Pse nuk shkoi Ramush Haradinaj te Presidentja Jahjaga?

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar, të premten, të gjithë liderët politikë të partive parlamentare, për të diskutuar çështjen e Gjykatës Speciale, por aty nuk ka shkuar lideri i AAK’së Ramush Haradinaj, edhe pse ka pasur ftesë.
Lideri i AAK’së Ramush Haradinaj ka pasur një ftesë nga Presidentja Jahjaga për të diskutar rreth çështjes së Gjykatës Speciale që pritet të themelohet, por nuk ka shkuar në Zyrën e saj.

Zëdhënësi Arbër Vllahiu ka konfirmuar për gazetën se të gjithë liderët e partive që janë të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës kanë pasur ftesë, përfshirë edhe Haradinajn.

Ndërkohë Haradinaj, të premten, ka dhënë mbështetjen për Gjykatën por këtë e ka bërë në selinë e partisë së tij.

Zyrtarë të AAK’së të kontaktuar nga Express kanë thënë se Haradinaj ka pasur agjendë të ngjeshur.

Gjatë muajit shkurt lideri i AAK’së i kishte shkruar Jahjagës një letër ku i kishte kërkuar që të ftojë subjektet politike “që sa më shpejt që të jetë e mundshme të dakordohen për shpalljen e zgjedhjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Jahjaga ia kishte kthyer përgjigjen Haradinajt duke numëruar rastet kur vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo përgjigje e kishte lënë të pakënaqur Haradinajn, por nuk dihet nëse kjo është edhe arsyeja që ai nuk ka shkuar në takim te shefja e shtetit./express/