Policia pretendon se ka kapur fillin e vrasjeve të pazbuluara në Pejë

Policia-pretendon-se-ka-kapur-fillin-e-vrasjeve-të-pazbuluara-në-Pejë

Personi që është dashur të vritet është nga Peja. Po ashtu edhe porositësi i vrasjes. Megjithatë emrat e këtyre personave nuk bëhen publikë për shkak se mund të prishen hetimet. Prokuroria dhe Policia e Pejës nuk bëjnë të ditur as motivet e planit për vrasje me pagesë të një personi.
E vetmja që dihet është se për tre personat që u arrestuan se planifikonin vrasjen, gjykata u ka caktuar nga 30 ditë paraburgim. Këtë e ka konfirmuar edhe njëri nga prokurorët e Pejës Haxhi Sinanaj. Sipas tij, dy shtetasit e Shqipërisë dhe ai i Kosovës të dielën janë dërguar para gjyqtarit i cili me kërkesë të Prokurorisë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim. Sinanaj pa dhënë detaje më shumë tha për gazetën se personi që sipas planit duhej të vritej është banor i Komunës së Pejës e po ashtu edhe ai që ka porositur këtë vrasje.
“Ne bashkë me hetuesinë jemi duke punuar në ndriçimin e plotë të këtij rasti”, tha Sinanaj.
Ndryshe të shtunën Policia e Kosovës ka parandaluar një vrasje duke arrestuar dy shqiptarë si vrasës të paguar prej një kosovari për të ekzekutuar një person në Kosovë, emri i të cilit nuk është bërë publik. Madje, shqiptarët ishin parapaguar me 40 mijë euro për të kryer vrasjen. Kësisoj, sipas Policisë së Kosovës, u arrestuan: B. G i lindur me 1975 mashkull shtetas Kosovar S. D i lindur me 1970 mashkull shtetas i Shqipërisë
N . M i lindur me 1965 mashkull shtetas i Shqipërisë.
Më 16 korrik, policia u informua se disa persona të panjohur nga Shqipëria ishin paguar me 40.000 euro nga një kosovar i panjohur, me qëllimin që të kryenin një vrasje në Kosovë dhe për këtë kishin nisur përgatitjet. Policia e Kosovës, me të marrë informacionin, në konsultim me prokurorët dhe gjyqtarët kompetentë filloi hetimet intensive për të identifikuar vrasësit dhe parandaluar ekzekutimin. Falë hetimeve shumë efikase të bazuar në veprimet operativo-hetimore dhe masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit u arrit që për një kohe të shumë të shkurt të identifikohen tre të dyshuarit dhe të arrestohen nga policia e Kosovës mbrëmjen e djeshme.
Në momentin e arrestimit, tek i dyshuari i parë është gjetur armë zjarri pistoletë e tipit TT dhe një karikator me 8 fishekë.