Platini sërish kundër teknologjisë në futboll

platini

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini shprehet sërish kundër teknologjisë në vijën e portës, duke konfirmuar edhe njëherë përplasjet përsa i përket kësaj çështjeje me shefin e FIFA-s, Sepp Blatter. Michel Platini deklaroi se teknologjia ka kosto tepër të lartë për t’u implementuar në Champions League dhe këto para mund të shkonin diku tjetër. “Do të preferoja që këto para të kishin si destinacion futbollin e të rinjve dhe investimet në infrastrukturë dhe jo të shpenzohen për teknologjinë. Mund të ndodhë një gabim me hënë të plotë, që nuk është parë nga gjyqtari”.

Numri një i qeverisë europiane të futbollit u shpreh i kënaqur me sistemin prej 5 arbitrash, i përdorur në kompeticionet prestigjioze si Champions League dhe Europa League. Teknologjia në futboll pritet të zbatohet nga FIFA në Botërorin Brazil 2014, për të cilën Platini tha se në Europë do të ishte e nevojshme të instalohej në rreth 280 stadiume. “Kjo teknologji do të kushtonte të paktën 54 milionë Euro për 5 vjet, pra është shumë e shtrenjtë për atë lloj gabimi që ndodh njëherë në 40 vjet. Në Champions League jam i kënaqur me rezultatet e arritura. Pothuajse nuk ka patur asnjë gabim dhe gjyqtarët shikojnë çdo gjë që ndodh në fushë”.

Vendimi i UEFA-s për teknologjinë e vijës së rreptësisë bie ndesh me atë të FIFA-s, që ka vendosur të përdorë këtë sistem në ndeshjet e ardhshme të Kupës së Konfederatave dhe do të vlerësojë për përdorimin e saj edhe në Botëror. Komentet Platini i bëri nga kryeqyteti i Bullgarisë, Sofia, ku ishte mbledhur për të zhvilluar punimet komiteti ekzekutiv i UEFA-s.