Punësime me ‘t’njofshëm’ në Burgun e Sigurisë së Lartë

Mbi 3 mijë veta u janë nënshtruara testeve në konkursin e shpallur nga Ministria e Drejtësisë për pranimin e 130 oficerëve korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc të Podujevës.

Ndërsa pas publikimit të rezultateve të konkursit kanë shpërthyer akuzat nga kandidatët për “dallavere” në procesin e punësimit të oficerëve korrektues, ku, sipas tyre, janë pranuar ata me pikë minimale, ndërsa janë eliminuar kandidatët me më shumë pikë në teste, të cilat akuza i mohojnë zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Ne kemi hyrë në testin me shkrim e ku pas disa ditësh ka dalë lista dhe secili e ka parë se sa poenë ka marrë. Pas kësaj ka qenë testi fizik, por në këtë test nuk ka pasur poenë, por vetëm na kanë thënë se keni kaluar”, shprehet B.B, i cili ka preferuar të flas pa emër, duke shtuar se në listën përfundimtare të publikuar nga Ministria e Drejtësisë për pranimin e oficerëve korrektues ka persona që kanë pasur pikë minimale në testin me shkrim dhe janë pranuar me konkurs.

“Unë nuk e di se çfarë forme ata e kanë bërë vlerësimin derisa në dy teste nuk na i kanë treguar pikët”, ka pohuar ai.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi, ka thënë për gazetën “/LajmeOnline/” se komisioni përzgjedhës për pranim të Oficerëve Korrektues për Burgun e Sigurisë së Lartë ka vepruar sipas mandatit ligjor që ka pasur.

“Dihet se kandidatet në procedurat për zgjedhjen si oficer korrektues i janë nënshtruar testit fizik, atij me shkrim dhe me gojë, ndërsa komisioni në fund ka mbledhur poenët e tri testeve dhe në bazë të arritshmërisë së kandidatit në tri testet, është nxjerr përqindja e përgjithshme”, ka thënë Hajrizi.

Sipas tij, 130 kandidatet që kanë treguar sukses më të lartë pas mbledhjes së poenëve të arritur në të tri testet , janë zgjedhur si oficer korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë. Ndërkaq, gazeta /LajmeOnline/ edhe pse ka insistuar t’i shoh këto teste, për të cilat ka folur Hajrizi, nuk ka mundur t’i shoh ato.

Hajrizi vlerëson se menaxhmenti i lartë i Shërbimit Korrektues të Kosovës, pasi ka analizuar të gjithë procesin e rekrutimit nga fillimi deri në përzgjedhjen e kandidatëve, ka vlerësuar që procesi është zhvilluar konform normave juridike dhe të njëjtin proces e ka miratuar me anë të aprovimit të Listës së propozuar nga Komisioni dhe Menaxheri i Personelit.

Ndërkaq, ish- Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Naim Maloku, ka thënë se nuk është marrë me listat për pranimin e oficerëve korrektues.

“Kjo ka ndodhur brenda afati të dorëheqjes sime. Gjatë kësaj kohe unë jam marrë me vendin e punës të riun dhe me 30 qershor kam përfunduar atje ndërkaq me 1 një korrik kam filluar punën e re”, ka thënë Maloku duke mohuar të jetë larguar për shkak të presioneve për marrjen në punë të oficerëve të rinj.

“Unë nuk jam në dijeni të ketë pasur presione e gjithë kjo ka ndodhur brenda afatit 30 ditor të dorëheqjes sime”, ka thënë Maloku./LajmeOnline/