“Pse nuk më flet?”/Si nisi sherri në Shkodër dhe fjalët e fundit të Mirsadit që e theri xhaxhai?

Të tjera detaje janë zbardhur sa i takon krimit të rëndë brenda familjes që ndodhi pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës. Siç u tha paraprakisht, xhaxhai 62-vjeç, Bujar Kuçi, qëlloi me thikë nipin e tij 33-vjeçar, Mirsad Kuçin. Bujari thuhet se ishte në gjendje të dehur në momentin që ndodhi ngjarja.

Të dy banonin në një banesë dhe ndanin një oborr të përbashkët në një shtëpi tre katëshe.

“Pse nuk më flet?”. Me këto fjalë i është drejtuar autori nipit kur e ka gjetur në oborr, pasi këta të fundit raportohet se kishin kohë që nuk flisnin.

Nipi është larguar duke mos folur, por siç shkruan “Panorama”, autori ka vijuar duke e fyer dhe me një thikë në dorë e ka qëlluar pas krahëve dhe më pas në gjoks, e kjo e fundit ka rezultuar goditje fatale për 33-vjeçarin, i cili ishte edhe baba i dy fëmijëve të mitur.

Ai ka humbur jetën rrugës duke u transportuar për në spital për shkak të gjakderdhjes.

62-vjeçari njihej si person që debatonte shpesh. Kanë qenë familjarët e viktimës që kanë njoftuar forcat e rendit pasi e kanë parë të shtrirë në oborr të riun. Autori pas krimit ka pritur policinë brenda banesës ku edhe është prangosur.