Polemika për festimin e gjermanëve

0Festa e futbollistëve gjermanë në Berlin për titullin e katërt botëror po kthehet në boomerang për përfaqësuesen europiane. Kërcimi i Kloses, Schurrles, Mustafit, Gotzes, Weidenfeller dhe Kroos gjatë ceremonisë së organizuar në “Portën e Brandeburgut” ka shkaktuar polemika në Argjentinë dhe Uruguaj.

Fjalët e futbollistëve teksa ecnin të përkulur duke kënduar “Kështu ecin Gauchot” për t’u ngritur më pas në këmbë e për të thënë “Kështu ecin Gjermanët” është cilësuar si një gjest nazistësh nga ana e mediave të ndryshme në vendet amerikano-jugore, të cilat madje kanë shkuar deri aty sa kanë kujtuar dhe vrasjet në masë të nazistëve gjatë luftës së dytë botërore dhe rikthimin e e ofendimeve nga ana e gjermanëve për Argjentinën dhe Uruguajin.

Vetë presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Wolfgang Niersbach është prononcuar mbi këtë fakt duke theksuar se ai kërcim nuk kishte për qëllim të ofendonte askënd dhe nuk bëhet fjalë për një këngë naziste, por për një këngë fëmijësh amerikane, me tekstin paksa të modifikuar. Ndërkohë mediat gjermane gjithashtu kanë dalë në mbrojtje të përfaqësueses së tyre, duke i cilësuar argjentinasit si injorantë.