ndërtohet rreth dy vite më parë nga një kompani turke, pas dhënies me koncension nga qeveria shqiptare. Që nga nisja e punimeve, banorët e zonës kanë protestuar herë pas here, duke tentuar edhe ndërprerjen e punimeve, për shkak të mos kompensimit për pronat e tyre që gjenden në territorin ku po ndërtohet hidrocentrali i Qafë Mollës.