“Ping Pong” në relacionet Shkup- Prishtinë rreth ekstradimit të të dënuarve të “Monstra”-s

lajme-Alip_Demiri_Afrim_Ismailovi_778411221

Dy nga shqiptarët e dënuar në rastin “Monstra” në Maqedoni janë në vuajtje të dënimit në Kosovë për vepra tjera penale. Autoritetet e Shkupit presin ekstradimin Alil Demirit dhe Afrim Smajloviqit, por Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte refuzuar këtë kërkesë. Marrëveshja për ekstradim Kosovë- Maqedoni duke e paqartë për ta zgjidhur këtë rast.

Autoritetet e Maqedonisë janë në pritje të një lëvizjeje nga ana e Prishtinës zyrtare në kërkesën për ekstradim Alil Demirit dhe Afrim Smajloviqit, dy të akuzuarve në rastin kontrovers “Monstra”.

Dy shqiptarët nga Shkupi të cilët muajin e kaluar morën në mungesë dënimin me burg të përjetshëm bashkë me katër të akuzuar të tjerë, janë duke vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës pasi vitin e kaluar u arrestuan dhe u gjetën fajtorë nën akuzën për armëmbajtje pa leje.

Në maj të vitit të kaluar gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se ekstradimi i dy të dyshuarve për rastin “Monstra” mund të marrë kohë për shkak se Demiri dhe Smajloviq duhej së pari të përgjigjeshin për veprat penale në vendin ku janë arrestuar.

Ndërsa në korrik të atij viti paneli i përbërë nga tre gjykatës vendorë në Gjykatën Themelore të Prishtinës i kishte shqiptuar Alil Demirit masën e dënimit prej 2.5 vjet burg, kurse Afrim Smajloviqit masën prej dy vjetësh.

Smajloviq kishte marrë masë më të lehtë dënimi për shkak se gjatë procesit gjyqësor kishte pranuar akuzën për armëmbajtje pa leje, gjë e cila u përdor nga gjykatësit si masë lehtësuese.

Por pak ditë pasi Demiri dhe Smajloviq u gjetën fajtorë për vrasjen e pesë maqedonasve në afërsi të Shkupit në prill të vitit 2012, qeveria në Shkup rikujtuan se autoriteteve të Kosovës u është dërguar një kërkesë për ekstradimin e tyre.

Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Maqedonisë, Adnan Jashari, kishte theksuar se nga bashkëpunëtorët e tij në këtë dikaster është informuar për procedurën e ekstradimit dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet juridike.

“Unë jam informuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet juridike. Më 14 shkurt i janë dërguar autoriteteve të Kosovës të dhëna shtesë, por akoma nuk ka pasur përgjigje”, është shprehur Jashari.

Sipas ministrit, vendimi gjyqësor për dënimin e gjashtë shqiptarëve nuk është i plotfuqishëm dhe se “organet gjyqësore duhet të tregojnë se kanë kapacitet dhe të mos dënohen qytetarë kur nuk ka dëshmi të verifikuara”.

Në maj të vitit të kaluar, një burim nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë kishte thënë për BIRN se “nëse ekziston vullneti” nga pala kosovare, dy të akuzuarit do të ekstradoheshin shpejt në Shkup për t’u përballur me akuzat me të cilat ngarkoheshin.

Por  procedura për ekstradim ka ngecur pas dhënies së verdiktit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Besnik Berisha , avokat i Alil Demirit, konfirmon se ka një kërkesë për ekstradim nga autoritetet maqedonase dhe për të cilën është mbajtur një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ne kemi mbajtur një seancë në panelin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ku njëzëri u konstatua se kërkesa e palës maqedonase për ekstradim nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore ashtu siç e kërkon Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale”,  tha Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Berisha vlerëson se gjykimi në rastin “Monstra” ishte “i përshpejtuar dhe i pambështetur” në prova.

“Ne besojmë se gjithë operacioni “Monstra” dhe gjithë  gjykimi ka qenë i motivuar politikisht. Vazhdoj të besoj se klienti im nuk është kryesi i veprës penale për të cilën është dënuar “, tha Berisha.

“E gjitha rezulton që të jetë një kërkesë për të justifikuar humbjen e njerëzve por mjerisht me një proces të përshpejtuar si dhe me një proces jo të  arsyetuar mjaftueshëm dhe kjo sigurisht që ka shkaktuar pasoja”, u shpreh ai.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi nuk pranon të flasë me arsyetimin se Ligji për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale i ndalon gjykatës çfarëdo komunikimi me media lidhur me çështjet e ekstradimit.

Ndërsa lidhur me po të njëjtën çështje nga Zyra për Komunikim me Publik e Ministrisë së Drejtësisë thotë se i përket gjykatës që ta trajtojë çështjen.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi, është gjykata ajo që fillimisht merr vendim rreth rastit. Në momentin kur një vendim i tillë merret dhe Ministria njoftohet për vendimin atëherë Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë hapat e paraparë me ligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për gazetën Jeta në Kosovë.

Alil Demiri dhe Afrim Smajloviq  kanë shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe maqedonase dhe kjo gjë pritet të paraqesë problem tjetër procedural.

Ligji për Bashkëpunim Juridik  Ndërkombëtar  në Çështjet Penale i mbron shtetasit e Kosovës nga ekstradimi përderisa Kosova dhe shteti tjetër nuk kanë ndonjë marrëveshje të veçantë ekstradimi.

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare thotë se ky ligj nuk lejon ekstradimin e shtetasve të Kosovës në vendin ku shtetasi akuzohet të ketë kryer vepër penale.

“Përjashtim nga rregulli përbën fakti nëse Kosova ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për ekstradimin e shtetasve të Kosovës në shtetin ku ka kryer vepër penale”, tha Salihu.

Ndonëse Kosova dhe Maqedonia kanë marrëveshje për ekstradim, ajo nuk parasheh edhe ekstradimin e personave të shteteve përkatëse nëse bëjnë vepra penale në territorin e shtetit tjetër.

Kur Maqedonia kishte bërë kërkesë për ekstradim të Demirit dhe Smailoviqit ajo ishte përcjellë me deklarata kundërthënëse.

Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës,  Hajredin Kuçi,  kishte thënë në një prononcim për SETimes, se Kosova nuk i ekstradon shtetasit e saj.

“Bëhet fjalë për shtetas kosovarë, krahas shtetësisë së tyre të Maqedonisë. Aktualisht, është gjyqësori kosovar ai që po merret me të dy personat në fjalë”, kishte  thënë Kuçi për SETimes

Ndërsa Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi  në një deklaratë për  Alsat M kishte thënë  se ekstradimi do të ndodhë menjëherë pas gjykimit në Kosovë, e deri atëherë qeveria e Kosovës nuk mund të përzihet në sistemin gjyqësor.

Por e përditshmja e Shkupit “Veçer” kishte shkruar se Alil Demiri dhe Afrim Smajloviq, dy të akuzuarit për terrorizëm nga ana e hetuesisë maqedonase në rastin “Monstra”, nuk kanë nënshtetësi të Kosovës.

Gazeta shkruante se posedon kopje të shkresës së MPB-së së Kosovës në të cilën qartë shkruhet se Afrim Smajloviq i lindur në vitin 1980 dhe Alil Demiri i lindur në vitin 1985, nuk kanë dhe nuk kanë aplikuar për të marrë nënshtetësi të Kosovës.

Përpos pengesave të ngritura si rrjedhojë e shtetësisë së dyfishtë, pengesë tjetër për ekstradim janë edhe  dyshimet e vazhdueshme të ngritura për ndikimin e politikës maqedonase në verdiktin final të gjykatës.

Si rrjedhojë e dënimit me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Shkupit rrodhën protestat e shqiptarëve në Maqedoni që e konsiderojnë plotësisht të pa drejtë, të pabazuar dhe kryekëput të ndikuar politikisht vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm.

Protestat eskaluan dhe morën karakter të dhunshëm dhe u përhapen ne gjithë qytetet e Maqedonisë e me të cilat shqiptarët shprehën mllefin e tyre në drejtësinë maqedonase për, siç pretendojnë, dënimin e pa drejtë të shqiptarëve më burg të përjetshëm.

Prandaj profesori Salihu thotë se Ministri i Drejtësisë, si instancë e fundit që vendos për ekstradim, duhet ta ketë parasysh edhe aspektin politik të çështjes, para se ta marrë një vendim.

“Ministri duhet të ketë parasysh edhe dimensionin ndëretnik edhe politik si dhe të gjitha rrethanat e tjera  e posaçërisht dyshimin e ngritur mbi drejtësinë e gjithë procesit gjyqësor kur të vendos për ekstradimin ose jo të tyre”, tha ai.

Marrëveshje për ekstradimi Kosovë- Maqedoni obligon palët që në rast të refuzimit të ndonjë kërkese për ekstradim të personave, atëherë ta inicojnë vetë procesin gjyqësor për veprat për të cilat dyshohet të jenë kryer nga ata persona dhe të kërkojë prova nga pala tjetër rreth rastit./Jnk