Prezantohet Gotze: Ja pse zgjodha Bayern Munchen

loading...

gotze

loading...
Mister 37 milionëshi, Mario Gotze prezantohet zyrtarisht si lojtari më i ri i Bayernit të Mynihut. Sulmuesi gjerman hedh pas krahëve një karrierë të pasur te Borussia e Dortmundit ku u rrit si lojtar, duke zgjedhur fanelën e kundërshtarëve më të mëdhenj të ekipit ku u bë i njohur. Në konferencën për shtyp, Gotze zbulon një dëshirë dhe jep njëkohësisht një sinjal për trajnerin Pep Guardiola, duke e siguruar se një lojtar me karakteristikat e Lionel Messit e ka të gatshëm edhe në Bavari. “Roli që Messi ka në fushën e lojës është një model për të gjithë, përfshirë këtu edhe mua”.

Një deklaratë kjo që mbështet edhe më shumë zërat e ditëve të fundit, sipas të cilëve, tekniku katalanas e shikon ish sulmuesin e Dortmundit si zëvendësuesin ideal të Lionel Messit në skemat e tij. Për t’u kthyer te prezantimi, 21-vjeçari shfaqet i vendosur për aventurën e re. Ai rezervon fjalë të ëmbla për Bayernin e Mynihut, duke u shprehur se këtej e tutje ai do të jetë pjesë e skuadrës më të mirë të botës. Ai shton se kjo ishte dëshira e tij e vetme dhe tani ndihet gati për të bërë një hap më cilësor në karrierë. “Nuk e shikoj si presion shumën e madhe të paguar nga Bayerni. Jam shumë krenar që do të luaj për një skuadër të tillë. Nuk ishte e lehtë ta lija Dortmundin por tani dua të shikoj vetëm përpara. Objektivi im është që të rritem sa më shumë dhe këtë dua ta bëj me Bayernin”.

Kontakti i parë me trajnerin Guardiola është një moment që do ta mbajë mend gjatë në kujtesë. “Kontakti i parë me të ishte vërtetë i veçantë. Folëm gjatë për dëmtimin dhe për atë që duhet të bëj pasi të rikuperohem. Ndoqa seancën e parë stërvitore dhe vura re se ai kërkon të punojmë më shumë me topin”.

I lindur në Allegau, një qytezë 75 km larg Mynihut, Gotze debutoi në Bundesliga gjatë vitit 2009 në moshën 17-vjeçare. Ai ka luajtur 22 ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë të drejtuar nga Joachim Loeë dhe pritet që të jetë një nga protagonistët e kombëtares teutone gjatë Kupës së Botës në vitin 2014 në Brazil.

loading...