Piktori i dyshuar për vrasje hap ekspozitë nga paraburgimi

loading...

65098

loading...
DURRËS – Një ditë pas atentatit me eksploziv ndaj biznesmenit Vilson Traga, vëllai i tij, Ardian Traga ka ardhur para artdashësve të shumtë durrsakë me një ekspozitë të radhës, në galerinë e arteve pamore të këtij qyteti. Mësohet se 20 prej 51 punimeve të ekspozitës janë punuar në dhomat e paraburgimit, ku gjendet piktori i njohur abstraksionist që prej ngjarjes së 25 korrikut të vitit që shkoi, i akuzuar për vrasje të dyfishtë. Ekspozita u hap nën kujdesin e Akademisë Europiane të Arteve dhe Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit.

Shpirti i artistit duket se nuk ka rënë “në gjumë” tek Ardiani, i cili përmes punimeve të veta ka përcjellë dhe gjendjen shpirtërore të tij. Një njeri i kërrusur, i prangosur me gojën e hapur, që duket se ulëret është autoportreti abstrakt, me të cilin Tragaj ka dashur të përcjellë tek artdashësit gjendjen e tij shpirtërore si një njeri i privuar nga liria. Në ceremoni morën pjesë familjarët e piktorit, bashkëshortja e tij, Laureta, vëllezërit, një numër shumë i madh artdashësish, deputetë të Durrësit si dhe përfaqësues të pushtetit vendor etj. Bashkëshortja e tij, Laureta tha se “hapja e kësaj ekspozite ishte dëshirë e Ardianit dhe fakti që në ekspozitë morën pjesë një numër i madh artdashësish tregon për vlerat që ai ka si artist”. Ndërsa Jetullah Haliti, kryetar i seksionit shqiptar të Akademisë Europiane të Arteve, në fjalën e rastit u shpreh se “Talenti i Tragajt është i thellë, i lashtë që nga paraepoka”. Sipas Halitit, tematika e tij flet edhe për një histori kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Kemi këtu të ekspozuar edhe të madhin hero Skënderbeun, të pikturuar me tiparet e stilit Ardian, origjinal, krejt ndryshe nga Odise Paskali. Krijimtaria e këtij artisti bazohet në dy plane, në mikroplan dhe makroplan. Punimet e tij përfaqësojnë psiqikën dhe tematikën e jashtëzakonshme, të zëvendësuara me ato jashtëtokësoret, në një logjikë shumë të thellë jetike”, është shprehur Jetullah Haliti. Edhe pse prej disa muajsh Ardian Tragaj gjendet në burg, ai nuk ka reshtur së pikturuari. “Ardiani nuk flet shumë, është hezitues dhe i qetë, por mesazhin e krijimtarisë e ka aq të fortë, saqë as politologët dhe sociologët kritikë nuk mund të thonë më tepër për fuqinë artistike, të cilën e ka prezantuar ai përmes gjuhës së artit pamor”, ka vërejtur Haliti.

/Lajme Online/

loading...