Pranga për Nazif Tashollin, pronarin e Shpellës së Gadimes

Pretenduesi i “Shpellës së Gadimes” Nazif Tasholli, i cili ishte përgjegjës dhe mbetet i tillë për gjendjen e mjerueshme të “Shpellës”, është arrestuar bashkë me të birin nga Policia e Kosovës për shkak të kërcënimeve ndaj punonjësve të “Shpellës së Gadimes”.

Tasholli ndaj të cilit MMPH ka ngritur 3 padi penale,i kishte dorëzuar çelësat e “Shpellës” ditë më parë, por që dje ka prishë marrëveshjet e arritura me MMPH-në duke kërcënuar bashkë me të birin, një punonjës nga stafi i ri i “Shpellës së Gadimes”.

“Kjo nuk është hera e parë që Nazif Tasholli kërcënon punonjësit e shtetit, kësaj here edhe pas një marrëveshje të arritur me të. I njëjti është përgjegjës për shkatërrim dhe përfitim material nga “Shpella” e cila sipas të gjitha raporteve është kthyer në gjendje të mjerueshme dhe të cilën MMPH tashmë e ka marrë nën përkujdesje”, thuhet në një komunikatë të MMPH-së.
Ditë më parë, edhe kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti gjatë një vizite bërë ministrit Dardan Gashi ka shprehur mbështetjen e parezervë për vendosmërinë e Ministrit duke theksuar se “Shpella e Gadimes” duhet të mbrohet nga shteti, për të ruajtur karakteristikat e saj dhe tërheqjen e turistëve në këtë pikë turistike.