PSG mendon shkëmbimin Cavani-Pogba

0

Paris Saint Germain po i luan të gjitha kartat për të afruar në “Parc des Princes” yllin francez të Juventusit, Paul Pogba. Sheiku Al Khelaifi kërkon me çdo kusht që mesfushori të luajë për ngjyrat kuqeblu por rreziku Real Madrid qëndron te porta dhe në këtë mënyrë, kampionët e Francës kanë një tjetër propozim joshës për t’i bërë Antonio Contes.

Ideja më e fundit që vjen nga Parisi është shkëmbimi kokë më kokë Cavani-Pogba. Nëse deri në këto momente Juventusi e ka bërë një vesh shurdh, ka ardhur koha që t’i kushtojë pak vëmendje propozimit më të fundit, pasi uruguajani është qëndërsulmuesi që bardhezinjtë kërkojnë prej kohësh.

Vlera e kartonit të Pogba llogaritet deri në 70 milionë Euro, një shumë e përafërt me atë që PSG pagoi për të blerë Cavanin nga Napoli. Nyja e fundit që duhet zgjidhur në këtë mes është presidenti Andrea Agnelli që mbetet njeriu që duhet bindur. Gjithsesi, për të arritur deri te Cavani, shoqëria torineze duhet të punojë në frontin e shitjeve paraprakisht. I sakrifikuari i parë është Osvaldo që do të rikthehet në Angli, ndërsa Quagliarella duhet të gjejë një skuadër që të kënaqë kërkesat e tij financiare.

Në rast se këto detaje marrin zgjidhje dhe presidenca bardhezi bindet për të finalizuar marrëveshjen, nuk do të jetë aspak e vështirë për të gjetur gjuhën e përbashkët me bomberin amerikano-latin, i cili e ka shprehur hapur pakënaqësinë për pozicionin e tij në fushën e lojës, i kushtëzuar edhe nga prania e Zlatan Ibrahimovic në skuadër.