Polici vardisës i Njësisë Speciale ndan prindërit e katër fëmijëve

a-52-650x358


Kur një ekip i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kishte shkuar për ta bastisur një shtëpi në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, më 23 nëntor të vitit 2013, dy policë të kësaj Njësie nuk ishin mjaftuar të bastisnin vetëm lokacionin, ku kishin urdhër për bastisje.
Gazeta “Zëri” mëson se polici A.Q., duke keqpërdorur pozitën zyrtare është futur edhe në oborrin e familjes H.K., në rrugën “Kadri Zeka” në Prishtinë. Ai kishte nisur t’i vardisej gruas së H.K, me të cilën kishin shkëmbyer mesazhe telefonike që në një moment janë lexuar nga bashkëshorti. Kjo situatë ka çuar në ndarjen e çiftit, prindër të katër fëmijëve.

Polici A.Q., është ndëshkuar nga Komisioni Disiplinor i Policisë, pasi V.K. ishte detyruar të ankohej me qëllim që ta ruante martesën me bashkëshortin e saj. Kështu, në dy shkallë Komisioni i Disiplinës, siç konfirmon për “Zërin” edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, e ka dënuar policin për sjellje të turpshme, duke i vënë hije të keqe Policisë së Kosovës.

Në ankesën që ka bërë në polici bashkëshorti i dëmtuar kishte përshkruar mënyrën se si polici ishte futur në oborrin e tij.

“Rreth orës 09 ish-bashkëshortja më ka telefonuar dhe më ka treguar se tek fqinjët kanë hyrë Policia të maskuar dhe po kontrollojnë. Pas më pak se një orë prapë më ka thirrur dhe e shqetësuar më njoftoi se dy policë të armatosur me pushkë automatike kanë qenë edhe në shtëpinë tonë dhe kënë kontrolluar bodrumin e shtëpisë”, rrëfen H.K. për “Zërin” momentin që do të jetë vendimtar për të bërë kthesë në jetën e çiftit.

Njëri nga policët e ka pyetur bashkëshorten e H.K se ku e ke burrin. Ajo, siç tregon H.K., iu ka treguar që bashkëshorti gjendej në punë.

“Polici që ka hyrë në bodrum ka kërkuar që edhe ajo të hyjë me të në bodrum. Por ajo i kishte thënë djalit 12 vjeç të hyjë në bodrum me policin derisa të bëhet kontrolli”, rrëfen burri rreth të dyzetave, tashmë i shkurorzuar.

Burri zë mesazhet erotike të “Arushës” dhe “Detektivit”

H.K. në këtë kohë kishte të sëmurë babanë me kancer. Më 4 dhjetor të vitit 2014, babai i H.K. kishte ndërruar jetë.

Në ditën e katërt të pritjes së njerëzve, që shkonin për ta ngushëlluar familjen, H.K. tregon se në ora 7:00 të mëngjesit sa ai ishte në gjum ishte zgjuar nga alarmi i telefonit të bashkëshortes, që çifti e kishte mbajtur te koka.

“Kur u zgjova për ta ndalur alarmin pashë një mesazh të palexuar. E hapa atë mesazh telefoni, edhe disa të tjerë. Në atë moment bashkëshortja ishte duke rregulluar dhomën e pritjes, ku mbaheshin pritjet për ngushëllime”, thotë burri. Ai tregon se polici A.Q. i kishte shkruar mesazhe me përmbajtje erotike gruas së tij, së cilës thotë se i drejtohej si “Arushë” derisa kjo e fundit thotë se e thërriste “Detektiv”.