Përmirësohet gjendja në disa fshatra të Prishtinës

Në pjesën te Fusha e Pajtimit, Makovc, Keqekoll dhe Ballaban ku reshjet kishin shkaktuar vërshime të mëdha, është përmirësuar gjendja. Kështu njofton komuna e Prishtinës, e cila në një njoftim në media thotë se në këto fshatra janë bërë të kalueshme të gjitha rrugët dhe urat. Sipas tyre në këto pjesë aktualisht nuk ka më nevojë të intervenimit nga ekipi i emergjencës.

Ndërkohë, komuna është duke punuar edhe sot nëpër pikat kritike, ku po sanohet gjendja pas vërshimeve të ditëve të fundit. “Po punohet në Bërnicë, Koliq, Prugovc, Barilevë, Besi, si dhe në fshatrat e lagjet tjera të qytetit, ku janë bërë të gjitha intervenimet emergjente dhe situata po mbahet nën kontroll”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në njoftim thuhet se prioriteti kryesor i komunës gjatë këtyre ditëve ishte ruajtja e jetës së njerëzve, që sipas tyre ajo gjë është arritur. Komuna e Prishtinës njofton se edhe ekipet po punojnë vazhdimisht në mënyrë që edhe dëmet materiale të jenë sa më të vogla.