Polici vardisës – burrit kërcënime, gruas mesazhe


(Vazhdon nga numri i kaluar)

H.K. i kishte telefonuar policit A.Q., por ky i fundit e kishte kërcënuar, duke i thënë se do ta mbyste. “Edhe ti je mashkull e nesër mundet dikush me të pëlqy, se unë në fillim mendova se ajo është ndonjë shërbëtore”, rrëfen burri bisedën me policin A.Q.

Ndonëse polici A.Q. ishte futur pa autorizim në oborrin e shtëpisë së familjes së H.K., në Prishtinë, duke iu vardisur bashkëshortes së këtij të fundit në Inspektoratin Policor të Kosovës thonë se nuk kanë gjetur asnjë element të veprës penale.

Polici i Njësisë Speciale e kishte marrë numrin e telefonit të V.K., ku gruas i kishte shkruar mesazhe, duke iu referuar asaj si “shpirt”, “zemër” e madje edhe “arushë”.

V.K. ndërkaq kishte thënë se e ka quajtur “detektiv” policin që turpëroi Policinë.

“Pas kryerjes së hetimeve preliminare dhe në konsultim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Themelore në Prishtinë në mungesë të elementeve të veprës penale rasti është dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale për hetim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e Arbër Bekës, në lidhje me ankesën e H.K në lidhje me policët.

Një natë para se burri ta thërriste në telefon policin A.Q., që i shkruante mesazhe bashkëshortes së H.K., gjatë një bashkëbisedimi në familje situata kishte eskaluar, kur bashkëshorti kishte rrahur gruan e tij.

Kërcënimet e policit

Pas kësaj ngjarjeje, ai nuk ishte duruar të mos e thërrasë personin që ia kishte dërguar disa mesazhe gruas V.K. e që në uniformë policie i ishte futur edhe në oborr.

“E kam telefonuar policin A.Q., dhe ai më pyeti se kush jeni ju. Unë iu përgjigja se jam burri i ‘Arushës’. Ai filloi të bërtasë, mos më thirrni në këtë numër se gabim kam thirrur unë”, thotë burri.

“Më tha, mos më shti me i hypë kerrit e me ardhë e me të mbytë. Pastaj filloi me tregu se qysh ka ardhë e ka hy në oborr edhe më tha ‘edhe ti je mashkull e nesër mundet dikush me të pëlqy, se unë në fillim mendova se ajo është ndonjë shërbëtore”, rrëfen burri bisedën me policin A.Q.

Por në fund të bisedës, ky i fundit i kishte kërkuar falje. “Më ka thënë se po të ishte motra apo dikush tjetër nuk ma kish ndi. Por pasi e ke grua po të kërkoj falje”, shkruan burri.

Në atë moment H.K. i kishte thënë policit se gjendej në Polici. Ndërkohë, polici kishte thënë “edhe unë rastin e kam lajmëru tek shefi im, edhe i kam tregu që e kam lanë numrin e telefonit dhe më ka dërgu disa SMS një grua edhe jam në telashe”. Pastaj, burri thotë se ai e kishte pyetur nëse me të vërtetë ishte në Polici. Por, kur H.K. i kishte thënë se nuk gjendej në Polici ai i kishte thënë se edhe po të ishte ai nuk do të mërzitej. “Më tha dëgjo, mua nuk më ‘han’ për Polici, se unë kam qenë në UÇK, jam polic, kam hyrë nëpër oborre të huaja, gjuaj me revole, ju hyj njerëzve edhe në dhomë të gjumit, i gjej të zhveshur, lakuriq”, tregon H. K.

Bile, polici i kishte thënë atij se në një rast duke u gjuajtur me dikë me revole edhe ishte plagosur. “Me ia nisë me u frikësu nuk kisha jetu hiç”,citon H.K. fjalët e policit A.Q. në bisedën telefonike mes tyre kur ishte ndaluar telefonata, pasi celulari kishte mbetur pa bateri.

Gruaja hapi rast në Polici

Prej aty burri nga Prishtina kishte shkuar tek gjyshi i gruas, B. S., të cilit ia kishte treguar të gjitha. Të nesërmen, H.K. thotë se kishte kërkuar nga gjyshi i gruas që ta merrte mbesën e vet edhe t’ia lirojë shtëpinë. “Gruaja refuzoi, pastaj fëmijët i futa në dhomën e gjumit edhe gruan e tërhoqa me dhunë dhe e qita jashtë derës së korridorit, e mbylla derën me çelës”, thotë H.K., i cili tregon se pas një qëndrimi rreth dhjetë minuta para shtëpisë ish-gruaja dhe gjyshi i saj janë larguar.

Më 14 dhjetor 2013, në mbrëmje, H.K. kishte folur përmes telefonit edhe me babanë e ish-bashkëshortes, i cili gjendej jashtë Kosovës.

“Fola me babanë e gruas. I thashë që nëse rastësisht e takoj në rrugë me atë policin kam për t’ia thyer këmbët. Ai më tha, i lirë je edhe nëse e sheh me të në rrugë mbyte krejt”, tregon ai fjalët që ia ka thënë ish-vjehrri. Por, gruaja V.K. kishte hapur rast në Stacionin e Policisë në veri. “U ka tregu krejt rastin se qysh kanë hyrë Policia edhe qysh ka ardhur puna që jemi ndarë edhe qysh e kam kërcënuar”, tregon H.K.

Pas kësaj tregon se Policia e kanë thirrur atë në telefon që të lajmërohet për të dhënë deklaratë në Polici.

Pastaj kishte filluar një proces gjyqësor, ku gjykatësi kishte vendosur që gruaja V.K. të qëndrojë në një dhomë, të shfrytëzojë kuzhinën e përbashkët, kurse burri H.K të mos i afrohej më shumë se dy metra.

Por, një nga netët kur H.K. ishte i lodhur fizikisht dhe psikikisht, thotë se kishte rënë edhe në depresion. “Isha shumë keq. Pastaj, fëmijët kanë shkuar dhe i kanë treguar gruas në dhomën tjetër që nuk jam mirë. Ajo ka ardhur edhe më ka thënë ‘O burri jem a qishtu bash hiç nuk po më beson a?’”, duke u betuar se të gjitha ato që ia kishte treguar ishin të vërteta.

Megjithatë, historia e çiftit ka përfunduar me shkurorëzim. Ata tash jetojnë të ndarë. Por, burri kërkon ndëshkim më të rëndë për policin, që thotë se i hyri në shtëpi dhe ia shkatërroi familjen bashkë me kolegun tjetër.

Gazeta ka kontaktuar edhe me policin A.Q. në lidhje me akuzat ndaj tij. Por, ai nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
auto_4551457678176