Prishen planet për plazh në fundjavë, moti ka surpriza “të hidhura”

Fundjava sipas parashikimeve nuk do të jetë aq e mirë për plazh. Meteoalb parashikon se e shtuna paraqitet me kthjellime dhe vranësira të shpeshta, më të dukshme gjate mesditës.

Pasditja sjell shtim të vranësirave në territor duke gjeneruar kryesisht gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të natës, shira të përkohshëm, të cilat do të jenë edhe rrebeshe afatshkurtra.

E diela, vijon në të njëjtat kushte të motit deri në mesditë, kur pritet që në pjesën më të madhe të vendit të rikthehet moti kryesisht i kthjellët.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë mëngjesin e së shtunës, një rënie me 2 – 3 gradë C, por një rënie me rreth 6 gradë C sjellin orët e mesditës.

E diela gjatë mëngjesit sjell 2 – 3 gradë C rënie, por mesdita nuk pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme.

Në rang territori pritet që minimumi të ulet në 12 – 13 gradë C ndërsa maksimumi të ngjitet deri në 33 gradë C.