Përse fëmijët janë të pakujdesshëm në rrugë?

loading...

2ef84f28-eca4-43b0-9537-576a951e1405---0-

loading...
Një studim i ri i agjencisë së mbikëqyrjes së trafikut “Accident Analysis and Prevention”, shpjegon se te fëmijët 6 dhe 7 vjeç mungon aftësia për të dalluar detaje, siç mund të jenë zhurmat e makinave dhe të gomave gjatë kohës kur janë në rrugë.

“Këto aftësi ka mundësi të fillojnë të zhvillohen pas moshës 10- vjeçare”, nënvijëzojnë studiuesit. Më shumë se 13.000 fëmijë të moshës 5-9 vjeçare aksidentohen çdo vit në SHBA nga makinat teksa tentojnë të kalojnë rrugën. Kërkuesit e Universitetit të Idahos krahasuan aftësinë e perceptimit të trafikut tek 35 të rritur të moshës 19-40 vjeçare dhe tek 50 fëmijë të moshës 6-9 vjeçare. Pjesëmarrësit në studim dëgjuan në kufje 24 regjistrime të makinave që afroheshin me shpejtësi dhe nga drejtime të ndryshme.

Atyre iu kërkua që të shtypnin një buton sa herë ta dallonin makinën që iu afrohej, kur të përcaktonin drejtimin dhe afërsinë që kishte. Kompjuteri ishte programuar të llogariste kohën që i duhej gjithsecilit për të shtypur butonin.

Të rriturit e dalluan makinën më shpejt sesa fëmijët, ata të moshës 8 dhe 9 vjeçare reaguan më shpejt sesa fëmijët 6 dhe 7 vjeçar. Të rriturit në mënyrë specifike arritën ta dallonin një makinë që i afrohej në një largësi më të madhe, ndërsa fëmijët e dallonin kur makina ishte afruar në një distancë të konsiderueshme.

Makinat që udhëtonin me shpejtësi jo të madhe dhe që bënin më tepër zhurmë, dalloheshin më shpejt. Kërkuesit u shprehën se makinat që lëvizin me shpejtësi i afrohen në një kohë mjaft të shkurtër këmbësorëve, ndaj ato janë më të rrezikshmet.

“Një automjet që afrohet nga e majta identifikohet më shpejt, sepse zakonisht njerëzit janë mësuar me makinat që lëvizin në anën e djathtë të rrugës”, -shpjegojnë hulumtuesit.

Fëmijët më të mëdhenj në moshë, janë më të aftë për të përcaktuar saktësisht se kur një makinë u është afruar shumë. Regjistrimet që iu treguan pjesëmarrësve nuk përfshinin shpërqendrime të shumta me të cilat përballen këmbësorët.

Rreth 3.400 njerëz vdesin çdo ditë si pasojë e një aksidenti rrugor në botë, ndërsa 1.3 milionë të tjerë humbin jetën çdo vit. Miliarda dollarë shpenzohen për të mbuluar dëmtimet dhe kostot spitalore. Vendet me ekonomi të ulët dhe të mesme mendohet se zotërojnë më pak se 50 për qind të makinave të regjistruara në të gjithë botën. 90 për qind e aksidenteve ndodhin në vendet e zhvilluara. India ka numrin më të madh të vdekjeve në aksidentet rrugore 105.725, e ndjekur nga Kina që numëron 96.611, nga SHBA-ja me 42.642 dhe Rusia me 35,972 të vdekur çdo vit.

Sipas INSTAT, në Shqipëri shifrat tregojnë për një rritje të vazhdueshme të aksidenteve, si pasojë e problemeve me sinjalistikën, mungesën e kujdesit të shoferëve dhe të këmbësorëve. Viti me numrin më të ulët të aksidenteve rezulton viti 2002, ku ka pasur 328 aksidente rrugore, ndërsa 2010-a mbetet viti me numrin më të madh të aksidenteve dhe personave të lënduar. Aksidentet rrugore në Shqipëri paraqiten 3.5 herë më të larta se ato në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore.

Shkaqet e aksidenteve rrugore

1. Shpërqendrimi në makinë. Pjesa më e madhe e njerëzve dëshirojnë të kursejnë sa më shumë kohë dhe për këtë arsye bëjnë shumë gjëra njëkohësisht. Studimet tregojnë se njeriu është një qenie, që vëmendjen e tij të plotë mund t’ia kushtojë vetëm një objekti. Të ngrënit, të folurit në telefon apo dërgimi i mesazheve gjatë kohës që jeni në timon, mund t’ju shtojë juve në listën e personave të aksidentuar.

2. Shpejtësia. Faktori i dytë që shkakton pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore mendohet të jetë shpejtësia. Duhet të kini parasysh që çdo rrugë ka limitin e saj të shpejtësisë dhe tejkalimi i këtij limiti do t’ju japë një kohë më të shkurtër për të reaguar ndaj një situate në rrugë.

3. Të drejtosh makinën në gjendje të dehur është ideja më e keqe që ju ka shkuar në mendje. Gjatë konsumimit të alkoolit, truri ynë i ul funksionet dhe nuk është në gjendje të logjikojë për veprimet që kryen.

4. Ngarja e pamatur e makinës. Nëse nuk e ngisni makinën me kujdes, atëherë s’ka dyshime që do të jeni pjesë e një aksidenti rrugor shumë shpejt. Rruga është një pronë publike ku kalojnë shumë persona, mjafton një veprim i gabuar si marrja e kthesës shpejt, mospërdorimi i sinjaleve, ndalimi i papritur dhe mund të shkaktoni më shumë dëme sesa mund të përballoni.

5. Kalimi me semafor të kuq. Jo më kot është vendosur që trafiku të rregullohet me pajisje të specializuara siç janë semaforët. Mosrespektimi i tyre shkakton kaos dhe viktima.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në shtimin e aksidenteve janë faktorë natyrorë si shiu, akulli, mjegulla dhe faktorë njerëzorë si ngarja e makinës nën ndikimin e substancave narkotike, përdorimi i makinës para mbushjes së moshës, garat në rrugë dhe kalimi i pakujdesshëm i rrugës nga këmbësorët.

loading...