Policia: Studentët janë larguar, nuk janë arrestuar

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me shkrimin në portale për arrestimin e pesë studentëve të cilët, siç thonë Policia kanë penguar mbajtjen e konferencës së kryeministrit Hashim Thaçi gjatë vizitës në mensën e studentëve.
“Sot rreth orës 11:30 për vizitë në Qendrën e Studentëve ka qëndruar Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi i përcjellë nga stafi i tij, i cili gjatë vizitës është pritur në takim nga drejtori i Qendrës së Studentëve z.Fatmir Sfishta. Pas përfundimit të takimit dhe pas drekës me studentët në mensën e Studentëve, kryeministri ka mbajtur një konference për media, ku gjatë realizimit të konferencës 4-5 student kanë ndërhyrë dhe e kanë fyer kryeministrin, me qëllim të pengimit të mbajtjes së konferencës. Për të mos u penguar realizimi i konferencës si dhe për shkaqe sigurie personat në fjalë janë larguar menjëherë nga sigurimi dhe gjithçka ka përfunduar pa ndonjë ekses”, thuhet në reagimin e policisë.

Sipas policisë nuk ka ndodhur arrestimi i asnjë personi apo studenti nga zyrtarët policor, siç potencohet në disa portale.